Kryetari i KLSH-së takon drejtues të Unionit të Punonjësve të Shqipërisë
16.02.2017
Në datën 16 shkurt 2017, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj realizoi një takim pune me drejtues të Unionit të Punonjësve të Shqipërisë dhe konkretisht : z. Veli Fejzullaj, President i Unionit, z.Myslym Zotaj, Sekretar dhe Koordinator i sindikatës, si edhe përfaqësuesit të tjerë të Unionit si Prof.Dr.Ing.Gjergji Foto, Ing.Qerim Ismeni, z.Mahmut Dodgjini dhe z.Bekim Hadini.
Takimi u fokusua në kërkesën e sindikalistëve lidhur me pushimin nga puna të 410 naftëtarëve nga Kompania “Albpetrol”. Në emër të sindikalistëve e mori fjalën Prof.Dr.Gjergji Foto, një inxhinier gjeolog dhe pedagog me përvojë në fushën e shfrytëzimit të burimeve të naftës. Prof.Foto, mbështetur në përvojën e tij 40 vjeçare në këtë fushë evidentoi problematikën në fushën e industrisë së naftës në dy dekadat e fundit dhe veçanërisht menaxhimin pa strategji zhvillimi, keqadministrimin, shpërdorimin dhe shkatërrimet e qëllimshme të vendburimeve të nxjerrjes së naftës, gazit dhe përpunimit të tyre për qëllime përfitimi personal nga ana e disa firmave të dyshimta.
Punonjësit e Industrisë së naftës-vijoi prof.Foto janë të shfrytëzuar, duke punuar për vite me radhë në kushte të vështira dhe aktualisht nuk po përfitojnë as dëmshpërblimin që u takon për largimin me pa të drejtë nga puna.
Prof. Foto, theksoi faktin që i janë drejtuar KLSH-së për zgjidhje sepse vlerësojnë punën profesioniste të audituesve të këtij institucioni, më së shumti auditimet e realizuara në vitet e fundit në AKBN dhe në Albpetrol, rekomandimet e të cilave janë shumë profesionale, të drejta dhe të bazuara në ligj. Rekomandimet e këtyre auditimeve do të vlerësohen nga UPSH dhe sindikalistët për ta zgjidhur problemin në favor të punonjësve të industrisë së naftës.
Kryetari i KLSH-së në fjalën e tij falënderoi përfaqësuesit e sindikatës për besimin që kanë në institucionin që ai drejton dhe vlerësoi faktin që në këtë grup bëjnë pjesë edhe profesionistë të shquar dhe të ndershëm të fushës së hidrokarbureve si Prof.Dr.Gjergji Foto.
Zoti Leskaj theksoi se pavarësisht auditimeve të kryera në këto fusha nga KLSH në 3-4 vitet e fundit, institucioni do të thellojë auditimet në periudhën në vijim dhe do të vazhdojë të trajtojë problemet e ngritura nga sindikatat e punonjësve, duke i vlerësuar si çështje me interes të madh publik. Punonjësit e industrisë së naftës kanë të drejtën e tyre të ndjekin këtë çështje në rrugë ligjore, duke përdorur pa dyshim edhe zgjidhjet konkrete të propozuara nga KLSH, si institucioni më i lartë shtetëror për auditimin e jashtëm në Shqipëri.
Në këtë takim Kryetari i KLSH-së shoqërohej nga Zj.Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme, zj.Albana Agolli, Drejtore e Departamentit te Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja&Shoqërive Publike, z. Alush Zaçe Drejtor Kabineti, zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Prof.Dr.Sazan Guri dhe Prof.Dr.Pajtim Riba.
Takimi u zhvillua në frymën e mirëkuptimit dypalësh dhe përmbushi pritshmëritë e përfaqësuesve të sindikatës, të cilët falënderuan Kryetarin e KLSH-së për mbështetjen dhe për kohën që i kushtoi takimit dhe konfirmuan që do të vazhdojnë të ndjekin problemin e tyre në institucione të tjera të shtetit shqiptar, duke pasur si reference auditimet e realizuara nga KLSH në këto fusha në vitet e fundit dhe veçanërisht duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së për çështjet e diskutuara.