Njoftime

Zhvillohet Seminari mbi “Marrëdhëniet SAI-Parlament”

24.03.2017

Në 24 mars, në kuadër të projektit të binjakëzimit IPA “Forcimi i Kapaciteteve Audituese të Auditimit të Jashtëm Publik në Shqipëri”, u zhvillua Seminari mbi “Marrëdhëniet SAI-Parlament”. Në këtë seminar morën pjesë: z.Wojciech Kutyla, Drejtues i Projektit IPA dhe zv/president i Zyrës së Auditimit të Polonisë; Zv/Kryetari i Kuvendit te Shqiperise z.Edmond Spaho, znj.Janet St.Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, Kryetari i  Komisionit për Buxhet dhe Financë të Parlamentit të Kosovës, z.Naser Osmani, Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrje Financiare të Parlamentitt të Kosovës, z.Ali Osmani, Nënkryetari i Parlamentit,z. Edmond Spaho, Akademiku dhe sekretari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Parlamentit, Prof.Dr. Anastas Angjeli, përfaqësues të Zyrës kombëtare të Auditimit të Kosovës, përfaqësues të botës akademike, profesionistëve të fushës  dhe shoqërisë civile si Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Dr.  Jorgji Bollano, Prof.Dr. Sazan Guri si dhe ekspertë të NIK-ut polak.

Pjesëmarrja reflektoi qëllimin e analizimit të raportit KLSH-Parlament, bazuar në këndvështrimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Parlamentit, akademikëve, profesionistëve të fushës, shoqërisë civile për ta konsoliduar më tej këtë marrëdhënie bazuar në praktikat e mira europiane, si e NIK-ut Polak dhe eksperiencës amerikane.

parlament klsh2

Në fjalën e hapjes, z. Wojciech Kutyla, ZvPresident i NIK-ut polak vlerësoi prezencën e parlamentarëve të Shqipërisë, që sipas tij, plotëson objektivin e këtij seminari për të qenë një aktivitet i përbashkët KLSH-Parlament. “Ky seminar ofron një pikëtakim konkret midis audituesve dhe deputetëve për ta institucionalizuar këtë marrëdhënie në funksion të llogaridhënies, transparencës dhe mirëqeverisjes”.
Z.Kytyla prezantoi  “Udhëzuesin mbi institucionalizimin e raportit KLSH-Parlament”, e cila përmban një paketë rekomandimesh mbi krijimin e një marrëdhënieje partneriteti, përtej kontureve skematike. Në këtë kuadër, ai vlerësoi Rezolutën e Kuvendit të 20 tetorit 2016 “Mbi vlerësimin e performacës së veprimtarisë së KLSH-së per vitin 2015”, z.Kytyla përshëndeti vullnetin e Kuvendi për krijimin e një Nënkomisioni te dedikuar parlamentar për KLSH brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat . “Zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga qeveria dhe organet e tjera duhet t’i jepet një prioritet maksimal nga Nënkomisioni Parlamentar”.
Seminarin e përshëndeti edhe zj. Janet St Laurent, Drejtoreshe e Qendrës se Ekselencës në Auditim të Zyrës së Qeverise të SHBA-ve, GAO-s. Ajo theksoi rolin thelbësor qe ka parlamenti ne efektivitetin e punës së një institucioni suprem auditimi, duke vlerësuar gjetjet dhe rekomandimet e SAI-t, si dhe duke kërkuar zbatimin e tyre nga institucionet e audituara.           Zj. St. Laurent solli eksperiencën e pasur te GAO-s ne raportet me Kongresin Amerikan, ku çdo vit GAO merr pjese në qindra seanca dëgjimore te Kongresit dhe i dërgon atij me qindra raportime.  “Raporti GAO-Kongres institucionalizohet përmes një Dokument Protokolli. Tashmë kemi një traditë të konsoliduar besimi reciprok ku në shumicën e ligjeve të miratuara, Kongresi sanksionon dispozita të veçanta që i atribuojnë GAO-s të drejtën e auditimit për fushën që rregullon ligji. Në marrëdhëniet SAI- Parlament, raportet e performancës kanë rëndësi pasi zgjerojnë bashkëpunimin me komisione të ndryshme”.
Në prezantimin e marrëdhënieve KLSH-Parlament, Kryetari z.Bujar Leskaj vuri në dukje marrëdhëniet e mira te bashkëpunimit që ka KLSH me Parlamentin dhe Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave. “Ky bashkëpunim u evidentua veçanërisht me miratimin e ligjit të ri integral të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një ligj që inkorporoi standardet e INTOSAI-t në auditimin e jashtëm në Shqipëri dhe që përforcoi pavarësinë e institucionit”.

parlament klsh

Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH z. Bujar Leskaj shprehu vlerësimet dhe falënderimet e tij per mbështetjen e plote dhe te përhershme qe Kuvendi i Shqipërisë i ka dhëne institucionit qe ai drejton. Z. Leskaj solli shembuj nga funksionimi i raportit mes SAI-ve me te zhvilluara evropiane dhe me gjere, dhe parlamenteve përkatëse, duke e cilësuar këtë raport si një partneritet i natyrshëm. “Në zbatim të Rezolutave A66 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të datës 22 dhjetor 2011 ‘Promovimi i efiçiencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke fuqizuar institucionet supreme të auditimit’ dhe të Rezolutës A / 69/228 të 19 dhjetorit 2014  "Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të institucioneve të larta të auditimit", të cilat kanë qenë shumë orientuese dhe ndihmuese edhe për ne, si KLSH, si agjent i Kuvendit dhe i qytetarëve për miradministrimin e fondeve publike, jemi përpjekur të realizojmë një bashkëpunim efiçient me Kuvendin”, nënvizoi ai. 
Marrëdhëniet KLSH-Komision duhet të kalojnë në një faze të re, atë të ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve te KLSH-së, çka kërkohet edhe në rekomandimet e Progres Raporteve te BE-së për Shqipërinë. Në këtë drejtim, Kryetari Leskaj theksoi se KLSH e ka tejkaluar praktikën arkaike të dërgimit në Parlament vetëm të dy raporteve, të raportit të performancës vjetore dhe  të raportit të ekzekutimit të buxhetit të vitit të kaluar financiar, duke u mjaftuar në këtë mënyrë vetëm në përmbushjen e kërkesave ligjore dhe kushtetuese. “Vetëm përgjatë vitit 2016 deri në  Mars 2017, KLSH i ka dërguar Parlamentit (Kryetarit të Kuvendit dhe Komisioneve parlamentare) 13 Raporte Auditimi”.
Në përfundim të fjalës së tij, z.Bujar Leskaj u shpreh se KLSH po synon krijimin e një njësie ose caktimin e një personi të veçantë për të koordinuar kontaktet e KLSH-së me Parlamentin, për të lehtësuar komunikimin dhe për të arritur ndërgjegjësimin e plotë të institucionit ndaj nevojave dhe interesave parlamentare. Ndonëse në demokraci Kuvendi dhe KLSH funksionojnë të ndara me njëra-tjetrën, ato kanë role reciprokisht mbështetëse për të siguruar një qeverisje efektive dhe efiçiente, pra mirëqeverisjen publike. Sfida jonë më e madhe në raportet konstruktive dhe të hapura me Kuvendin është bashkëpunimi konkret për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së, çka është një kërkesë e progres raporteve të BE-së. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi shumë punë për të bërë që ky bashkëpunim të funksionojë”, përfundoi Z. Leskaj.
Këndvështrimi i Parlamentit në raport me KLSH u soll nga Akademiku Anastas Angjeli, deputet i Kuvendit dhe Sekretar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Z.Angjeli theksoi se produkti me i rëndësishëm i bashkëpunimit te frytshëm Kuvend-KLSH deri tani është ligji i ri për KLSH. “Ligji mori gjate me diskutimet, përpara se sa te miratohej, por bashkëpunimi ishte shembullor”, theksoi z. Angjeli.
Modeli i konsoliduar i marrëdhënieve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës me Parlamentin u prezantua nga Z. Ali Sadriu, Zv/Kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Z.Sadriu solli eksperiencën e Kuvendit të Kosovës, i cili i ka dedikuar një komision të posaçëm raporteve me Zyrën e Auditimit Kombëtar të Kosovës. Ai shpjegoi punën dhe angazhimin e deputeteve të këtij komisioni ne diskutimin e gjetjeve te auditimeve me te rëndësishme të Zyrës dhe në zbatimin e rekomandimeve nga auditimet.
Raporti KLSH-Parlament u shqyrtua edhe në optikën konstitucionale dhe juridike, nga Prof.Dr Aurela Anastasi. Konstitucionalistja e shquar theksoi se puna audituese e KLSH-së është një ushtrim i kontrollit Parlamentar ndaj ekzekutivit. “KLSH nuk është thjesht kontroll, repertori i kompetencave është më i pasur për dobitë që përfitojnë Parlamenti dhe qytetarët nga auditimet e Kontrollit të Lartë”, duke ofruar edhe një rekomandim: “Auditimet e KLSH-së janë rritur si në numër ashtu edhe në cilësisë dhe kësisoj, Kuvendi duhet të rrisë kapacitetet për të shqyrtuar raportet e auditimit”.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Kontabilitet, Prof. Dr. Jorgji Bollano,në kumtesën e tij e konsideroi raportin SAI-Parlament si një faktor të rëndësishëm për përmirësimin e menaxhimit financiar në Shqipëri. “Ngritja e një mekanizmi në Kuvend për raportet e aditimitë të KLSH-së do të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe do të nxisë kulturën e llogaridhënies për përdorimin me ekonomicitet, efiçiencë dhe efikasitet të fondeve të shqiptarëve”.
Eksperienca e Zyrës Polake të Auditimit(NIK) në raport ne Parlamentin(Sejmin) u prezantua nga z.Maciej Berek, zv/Drejtor i Departamentit për Buxhetin dhe Financën në NIK. Z.Berek theksoi se kjo marrëdhënie është multi-dimensionale dhe shtrihet në shqyrtimin nga Parlamenti të të gjitha raporteve të auditimit të NIK-ut. Një aspekt i rëndësishëm që reflekton partneritetin “SAI, agjent i Kuvendit” konsiston në dy veçori: në kërkesat që Parlamenti i bën NIK-ut për auditime, në një formë “interpelance” në Parlament që Presidenti i NIK-ut i kërkon Kryeministrit një deklaratë mbi gjetjet e auditimit mbi zbatimin e ligjit si dhe në të drejtën për mocione De lega ferenda, e cila nënkupton të drejtën e NIK-ut për të nxitur një iniciativë legjitslative, me qëllim përmirësimin e ligjeve.

Marrëdhënia midis Gjykatës Gjermane të Auditimit dhe Bundestagut u prezantua nga z.Jacek Mazur, Këshilltar i Presidentit të NIK-ut Polak. Z.Mazur e konsideroi një praktikë të mirë shembullin gjerman, duke veçuar rolin që luan Gjykata Gjermane e Auditimit në dhënien e opinionit për procesin legjislativ të Bundestagut.
Në optikën e shoqërisë civile, z.Erald Kapri nga Qendra për Transparencë dhe Informacion të Lirë prezantoi raportin e kësaj OJQ në bashkëpunim me USAID-n mbi zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së nga instituticonet shtetërore. Z.Kapri theksoi se përfshirja e Parlamentit në procesin e ndjekjes dhe zbatimit të rekomandimeve do të ketë impakt në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
“Udhëzuesi mbi Institucionalizimin e raportit KLSH-Parlament” u prezantua më hollësisht nga znj.Beata Blasiak-Nowak, eksperte e NIK-ut. Znj. Blasiak-Nowak theksoi rëndësinë që ka ndryshimi i Rregullores së Kuvendit për institucionalizimin e marrëdhënieve midis dy institucioneve. “Kryetari i KLSH-së nuk duhet vetëm që të marrë pjesë, por duhet të ketë të drejtën për të adresuar gjatë seancave plenare mbi çështjet që lidhin mbi zbatimin e buxhetit dhe borxhin publik”.
Lidhur me rezolutën e Kuvendit për krijimin e një Nënkomisioni  parlamentar për KLSH, ekspertja Polake nënvizoi që Kryetarit të Parlamentit ose Komisionit për Ekonominë dhe Financat duhet t’i dërgohet një plan veprimi mbi mënyrës sesi duhet të implementohet kjo marrëdhënie e re.
Seminari vijoi me pyetje-përgjigje për çështje të veçanta të trajtuara nga lektorët, ku një theks të veçantë iu kushtua bashkëpunimit KLSH-Parlament në zbatimin e rekomandimeve, të cilat luajnë një rol thelbësor në forcimin e mirëqeverisjes.
Në përfundim të Seminarit, z. Wojciech Kutyla, ZvPresident i NIK-ut prezantoi konkluzionet duke theksuar se SAI-t nuk janë përgjegjësit e vetëm për ndjekjen e rekomandimeve. Parlamenti, si hallkë e rëndësishme e “trekëndëshit” të llogaridhënies (Parlament-SAI-Ekzekutiv), luan një rol të rëndësishëm në amplifikimin e zbatimit të rekomandimeve duke rritur llogaridhënien e qeverisë. “Nga përvoja jonë me KLSH, në kuadër të projektit IPA, kemi konstatuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion i besueshëm dhe i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë”, përfundoi z.Kytyla.

Fjala e plotë e Kryetarit të KLSH