Përfaqësues të KLSH marrin pjesë në takimin e Bordit Ndërkombëtar të Auditimit të NATO-s
10.05.2017
Në datën 9 maj 2017, në selinë qendrore të NATO-s Bruksel, u mblodhën përfaqësuesit nga SAI-et e vendeve anëtare të NATO-s për të diskutuar rreth aktivitetit të Bordit Ndërkombëtar të Auditimit (IBAN) për vitin 2016 dhe miratimin e Raportit Vjetor të Performancës së tij. Ky organizëm e sheh veten si një Strukturë Supreme Auditimi për aktivitetin e NATO-s. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues nga SAI-et e vendeve anëtare respektivisht: Shqipëria, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Letonia, Litualina, Luksemburgu, Irlanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Spanja, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim, pjesëmarrësit patën në vëmendje aspektet e përmirësimit të sistemit të auditimit në NATO, konsolidimit të aspekteve raportuese të vendeve pjesëmarrëse në të, si dhe forcimin e kuadrit rregullator financiar. U diskutua gjerësisht mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, sistemet më të përshtatshme të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm jo vetëm transparencën por edhe konsistencën në raportimin financiar të fondeve të alokuara në projektet e NATO-s, për sa kohë shtrirja e tyre është në vende të ndryshme.
Në takim u diskutua dhe u debatua mbi çdo paragraf të raportit të përgatitur nga IBAN duke parë edhe progresin që ka pasur ky organizëm nga viti i kaluar. Aspektet në të cilat u theksua se duhet të jenë më në fokus të IBAN-it, por që duhet të adresohen më force në Kombet e Bashkuara ishte kujdesi në evidentimin e saktë të Aktiveve të Qëndrueshme dhe Jo të Qëndrueshme, problemi i konsolidimit të pasqyrave financiare, bazuar në respektimin e plotë të rregullave dhe raportimit financiar në sektorin publik (IPSAS), përmirësimi i rregullores financiare të NATO-s, pa lënë mënjanë plotësimin e një kuadri rregullator mbi sistemet e kontrollit të brendshëm në nivelin e kërkesave të COSO.
Gjatë takimit jo vetëm u vlerësuan arritjet e vitit 2016, sidomos realizimi i dy auditimeve të performancës dhe theksimi i punës së audituesve në këtë fushë, por u dha mbështetje për çdo përpjekje të Bordit që synonte arritjen e objektivave të vendosura për vitin 2017.
E veçanta e këtij takimi ishte fryma bashkëpunuese dhe bashkërendimi i punës në Bord me qëllim eliminimin e mbivendosjeve në auditimin e projekteve të NATO-s, si dhe respektimin e kërkesave të reja të cilat promovohen në këto takime të rëndësishme dhe që do të reflektohen edhe në punën dhe programet tona audituese për të ardhmen.
KLSH në këtë takim u përfaqësua nga znj.Manjola Naço, Drejtor i Përgjithshëm dhe z. Andrea Kristo, auditues në KLSH.