Njoftime

Politika dhe Strategjia e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë si shembull i praktikës së mirë

17.07.2017

Kontrolli i Lartë i Shtetit në Shqipëri i udhëhequr nga motoja “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”, dhe me mbështetjen e Projektit IPA 2013 “ Forcimi i Kapaciteteve të KLSH në Shqipëri” dhe përmes një bashkëpunimi mjaft frytdhënës 4 - vjecar me NIK-un, Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë po investon intensivisht në drejtim të rritjes së kapaciteteve institucionale të tij

albania-12 web

 

Grupi përfaqësuesve nga KLSH: Luljeta, Nano. Albana Gjinopulli, Edlira Sako, Nikollaq Nako, Bexhet Zeqiri, Bashkim Arizaj, Pjeter Beleshi, Artan Topjana, Selime Bregu, Ryisim Xhaja, Ermira Vojka, Elira Cukalla, Lirim Beqiri, Eljona Hyseni, Prishila Rama, Shpresa Lushaj

I orientuar drejt objektivit strategjik të rritjes së kapaciteteve audituese, duke synuar arritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, KLSH është fokusuar prej disa vitesh në gjetjen dhe implementimin e politikave dhe strategjive për një menaxhim efektiv dhe më të mirë të burimeve njerëzore.

 

Për këtë qëllim, nga data 9-15 Korrik 2017, një grup audituesish të Kontrollit të Lartë të Shtetit zhvilluan një vizitë studimore në Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë(NIK). Tema e vizitës studimore përfshinte menaxhimin, politikat, mjetet dhe metodologjinë e Burimeve Njerëzore në Sektorin Publik të Polonisë, dhe në mënyrë specifike mënyrën se si hartohen, menaxhohen dhe zbatohen në Institucionin Suprem të Auditimit. Kjo vizitë vjen në kuadër të projektit të binjakëzimit IPA të Bashkimit Europian, i cili qysh prej marsit 2016 ka filluar implementimin në KLSH nga SAI i Polonisë në bashkëpunim me SAI-n e Kroacisë.

 

Vizitat studimore të audituesve të KLSH-së në Poloni tashmë janë shndërruar në një traditë me vlera të mëdha për fuqizimin e auditimit të jashtëm në Shqipëri, duke qenë se NIK-u polak është një nga SAI-t më të zhvilluara të Europës, e cila ka zhvilluar një metodologji auditimi që përfshihet në praktikat e mira Europiane.

 

Presidenti i NIK Z. Krzysztof Kwiatkowski, i cili i uroi mirëseardhjen e theksoi bashkëpunimin e suksesshëm midis NIK-ut  të Polonisë dhe KLSH-së, shprehu vlerësimin e lartë për reformat dhe zhvillimet e ndodhura në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë gjatë pesë viteve të fundit.

 

Referimet në këtë vizitë u hapën nga zv/Presidenti i NIK Z. Wojciech Kutyla, dhe z. Jacek Jezierski, Këshilltar i Presidentit të NIK, me prezantime mbi programin e vizitës studimore në lidhje me çështjet e Burimeve Njerëzore dhe shërbimit civil, duke theksuar rolin e përcaktuar të NIK në këtë strategji, si dhe rezultatet e arritura nga zbatimi i kësaj strategjie. Gjatë kësaj dite Kreu i Shërbimit Civil mbi Strategjinë në sektorin publik të Polonisë paraqiti një rezyme mbi funksionimin dhe rolin e këtij institucioni në zhvillimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore.

 

Ditët në vijim i ofruan delegacionit të KLSH, vizita dhe në institucione të tjera misioni i të cilëve lidhej ngushtësisht më konceptin e menaxhimit dhe zhvillimit të kapaciteteve njerëzore. Në Qendrën e Trajnimit të NIK-ut në Golawice, takimi kishte në fokus temën mbi certifikimin e audituesve të sektorit publik. Nën referimin e Drejtorit të Metodologjisë dhe Zhvillimit Profesional të NIK-ut, njëkohësisht këshilltar i Presidentit të NIK-ut, audituesit e KLSH-së u njohën me fazat e përzgjedhjes së audituesve, procedimin e çertifikimit dhe përmbajtjen e testimeve.

 

Vizita në Departamentin e Shërbimit të Civil të Polonisë i ofroi pjesëmarrësve diskutime dhe ide mbi praktikat më të mira të fushës, shkëmbimi i eksperiencës dhe kuadri ligjor mbi shërbimin civil. Kjo vijoi me vizitën në Zyrën për Çështjet e Shtetasve të Huaj. Gjatë takimit me znj.Agniezska Szabelska, Drejtore e Njësisë së Burimeve Njerëzore, u prezantuan metoda të reja të përdorura në këtë institucion lidhur me identifikimin dhe menaxhimin e “talentve” dhe aftësive të punonjësve, më konkretisht me proceset dhe praktikat e kësaj njësie mbi procesin e rekrutimit dhe zhvillimit të profesionalizmit të stafit, për ta kthyer këtë në një proces sa efektiv ashtu dhe me përfitim për institucionin. Shkëmbime të eksperiencave lidhur me trajnimet midis institucioneve të dy vendeve, Polonisë dhe Shqiperisë e bënë takimin interaktiv, me biseda miqësore e profesionale. Në inetres të pjesëmarrësve ishte dhe vizita ne Degën Rajonalë të NIK-ut Polak në Lodz, ku i mirëpritën nga Drejtori i degës, z.Przemyslaw Szewczyk dhe Drejtori i Përgjithshëm i NIK-ut, z.Andrzej Styczen. Në këtë ndalesë, audituesit e KLSH-së u njohën me funksionimin dhe veprimtarinë e kësaj dege të NIK-ut dhe me procesin rekrutimit dhe trajnimit të stafit.

 

Duke u fokusuar në një element tepër të rëndësishëm të zhvillimit profesional të stafit, takimi në Shkollën e Administratës Publike të Polonisë, u mundësoi pjesëmarrësve të delegacionit shqiptar të njiheshin më nga afër me praktikat ë trajnimit të nëpunësve civil në Poloni, si dhe sistemin e karrierës të kësaj kategorie punonjësish.

 

Në përfundim të vizitës, në ambientet e NIK-ut Polak, u zhvillua një bashkëbisedim mes audituesve të KLSH-së dhe kolegëve polake, me qëllim ballafaqimin e kuadrit ligjor shqiptar mbi shërbim civil me atë polak që rregullon këtë fushë dhe mbi mënyrën sesi mund të aplikohet praktika e NIK-ut në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Konkluzionet e përmbledhura nga znj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme ne KLSH dhe prezantimet e ofruara nga znj. Edlira Sako, Drejtore e Burimeve Njerëzore, dhe znj.Albana Gjinopulli, Drejtore e Metodologjisë dhe Zhvillimit Profesional lidhur me politikat e rekrutimit dhe zhvillimit profesional të stafit të KLSH ofruan një pamje të plotë të kuadrit në të cilin zhvillohet fusha e menaxhimit të burimeve njerëzore në këtë institucion dhe mundësuan diskutime dhe shkëmbim të ideve të ndërsjella mbi mënyrën se si mund të gjenden pika të përbashkëta dhe mundësi të adoptimit të proceseve e praktikave me të mira midis institucioneve të dy vendeve.