Vizita studimore e përfaqësuesve të KLSH-së në Poloni
24.07.2017
Në frymën e shkëmbimit të eksperiencës midis institucioneve dhe midis kolegëve auditues, në datën 18 deri në 20 Korrik 2017, pranë Zyrës Rajonale të NIK-ut të Polonisë në Wroclaw, Kryetari i KLSH-së z. Bujar Leskaj dhe një grup audituesish të KLSH-së, morën pjesë në një vizitë studimore. Në këtë vizitë, grupi i audituesve u përshëndet nga zëvendëspresidenti i NIK-ut z. Wojciech Kutyla dhe nga Këshilltari i Presidentit të NIK-ut polak, zoti Jacek Jezierski.
Kjo vizitë u realizua në një nga zyrat rajonale më të mëdha të NIK-ut, e cila kryen auditime shumë të rëndësishme për shkak të investimeve të mëdha të realizuara në këtë qytet, si qytet i tretë nga madhësia në Poloni. Ajo ishte konceptuar kryesisht si një format bashkëpunimi mbi bazat e shkëmbimit të eksperiencës dhe kishte si qëllim kryesor pasurimin me informacione dhe praktika të tjera ndërkombëtare në fushën e auditimit.
Objektivat dhe përmbajta e vizitës studimore:
- Roli dhe detyrat e NIK-ut Polak, si Zyra Supreme e Auditimit
- Roli dhe detyrat e Zyrës Rajonale Financiare në sistemin e administrimit të auditimit
- Roli dhe detyrat e Qeverisjes Vendore si një organ mbikëqyrës në sistemin e administrimit të auditimit.
Objektivat përfshinë gjithashtu nxitjen e diskutimeve ndërmjet pjesëmarrësve, që vinin nga dy eksperienca dhe vende të ndryshme, për të krijuar një bashkëpunim profesional, të nevojshëm për të qenë të suksesshëm në kryerjen e funksionit të audituesit shtetëror.
Këto tema u prezantuan nga drejtuesit rajonalë të NIK-ut në Wroclaw, nga drejtues të Zyrës Rajonale Financiare si dhe nga lektorë të Universitetit të Wroclaw.
Prezantimet që u bënë në këtë vizitë studimore, kishin të bënim me njohjen e strukturave të kontrollit financiar në nivel vendor, të cilat ishin jashtë strukturave të NIK, por në bashkëpunim të ngushtë më të. Karakteristikë e kësaj vizite studimore ishte se nuk u fokusua vetëm në prezantime të mirëfillta, por u zhvillua në një ambient të gjallë pyetjesh dhe diskutimesh interaktive mes audituesve dhe lektorëve. Në këtë mënyrë u mundësua që vizita studimore të drejtohej jo thjesht si një proces mësimdhënie të njëanshme, por si një proces konsultativ midis palëve, të cilat plotësojnë njohuritë e njëra tjetrës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, u përfaqësua nga Kryetari i KLSH-së z. Bujar Leskaj dhe një grup audituesisht me eksperiencë dhe të rinj në auditimin e sektorit publik, të përbërë nga Alush Zaçe, Brunilda Hyka, Marjola Llanaj, Genci Koka, Skënder Muça, Berti Meçaj, Joniada Gjocaj, Benet Koka, Almida Kafija e Orgest Levani, si dhe nga ekspertët e jashtëm të KLSH-së, z. Engjëllush Musai dhe z. Ergys Alushi.