KLSH nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për projektin e USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor”
06.10.2017
Në datën 3 tetor 2017, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z, Bujar Leskaj nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për implementimin e projektit “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” në Shqipëri. Ky projekt është financim i USAID-it dhe do të implementohet nga Universiteti Research CO., LLC dhe nga KLSH. Marrëveshja u nënshkrua nga zj.Darcie Nielsen, Drejtuese e Projektit dhe nga zj. Catherine Johnson, Drejtore e USAID-t për Shqipërinë.
Projekti i USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është një projekt dy-vjeçar (mars 2017 - mars 2019) dhe ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët shqiptarë me fokus luftën ndaj korrupsionit, përmirësimin e transparencës për funksionet qeveritare dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura qeveritare, organizatave të shoqërisë civile (OSHC) dhe medias për të kërkuar një qeverisje më të përgjegjshme në sektorin shëndetësor. Projekti do të punojë për të forcuar aftësitë e tre institucioneve mbikëqyrëse të pavarura shqiptare: Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Parandalimit të Konfliktit të Interesit dhe Avokati i Popullit. Projekti synon gjithashtu të përmirësojë koordinimin ndër-institucional dhe të rrisë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe median për të rritur ndërgjegjësimin rreth shkallës së korrupsionit në sistemin shëndetësor dhe trysninë për reforma për rritjen e transparencës.
Zj.Darcie Nielsen, Drejtuese e Projektit dhe zj. Catherine Johnson, Drejtore e USAID-t për Shqipërinë vlerësuan maksimalisht punën e KLSH, ILDKPKI dhe të Avokatit të Popullit në drejtim të mirë-menaxhimit të parasë publike, luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimit të kapaciteteve për të investiguar, referuar dhe zgjidhur ankesat e qytetarëve, veçanërisht për denoncimin e korrupsionit.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin me USAID-in dhe kontributin e kësaj Agjencie, në emër të popullit dhe qeverisë amerikane, për mbi një çerek shekulli aktivitet në Shqipëri, i cili ka qenë sa unikal aq edhe i rëndësishëm.
Një dimension tjetër themelor i projektit të USAID-it “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” është lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë dhe mendojmë se modestisht KLSH mund të kontribuojë në këtë objektiv të Projektit.
Më tej z.Leskaj theksoi : “...KLSH do të bëjë më të mirën për suksesin e këtij Projekti të USAID-it, duke dedikuar staf të përgatitur dhe potencialet e standartet tona. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme që në kërkimin e llogarisë ndaj administratës shtetërore, krahas Nesh, institucioneve të pavarura me punën dhe treguesit tanë, krahas shoqërisë civile të angazhuar dhe medias, të jetë një institucion prestigjioz në Shqipëri dhe kudo në botë, si USAID-i”.
Ne besojmë fort se qeverisja e përgjegjshme në sektorin e shëndetësisë, si kudo në shërbimet publike dhe në administrimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, mund të sigurohet vetëm nga një bashkëpunim i sinqertë i Qeverisë dhe Ministrisë përkatëse, duke pranuar kontributin e institucioneve të pavarura, të shoqërisë civile, te medias dhe të donatorëve e partnerëve tanë- përfundoi z.Leskaj.
Më pas zj. Darcie Nielsen bëri një prezantim të projektit (gjatë të cilit pati edhe diskutime dhe pyetje nga të pranishmit), të cilin e përfundoi me një thënie të zj.Margaret Chase Smith (politikane e njohur në SHBA, ndarë nga jeta në vitin 1995) “Shërbimi ndaj publikut duhet të jetë më shumë sesa të bësh një punë me ndershmëri dhe eficiencë. Duhet të jetë një përkushtim i plotë ndaj njerëzve dhe kombit”.