Zhvillohet Konferenca Ndërkombëtare “Të auditosh për Qendrueshmëri dhe Zhvillim”
16.10.2017
Në datat 11 -13 tetor 2017, në Tiranë, në Tirana International Hotel u zhvillua konferenca e 14-të Ndërkombëtare e Kontabilitetit. Konferenca u realizua si një bashkëpunim mes Fondacionit të Kontabilitetit për Bashkëpunim Akademik të Turqisë, Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Gjykatës Turke të Llogarive.
Kjo Konferencë është konferenca e pestë vjetore shkencore që organizon KLSH. Konferenca e I-rë u zhvillua në vitin 2012 dhe ka trajtuar temën “87 vjet KLSH në 100 vjet shtet shqiptar”, Konferenca e II-të me temë“Roli i SAI-t për një menaxhim publik te përgjegjshëm në sfidat e sotme” u zhvillua në dhjetor të vitit 2013 dhe Konferenca e III-të, tetor 2014 trajtoi si temë kryesorë “Auditimi Kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare”.Me rëndësi për t’u përmendur është
Konferenca e IV-t Shkencore “Analiza e Riskut”, e cila u zhvillua në qeshor të vitit 2016 dhe bëri publike hartën e risqeve në sektorin publik shqiptar, me qëllim informimin e qytetarëve për zonat nevralgjike të shërbimeve publike dhe nxitjen e ndërgjegjësimin qeveritar për marrjen e masave për reduktimin e risqeve.
Konferenca e këtij viti kishte si temë kryesore “Të Auditosh për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim” dhe në të morën pjesë rreth 160 të ftuar. Në këtë konferencë kishte përfaqësues nga Fakulteti i Ekonomisë,Universiteti i Tiranës, Kontrolli i Lartë i shtetit, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Unioni i Dhomave të Audituesve dhe Kontabilistëve të Licencuar të Turqisë, Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve, Universiteti i Lodz-it, Këshilli i Kontabilistëve të Shqipërisë, studentë, auditues, etj.
Konferenca u hap me fjalën e z. Fikret ÇÖKER, Zëvendës president i Gjykatës Turke të Llogarive. Në fjalën e tij, z. ÇÖKER theksoi se: “Funksionet e zgjeruara të shtetit kanë sjellë nevojën e përdorimit të parasë publike me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet. Pritshmëritë e shoqërisë për një shtet efikas dhe rritja e ndjeshmërisë së saj mbi veprimtari të paligjshme si mashtrimi financiar, e kanë rritur rolin dhe përgjegjësitë e SAI-ve, të cilat veprojnë në mënyrë të pavarur prej qeverive, në pikëpamje organizative dhe funksionale. Besueshmëria e auditimeve të SAI-ve varet prej realizimit të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit.”
Më tej, në emër të KLSH-së konferencën e përshëndeti Prof.Assoc.Dr. Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme në KLSH. Znj. Naço në fjalën e saj nënvizoi se “ ..Misioni i KLSH-së është të ndikojë dhe të japë kontribut në mirëmenaxhimin e financave publike, duke kryer auditime cilësore, duke raportuar mbi rregullsinë dhe efektivitetin e përdorimit të të gjitha burimeve financiare të shtetit, për të mirën e shtetit dhe të qytetarëve”.
“Sot ka një vetëdije më të madhe në adresimin e çështjeve me interesit publik dhe qëllimet afatgjata të SAI-ve janë të orientuara drejt auditimit të zhvillimit të qëndrueshëm, në mënyrë që auditimi të mbetet relevant dhe të plotësojë nevojat për informacion të përdoruesve të sektorit publik dhe privat. Institucionet si KLSH, universitetet dhe organizatat profesionale të fushës duhet të fitojnë besimin e publikut në punën e tyre. Ata duhet të jenë gjithëpërfshirës në aktivitetet e tyre, transparentë në vendimmarrje dhe të përgjegjshëm në kryerjen e detyrave të tyre”- përfundoi zj.Naco përshëndetjen e saj.
Konferenca u përshëndet nga Prof.Dr. Beyhan Marsap, President i MODAV, i cili evidentoi faktin që kjo konferencë për herë të parë këtë vit organizohet me KLSH-në, SAI-t turk, Fakultetin Ekonomik dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Turqisë. Zoti Marsap theksoi që “Transparenca duhet të jetë në themelet e objektivave të vendimmarrësve. Aplikimi i transparencës, përgjegjshmëria e audituesve, zhvillimi i qëndrueshëm janë çështje që lidhen me të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë”.
Prof. Dr. Hysen Çela, President i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar të Shqipërisë, theksoi në fjalën e tij se “Auditimet janë në axhendën kryesore të të gjitha vendeve. Çështjet kryesore që na presin në të ardhmen kanë të bëjnë me rolin e SAI-ve, zhvillimin dhe trajnimin e auditiuesve për të rritur cilësinë e auditimeve. Audituesit qysh herët kanë tentuar të rrisin transparencën e operacioneve financiare të institucioneve publike. Vlerësoj kontributin e KLSH-së në rritjen e transparencës dhe në rritjen e standardeve, cilësinë e auditimeve dhe rëndësinë e rekomandimeve të dhëna nga ky institucion”.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës u prezantuan 66 punime me tematika të ndryshme, ndër të cilat mund të veçojmë :
•“Standardet Ndërkombëtare të Auditimit për Sektorin Publik dhe Vlerësimet për Procedurat e Auditimit të SAI-t turk, Krahasuar me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit”, referuar nga z. Nalan Akdogan;
•“Një rishikim i cilësisë së auditimit”, nga znj. Elsa Tanushi;
•“Raportimi i qëndrueshmërisë dhe trendet e fundit në auditim”, studim i z. Hasan Kaval;
•“Një perspektivë e re në Auditimin e Sektorit Publik: Auditimi Etik”, referuar nga z. Yasar Uzun;
•“Auditimi i Brendshëm – Një qasje efektive në zhvillimin e Sistemeve të Qendrueshme të Menaxhimit” nga Znj. Suzana Guxholli dhe znj. Anisa Vrenozi;
•“Prezantimi i Auditimit të teknologjisë së informacionit në një organizatë”, referim nga znj. Elda Hoxhaj.
•“Raportimi dhe Auditimi i Informacionit Mjedisor sipas Raportit të Qendrueshmërisë”, nga z. Banu Sultanoglu dhe z. Yildiz Ozerhan.
Në këtë konferencë prezantuan punimet e tyre tre përfaqësues nga KLSH, Prof.Assoc.Dr.Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme; Dr.Aulent Guri, Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Znj. Ina Sokoli, Audituese e Parë në Drejtorinë e Metodologjisë dhe Zhvillimit.
Në punimin e saj znj. Naço u fokusua në hendekun mes nevojave në sistemin shëndetësor dhe burimeve ekonomike në dispozicion. “ Mungesa e burimeve publike është një problem serioz në rritje, kësisoj, menaxhimi i kostove rrjedhëse është më urgjent sesa mbulimi i kostove të aseteve të reja. Në kushte të tilla qeveria u përpoq të inkurajonte kontratat e partneritetit publik privat duke synuar kontributet e kapitalit privat në mundësimin e shërbimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Në fillim të 2015-ës u firmosën 3 kontrata të mëdha të lidhura me check-up-in e popullatës; duke ofruar shërbimet e dializës dhe sterilizimit në spitalet publike” – argumentoi znj. Naço përpara publikut pjesëmarrës.
Dr. Aulent Guri prezantoi punimin e tij për auditimin e Parkut kombëtar të Prespës me qëllim identifikimin dhe vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në ekosistemin e kësaj zone si dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin e situatës aktuale sociale, ekonomike dhe mjedisore.
“Gjendja aktuale e Parkut Kombëtar të Prespës është fryt i presionit të vazhdueshëm në dekadat e fundit nga banorët si dhe nga menaxhimi jo i mirë i institucioneve përgjegjëse. Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve, prerja e pakontrolluar e druve të zjarrit për ngrohje dhe në disa raste edhe për tregtim të jashtëligjshëm, gjuetia dhe peshkimi i paligjshëm, mosmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza si dhe mos bashkëpunimi i institucioneve të cilët kanë për detyrë të menaxhojnë të gjithë ekosistemin në Parkun e Prespës janë problemet kryesore të evidentuara. Institucionet e përfshira në menaxhimin e PKP nuk kanë zbatuar të gjitha objektivat e Planit të Menaxhimit duke filluar që me menaxhimin e druve të zjarrit, menaxhimin e peshkimit, gjuetisë së paligjshme etj.”, ka theksuar z. Guri në kumtesën e saj.
Punimi i znj. Sokoli u fokusua në sfidat që sjellin investimet e huaja direkte për sa i takon legjislacionit shqiptar dhe përdorimit të parasë publike.
Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës pati shumë diskutime, pyetje dhe debate profesionale. Konferenca të tilla tregojnë sa i rëndësishëm është bashkëpunimi midis Universiteteve dhe SAI-ve, për të rritur shkëmbimin e dijeve, praktikave më të mira, metodave dhe mjeteve që mund të përdoren për të përfituar nga njëri-tjetri, në funksion të promovimit të mirëqeverisjes.
Konferenca evidentoi edhe një herë një përmasë tjetër të komunikimit të KLSH, që ka theksuar dhe garantuar profilin profesional të institucionit, nëpërmjet nxitjes së mendimit të përparuar shkencor për çështje të sotme të auditimit publik dhe të financave publike, duke përfshirë kontributet e institucioneve partnere të KLSH, përfaqësuesve më aktivë e cilësorë të akademikëve dhe profesoratit shqiptar, pa anashkaluar në asnjë rast kontributin e audituesve të institucionit.