Një delegacion i KLSH-së merr pjesë në kremtimin e 25 vjetorit të SAI-t Çek
02.10.2018
Në datat 30 Shtator - 1 Tetor 2018, një delegacion i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i kryesuar nga Kryetari, z.Bujar Leskaj, mori pjesë në kremtimet e 25 vjetorit të krijimit të Institucionit Suprem të Auditimit të Çekisë. Delegacioni i KLSH-së përbëhej nga Kryetari i KLSH-së z. Bujar Leskaj, Sekretari i Përgjithshëm, zj. Luljeta Nano dhe auditueset zj.Nikoleta Piranjan dhe zj.Alketa Kalleshi.
Në këtë event morën pjesë në statusin e të ftuarit Kryetari i Gjykatës Europiane të Audituesve, i kryesuar nga Presidenti i kësaj Gjykate, z. Klaus-Heiner Lehne, delegacionet e Institucioneve Supreme të auditimit të Austrisë, Polonisë, Spanjës, Hungarisë, Sllovenisë dhe Turqisë.
Gjatë zhvillimit të ceremonisë, Kryetari i SAI-t Çek, z. Miloslav Kala solli ne vëmendje të të pranishmëve rolin e kontributin 25 vjeçar të SAI-t Çek në mirë-menaxhimin e financave publike dhe të fondeve publike. Z. Kala theksoi në fjalën e tij rëndësinë e komponentit të ruajtjes së pavarësisë institucionale si shtylla e katërt e demokracisë.
Presidenti i Republikës Çeke, z. Milos Zeman në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi veprimtarinë e SAI-t Çek si një institucion kushtetues i pavarur në gjenerimin e informacioneve objektive dhe të besueshme në drejtim të përgjegjshmërisë së menaxhimit të fondeve dhe pronës shtetërore me një impakt të padiskutueshëm në vendimmarrjet për zhvillim dhe prosperitet të vendit.
Kryetari i Gjykatës Europiane të audituesve z. Lehne theksoi rëndësinë e kooperimit të vendeve anëtare të EUROSAI-t duke theksuar se "duhet të punojmë së bashku për Europën sot".
Në vijim Kryetarët e SAI-ve zhvilluan takime dhe bisedime mbi sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit në nivel global.