KLSH në workshopin “Mbi menaxhimin e shpenzimeve dhe mbajtjen nën kontroll të buxhetit të shtetit”. Lubjanë, më 17 dhjetor 2014.
Në datat 15-17 Dhjetor 2014 u zhvillua në Qendrën e Ekselencës së Financave në Slloveni workshopi me temë: “Menaxhimi i shpenzimeve dhe mbajtja e nën kontroll e buxhetit të shtetit”.
Ky event u organizua nga Komisioni Europian si pjesë e inisiativës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF) dhe Komisionit Europian (CE) për të asistuar projektin e përmirësimit të qeverisjes ekonomike të vendeve të rajonit.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave të vendeve si: Maqedonia, Turqia, Kosova, Mali i zi, Sllovenia, Serbia dhe Shqipëria. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga Sekretari i Përgjithshëm Zj. Luljeta Nano dhe Drejtorja e Departamentit të Auditimit të Buxhetit Qendror, Administratës së Lartë Publike dhe Auditimit të Brendshëm Zj. Manjola Naço.
Informacion i përgjithshëm:
Objektivi primar i ekzekutimit të buxhetit është të sigurojë që shpenzimet janë në një linjë me targetet fiskale afatmesme, me buxhetin vjetor dhe që çdo ndryshim në prioritetet e shpenzimeve ekzekutohet në mënyrë të rregullt dhe të përpiktë.
- Dobësitë në kontrollin e shpenzimeve shpesh shfaqen kur niveli i mospranimit të pagesave të prapambetura rritet duke çuar në këtë mënyrë në shfaqjen e një stresi, tensioni fiskal.
- Kontrolli i shpenzimeve në një sërë vendesh të Evropës Juglindore (SEE) në vitet e fundit ka çuar në fenomenin e krijimit të stokut të borxheve të prapambetura.
- Mbi zhvillimin e workshopit:
- Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti u trajtuan një sërë temash si:
- Sfidat e vendeve të rajonit për sigurimin e kredibilitetit buxhetor.
- Rëndësia e planifikimit të një buxheti kredibël me impakt ekzekutimin e suksesshëm të tij.
- Mjetet për të kontrolluar llojet e ndryshme të shpenzimeve, menaxhimin e buxheteve vjetore dhe ato shumë vjeçare.
- Përcaktimi i procedurave kryesore për ekzekutimin në mënyrë eficente të buxhetit.
- Rëndësinë e menaxhimit të cash-it në mënyrë efektive gjatë ekzekutimit të buxhetit.
- Implikimet e sistemeve IT gjatë procesit të planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit.
- Zgjerimi dhe forcimi i veprimtarisë së institucioneve të ndryshme në monitorimin e buxheteve .
- Menaxhimi i borxheve të prapambetura, dhe marrja e masave për sigurimin e kontrollit efektiv të angazhimeve.
- Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti me mjaft interes u trajtuan konceptet mbi buxhetet e besueshme dhe kredible duke u trajtuar që nga konceptet “sempliste” të kredibilitetit të buxhetit por edhe me gjerë, duke u fokusuar në kuadrin e politikave bazuar në analiza të qenësishme makrofiskale, implikimet e rregullave dhe objektivave fiskale, referenca solide të projeksioneve buxhetore etj.
Një vend të rëndësishëm gjatë zhvillimit të këtij workshopi ishte dhe trajtimi nga Menaxherja e Programeve të Delegacionit Europian në Shqipëri, e cila u fokusua në trajtimin e temës me objekt: “Përse një Kuadër kredibël i Menaxhimit të Financave Publike është mjaft vendimtar për qeverisjen ekonomike të vendit”.
Gjatë këtij prezantimi u trajtuan çështjet që kishin të bënin me Strategjinë e Zgjerimit Europian, prioritetet e Strategjisë së Zgjerimit të ashtuquajturat (Fondamental First ) Programi i Reformës Ekonomike Nacionale për vitin 2015 (NERP) për vendet kandidate dhe ato potenciale.
Krahas sa më sipër u trajtuan qasjet që ofrojnë Instrumentet IPA; Instrumenti IPA II i cili bazohet në IPA I (qasja në projekte) por aplikon një qasje më strategjike basi bazohet në qasjen sipas sektorëve sektoriale, duke u fokusuar në sektorët kyç dhe asistenca orientohet bazuar në rezultate dhe performance.
Përgjatë workshopit përfaqësuesit e KLSH-së sollën në vëmendje të pjesëmarrësve eksperiencën dhe kontributin e KLSH-së në funksion të promovimit të një qëndrueshmërie dhe kredibiliteti të financave publike duke i adresuar Kuvendit një sërë rekomandimesh me impakt përmirësimin e planifikimit të performancës fiskale, të projeksioneve makroekonomike dhe parashikimeve buxhetore; rekomandimit për ngritjen e një Këshilli Fiskal në statusin e një institucioni publik të pavarur, rekomandimeve për trajtimin dhe parandalimin të borxheve të prapambetura si dhe marrjen e masave për reduktimin e nivelit të borxhit publik dhe sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të borxhit publik.