Bashkëpunimi i ndërmjet audituesve të jashtëm dhe të brendshëm në sektorin publik
11.10.2018
Në datat 9, 10 dhe 11 tetor 201 8 në Qendrën për Ekselencë në Financë, CEF e cila ndodhet në Ljubljanë, Slloveni u zhvillua workshopi me temë: “Bashkëpunimi i audituesve të brendshëm dhe të jashtëm në sektorin publik”. Kontrolli i Lartë i Shteti u përfaqësua në këtë event nga Artur Hasanbelliu, Eneida Seraj dhe Besmir Pajaj.
Ky aktivitet ofroi një platformë për shkëmbimin e ideve se si të rritet bashkëpunimi ndërmjet auditorëve të jashtëm që punojnë në Institucionet Supreme të Auditimit dhe auditorët e brendshëm të sektorit publik. Workshopi mblodhi së bashku drejtuesit e njësive të harmonizimit qendror, drejtuesit e departamenteve të auditimit të brendshëm, audituesit e brendshëm të Institucioneve të Auditimit.
Sipas modelit të Tre Linjave të Mbrojtjes, auditimi i brendshëm luan rolin e vijës së tretë, që do të thotë se ofron siguri për nivelin e lartë menaxherial dhe bordin drejtues mbi efektivitetin e procesit të menaxhimit, kontrollit dhe riskut të qeverisjes.
Auditimi i jashtëm nuk është pjesë e këtij modeli, ai është i vendosur jashtë organizatës dhe ka rol parësor për të shprehur mendimin mbi pasqyrat financiare. Megjithatë, bashkëpunimi ndërmjet auditorëve të brendshëm dhe të jashtëm është i dobishëm pasi që i jep nivelit të lartë menaxherial një pasqyrë më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse të risqeve dhe edhe pse objektivat e auditimit të brendshëm dhe të atij të jashtëm janë të ndryshme, ka fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në raportimin financiar.
Në këtë iniciativë gjithëpërfshirëse dhe praktike tre-ditore u diskutuan fushat dhe mundësitë për bashkëpunim midis dy formave të auditimit. Pjesëmarrësit diskutuan rolin dhe përgjegjësitë e të dyja formave, sqaruan bazat për bashkëpunim dhe identifikuan mënyrat e mundshme të bashkëpunimit. Një pjesë e këtij aktiviteti u fokusua gjithashtu në promovimin e rolit të audituesit.
Në workshop u shtruan për diskutim dhe zgjidhje raste praktike të vendeve pjesëmarrëse duke përdorur një qasje interaktive.
Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit kishin një kuptim më të mirë të parimeve, standardeve dhe udhëzimeve që drejtojnë punën e audituesve të brendshëm dhe të jashtëm, kishin një kuptim më të mirë të asaj që është baza për bashkëpunimin ndërmjet audituesve të brendshëm dhe atyre të jashtëm, identifikuan zonat ku mund dhe do të bashkëpunohet në të ardhmen. Ky trajnim ishte hartuar për menaxherët e njësive qendrore të harmonizimit në Ministrinë e Financës, drejtuesit e departamenteve të auditimit të brendshëm, audituesit njësive të auditimit të brendshëm në SAI si dhe audituesit e Institucioneve Supreme të Auditimit.
Lënda ishte shumë interaktive dhe pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Serbia, Hungaria, Maqedonia, Turqia dhe Sllovenia u inkurajuan të ndajnë pikëpamjet e tyre dhe përvojat profesionale. Vlen të përmendet se lektorë të këtij workshopi ishin: Joop Vrolijk, Eksperti i Pavarur, Tina Pomanfar, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Slloveni, Danijela Stepić, Drejtore e NJQH, Ministria e Financave, Kroacia, Jorg Kristijan Petrovič, Zëvendëskryetari i parë i Gjykatës së Auditimit, Sllovenia Dušan Sterle, Zyra e Mbikëqyrjes së Buxhetit (UNP), Sllovenia, Anja Bajcar, Auditori i Brendshëm, Zyra e Mbikëqyrjes së Buxhetit (UNP), Slloveni.