KLSH, pjesëmarrëse në takimin e EUROSAI-t mbi Metodologjinë e Auditimit.
23.10.2018
Në datat 16 dhe 17 Tetor 2018, u zhvillua në Varshavë, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, takimi i EUROSAI-t mbi metodologjinë e Auditimit. Në këtë takim të bashkëdrejtuar nga SAI Polak dhe SAI Suedez morën pjesë 57 përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga 30 vende. Pjesë e kësaj tryeze ishin dhe përfaqësues të EUROSAI-t, të Iniciativës Ndërkombëtare të Zhvillimit e INTOSAI-t (IDI), të Gjykatës Evropiane të Auditimit (ECA), etj.
Në fokus të takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe përditësimi i arritjeve lidhur me përsosjen e metodologjisë së auditimit dhe zbatimin në praktikë të komponentëve të saj nga institucionet supreme të auditimit publik.
Takimi dy ditor ishte konceptuar mbi tre kolona bazë, rreth të cilave u orientuan prezantimet apo seancat e punës në grupe, që përfshinin:
1. Sigurimi i cilësisë së auditimit nëpërmjet zbatimit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI.
Këtu u nënvizuan domosdoshmëria e njohjes dhe ndërveprimit të shtyllave të sigurimit të kontrollit të cilësisë (autoriteti, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria), mënyrat e eliminimit të gabimeve (vetëvlerësimet, vlerësimet e brendshme dhe rishikimet e vlerësimet e jashtme) dhe se sigurimi i cilësisë është një histori/proces që nuk përfundon kurrë...
2. Komunikimi me palët e interesit, përmes metodave moderne të prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit, të tilla si infografikët.
Në këtë panel u diskutua rreth temave: përse komunikojmë rezultatet e angazhimeve profesionale dhe si mund të ngushtohet hendeku midis audituesit dhe komunikimit të gjetjeve dhe rekomandimeve; përdorimi i rrjetave të komunikimit për të marrë më shumë fedd back mbi tema apo çështje që duhen audituar, etj.
3. Planifikimi dhe strategjia e auditimit duke përdorur analizën e riskut.
Me interes ishte diskursi mbi nevojat, iniciativat dhe sfidat e procesit të planifikimit vjetor dhe strategjik, auditimet paralele, teknikat e reja të planifikimit të aktiviteteve dhe proceset e strukturat e planifikimit, dhe si të përmirësojmë vlerësimin e risqeve nëpërmjet ndihmës së programeve dhe aplikimit të IT-së.
Takimi nga ana tjetër, konfirmoi rëndësinë e angazhimeve të auditimeve paralele, si zhvillim i elementeve të Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2023. Për këtë, u soll në vëmendje fakti se Iniciativa e Auditimit Paralel u krijua si një projekt i koordinuar nga SAI i Holandës gjatë takimit të 11 të grupit të punës ITWG në Pragë dhe se vendimi i marrë gjatë takimit të 12-të të ITWG në Talin shënoi kërkimin e zgjidhjes nga ana e IT-së, që të sigurojë paraqitjen e temave dhe do të ofrojë mekanizmat e përzgjedhjes mbi temat më të përshtatshme për auditimet e ardhshme paralele (duke pasur parasysh procesin e planifikimit nga vendet anëtare).
Konkluzionet e përgjithshme të këtij takimi krahas vlerësimit të rëndësisë dhe dobisë që sjellin takime të tilla për institucionet e larta kombëtare të auditimit, listuan disa aspekte dhe çështje që marrin rëndësi në stadin aktual të kooperimit dhe ndërveprimit midis SAI-ve, si:
• Ndarja e planeve vjetore të punës të SAI-ve është e rëndësishme nga pikëpamja e planifikimit paralel të auditimit;
• Zakonisht planifikimi në një perspektivë vjetore, e ngarkuar më tepër me parimin e konfidencialitetit, nuk është i favorshëm për shkëmbimin e njohurive. Kjo është arsyeja pse kemi nevojë për një zgjidhje të re. Në përfundim të takimit u propozua për një takim vjetor mbi planifikimin (për diskutim). Propozimi i një pyetësori drejtuar të gjitha SAI-ve me një listë të standardizuar të temave që janë të interesuara nga SAI (në një perspektivë për 1, 2 dhe 3 vjet) me pyetje shtesë rreth procesit të planifikimit vjetor.
• Të zhvillohet një mjet nga ana e IT-së që mund të testojë perspektivat e temave me interes në auditimet paralele.
Kontrolli i Lartë i Shtetit i përfaqësue në këtë takim nga audituesit Qeram Cibaku, Koço Sokoli dhe Orgest Levani.