Njoftime

Kryetari i KLSH-së zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci

12.11.2018

Në datat 8-9 nëntor, Kryetari i KLSH-së, Z.Bujar Leskaj zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Kroaci me ftesë të Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, z.Ivan Klesic, me rastin e përfundimit të mandatit 7 vjeçar të z.Leskaj në fund të këtij viti.
Takimi i mirëseardhjes u zhvillua në zyrat qendrore të SAI-t Kroat dhe më pas u zhvillua një takim i zgjeruar me drejtues dhe auditues të SAI-t të Kroacisë.

kroaci1

Auditori i Përgjithshëm  i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, z.Ivan Klesic bëri një prezantim lidhur me mënyrën e organizimit dhe të funksionit të SAI-t kroat. Kjo zyrë ka qendrën në Zagreb dhe ka 20 degë të shpërndara në rajonet kryesore të vendit. Departamentet e auditimit janë organizuar në funksion të subjekteve të audituara dhe llojeve të auditimit. Zyra drejtohet nga Auditori i Përgjithshëm, i cili zgjidhet nga Parlamenti i Kroacisë dhe propozohet nga komisioni për çështjet administrative, të zgjedhjeve dhe emërimeve.
Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë e zhvillon veprimtarinë e saj bazuar në ligjin për funksionimin e kësaj zyre dhe ka mandat për të audituar, të ardhurat dhe shpenzimet; pasqyrat financiare dhe transaksionet financiare; entitetet publike, kompanitë dhe personat legalë, në të cilët shteti ka shumicën e aksioneve; përdorimin e fondeve të BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare lidhur me përdorimin e këtyre fondeve për nevoja publike. Zoti Klesic vijoi prezantimin e tij me mënyrën e raportimit të SAI-t në parlament, politikat e burimeve njerëzore, të komunikimit dhe transparencës, etj.
Më pas Kryetari i KLSH-së zhvilloi një leksion me drejtues dhe auditues të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë. Zoti Leskaj pasi bëri një prezantim të shkurtër të KLSH-së dhe më pas mbështetur dhe në moton e Kongresit të IX-të të EUROSAI-t, të zhvilluar në Holandë : “Kur është hera e fundit që keni bërë diçka për herë të parë ? ”, përcolli përpara audituesve kroatë 10 risitë që janë implementuar për herë të parë në KLSH këto shtatë vitet e fundit :
1. Miratimi i Ligjit të Ri të KLSH-së në nëntor të vitit 2014, i cili e solli veprimtarinë e KLSH-së në përputhje me standartet e I NTOSAI-t;
2. Zhvillimin e auditimeve të Performancës, duke filluar nga viti 2012 (deri tani janë realizuar 80 auditime performance);
3. Zhvillimin e auditimeve të IT, duke filluar nga viti 2015 (deri tani janë realizuar 15 auditime IT);
4. Kallëzimet penale, të cilat nuk kanë qenë qëllim në vetvete për KLSH-në por i kanë shërbyer luftës kundër korrupsionit. Që nga viti 2012 deri tani, KLSH ka bërë 299 kallëzime penale, që do të thotë një kallëzim penal në javë;
5. Botimet e KLSH-së, të cilat deri në fund të vitit 2018 do të jenë 101(në shtatë vjet), ndërkohë që në 20 vjet KLSH ka pasur vetëm 12 publikime (1991-2011);
6. KLSH ka botuar një revistë kërkimore shkencore, në gjuhën shqipe dhe angleze, në shtatë vjet 20 numra të kësaj reviste;
7. Muaji i Hapur, i cili në kuadër të transparencës së aktivitetit të institucionit është zhvilluar për disa vite radhazi dhe ka pasur një impakt të gjerë në publik;
8. Gjashtë Konferencat shkencore të KLSH-së, e para është zhvilluar në vitin 2012 dhe e shtata do të zhvillohet në datat 12-13 dhjetor 2018;
9. Marrëveshjet e bashkëpunimit me institucionet homologe, Universitetet dhe veçanërisht me OJF-të (në total  57 marrëveshje, 30 nga të cilat me OJF-të);
10. Vendosja e stafit të KLSH-së në godinën e re dhe zhvillimi i aktivitetit auditues në kushte komode. 

kroaci2

Gjithashtu Kryetari i KLSH-së vlerësoi implementimin e projektit të binjakëzimit nga pala kroate dhe polake dhe u fokusua në komponentët dhe misionet e zhvilluara nga ekspertët kroatë, auditimet e performancës dhe kontrolli i cilësisë. Gjatë implementimit të projektit u realizuan 107 misione, 10 takime pune , mbi 100 drejtues dhe auditues morën pjesë në takime pune dhe në trajnime me ekspertët polakë dhe kroatë, etj.
Delegacioni zhvilloi edhe një vizitë në Bashkinë e qytetit të Vinodolit, në bibliotekën dhe në vendin e lindjes të piktorit Juraj Julije Kloviç (1498 - 5 janar 1578), i cili ishte një illuminator, miniaturist dhe piktor i lindur në Mbretërinë e Kroacisë, i cili ishte kryesisht aktiv në Italinë e Rilindjes. Ai konsiderohet si iluminatori më i madh i Rilindjes së Lartë Italiane, dhe me sa duket artisti i fundit shumë i njohur në traditën e gjatë të dorëshkrimit të ndriçuar, para disa risive moderne.

kroaci3

ryetari i Bashkisë së Vinodolit, z. Marinko Karliç i rezervoi delegacionit të KLSH-së një pritje shumë të përzemërt dhe e nderoi Kryetarin e KLSH-së me titullin “Qytetar nderi”  i Vinodolit, përmes një ceremonie të mirë-organizuar, me shumë të ftuar, duke përcjellë shumë emocione pozitive. Në ceremoni ishin ftuar edhe instrumentistë dhe grupe folklorike të zonës.

kroaci4

Biblioteka e vjetër në qendër të ishullit të Krk ishte shumë interesante dhe me libra që i kanë rezistuar kohës edhe gjatë luftërave (veçanërisht gjatë luftës së dytë botërore), falë përkushtimit të banorëve të qytezës. Biblioteka kishte në fondin e saj 10 000 libra të zhanreve të ndryshme që nga viti 1898.

kroaci5

Kryetari i KLSH-së shoqërohej në këtë vizitë nga z.Rinald Muça, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës, zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë dhe zj.Amantja Patozi, specialiste pranë kësaj Drejtorie.
Vizita e arriti qëllimin e saj dhe kaloi në një atmosferë shumë miqësore.