KLSH merr pjesë në tryezën e rrumbullakët ndër-institucionale organizuar nga USAID
16.11.2018
Në kuadër të implementimit të projektit “Transparenca në sistemin shëndetësor” financuar nga USAID, në datën 14 nëntor 2018 u organizua në Tiranë një tryezë e rrumbullakët me temë “Fuqizimi i transparencës institucionale dhe angazhimit qytetar për përmirësimin e cilësisë në sistemin shëndetësor-sfida dhe mundësi bashkëpunimi”.
Në këtë takim morën pjesë drejtues të tre institucioneve që janë pjesë e këtij projekti : KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe medias. Gjatë takimit u diskutua rreth angazhimit qytetar në rritjen e transparencës dhe cilësisë në sistemin shëndetësor.
Fjalën e rastit në këtë tryezë e mbajti zj.Mikaela Meredith, Drejtoreshë e USAID për Shqipërinë. Zonja Meredith ritheksoi faktin që projekti ka për qëllim krijimin e një mjedisi më të përgjegjshëm për përdorimin e parave publike duke forcuar institucionet mbikëqyrëse si KLSH, Avokati i Popullit dhe ILDKPKI dhe duke rritur bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe median.
Asistenca teknike që USAID po i ofron KLSH-së konsiston në përmirësimin e auditimeve të performancës në sektorin e shëndetësisë, rritjen e aksesit të qytetareve tek informacioni, futjen e disa zgjidhjeve teknologjike për sistemin e ankesave, përdorimin e të dhënave të hapura dhe treguesve të alarmit-red flags për fusha të prirura për korrupsion, etj.
Më pas e mori fjalën Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, i cili theksoi që realizimi i kësaj tryeze të rrumbullakët nuk përbën thjesht një aktivitet të radhës, por përfaqëson një moment të rëndësishëm të paraqitjes së instrumenteve që janë projektuar dhe që kanë filluar të aplikohen nga institucioni, me synimin e rritjes së transparencës tek shoqëria civile dhe tek publiku i gjerë, por jo vetëm. Përfitimi nga përdorimi i teknologjisë së informacionit, për të identifikuar transaksionet me risk më të lartë potencial në procedurat e prokurimit publik ndikon në rritjen e efiçiencës dhe impaktit të aktivitetit auditues të KLSH-së.
Kryetari i KLSH e cilësoi kontributin e dhënë ndër vite nga USAID-i në Shqipëri si” ...unikal dhe të rëndësishëm për fuqizimin e institucioneve të pavarura të Shtetit Shqiptar, ndërtimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale të administratës sonë publike, fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile, zhvillimin e sektorit privat, reformën zgjedhore, reformën administrative e territoriale dhe së fundmi dhe kryesoren, reformën në drejtësi”.
“E kemi mirëpritur Projektin-vijoi z.Leskaj-duke e mbështetur dhe jemi përpjekur të bashkëveprojmë për të realizuar çdo produkt të tij, pasi ai vinte në momentin e duhur të procesit të modernizimit institucional të KLSH-së dhe sinergjizohej plotësisht me disa nisma të tjera të transparencës së informacionit për publikun e gjerë që institucioni kishte ndërmarrë. Për më tepër, sektori i cili ishte në fokus të projektit përbën një sektor me rëndësi për jetën e qytetarit shqiptar.
Pas pak më shumë se një viti nga data e nënshkrimit me USAID-in të Memorandumit të Mirëkuptimit, më 3 Tetor 2017, për projektin “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” dhe në paralel me nisjen e implementimit në KLSH të informatizimit të plotë të drejtimit menaxherial për auditimet, nëpërmjet sistemit të teknologjisë bashkëkohore “REV-Zone” të komunikimit elektronik dhe shpërndarjes së informacionit dhe detyrave(investim i vetë institucionit) për realizimin e auditimeve, nënvizojmë mbështetjen efektive, dobinë, vlerën e shtuar dhe perspektivën për aktivitetin tonë auditues të produkteve që projekti na ka vënë në dispozicion, në formën e katër instrumentave të rinj të teknologjisë së informacionit, si më poshtë *:
1. Instrumenti sinjalizues “Famuj të Kuq” Red flags
2. Trajtimi dixhital i Ankesave të qytetarëve
3. Instrumenti për publikimin e raporteve në formatin “Open Data”
4. Instrumenti “Data Mining”
Zoti Leskaj, pasi bëri një prezantim të shkurtër të çdo instrumenti dhe në përfundim të fjalës së tij theksoi : Qeveria e SHBA-ve dhe institucioni zbatues i parave të taksapaguesve amerikanë për asistencë dhe zhvillim, USAID-i janë të investuar fuqishëm në të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo e ardhme mund të realizohet me sukses vetëm nëpërmjet zbatimit të reformës në drejtësi dhe reformimit rrënjësor të administratës publike. Si reforma në drejtësi dhe reforma e thellë në administratën publike janë dy anë të së njëjtës gjë, të ndërtimit të Shtetit të së Drejtës në Shqipëri. Në shërbim të thellimit të llogaridhënies së administratorëve publikë, gjatë këtyre viteve kemi rekomanduar me forcë përgatitjen dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik dhe do të vijojmë ta kërkojmë edhe në të ardhmen.
Zonja Erinda Ballanca, Avokate e Populli, e cila mori fjalën më pas u fokusua në rezultatet e projektit në këtë institucion, veçanërisht në drejtim të marrjes, administrimit dhe zgjidhjes së ankesave të qytetarëve rreth kujdesit Shëndetësor.
Në emër të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit bëri një përmbledhje të rezultateve të Projektit, z. Flori Karaj, i cili u përqendrua në plotësimin on-line të Deklaratave të deklarimit të pasurive të zyrtarëve shqiptarë, duke e cilësuar si një produkt shumë dobiprurës të këtij projekti.
Në fund të takimit me shumë interes ishin edhe rezultatet e arritura nga disa OJF dhe përfaqësues të mediave, të cilat kishin përfituar grante të vogla për këtë projekt si :
• Qendra shqiptare për rehabilitimin nga trauma dhe tortura;
• Partnerët në Shqipëri për zhvillim dhe ndryshim;
• Together for Life;
• Instituti Shqiptar i shkencës;
• BIRN Albania, përfaqësuesi i së cilës theksoi që KLSH ka pasur rritje në cilësinë e auditimeve gjatë viteve të fundit dhe gazetarët e BIRN janë mbështetur në auditimet e KLSH-së në fushën e shëndetësisë për realizimin me sukses dhe me profesionalizëm të shkrimeve të tyre investigative.
Gjatë takimit, të tre institucionet paraqitën arritjet dhe sfidat e tyre kryesore në rritjen e transparencës institucionale dhe angazhimit qytetar, si një kusht për luftë efikase ndaj korrupsionit me fokus në sektorin shëndetësor. Ndërkaq, takimi shërbeu si një platformë për dialog me organizatat e shoqërisë civile dhe median sesi të forcohet zbatimi i parimeve të mirëqeverisjes, të rritet transparenca dhe të mbrohen fondet dhe asetet publike nga abuzimi.