KLSH promovon librin “Përjetësia e dyfishtë” të autorit Bedri Islami
23.11.2018
Në datën 19 nëntor në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në sallën “Lech Kaczynski”, u promovua libri “Përjetësia e dyfishtë”, me autor Bedri Islamin, që i kushtohet dy heronjve të luftës së Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci.
Në këtë aktivitet morën pjesë përveç autorit dhe audituesve të KLSH-së, i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z.Syl Ukshini, Kryetari i Komunës së Drenasit z.Ramiz Lladrovci, z.Namik Dokle, z.Dilaver Goxhaj, z.Ismet Sulejmani, poeti Xhevahir Spahiu, shkrimtari Sulejman Mato, z.Ago Nezha, aktorët Bujar Asqeriu e Mirush Kabashi, etj.
Aktivitetin e hapi Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, i cili nënvizoi faktin që ishte një nder i veçantë për institucionin organizimi i promovimit të librit “Përjetësia e dyfishtë”, me autor Bedri Islamin, që i kushtohet dy heronjve të luftës së Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci, dy intelektualëve, të cilët morën pjesë në dy luftëra, pra dy herë luftuan me armë në dorë kundër Serbisë pushtuese, herën e parë në Kroaci, herën e dytë në Atdheun e tyre në Kosovë dhe kaluan në përjetësi.
Në vitin 1997, Fehmi Lladrovci ka dhënë një intervistë për BBC, në të cilën u shfaq në ekran me zë e me figurë, duke dalë me kurajo në mbështetje të plotë të UÇK-së.
Po në këtë vit, Fehmi Lladrovci organizoi në Bon të Gjermanisë një tubim, nëpërmjet të cilit i dha jehonë dhe gjeti mbështetje nga shumë vende europiane për luftën në Kosovë. Në këtë aktivitet, tingëlluan fuqishëm fjalët e tij “Nuk kemi asnjë shans tjetër për të qenë të lirë, veçse të bashkohemi me UÇK!”.
Në fjalën e tij, z. Ismet Sulejmani, anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), theksoi që 22 shtatori i vitit 2018 shënoi 20 vjetorin e rënies heroike të veprimtarit të madh kombëtar, ilegalit me konspiracion të çeliktë, organizatorit e udhëheqësit të shkëlqyer të lëvizjes kombëtare politike klandestine në Kosovë, Kryetarit të LPK-së në Gjermani, gjeneralit legjendar të UÇK-së e të popullit shqiptar, komandantit historik të Drenicës, heroit të kombit, të lavdishmit Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes e bashkëluftëtares së tij heroinë Xhevës.
Heroi i kombit Fehmi Lladrovci është emblemë lavdimadhe e figurës së shqiptarit inteligjent, të panënshtruar, i aftë dhe i vendosur për të drejtuar popullin në luftë për liri kundër Serbisë pushtuese.
Fehmiu e Xheva i kanë tejkaluar të gjitha figurat e mëdha të luftëtarëve të çlirimit të Atdheut.
Fehmiu e Xheva kudo që ishin, veprimtarinë patriotike për çlirimin e Kosovës, jo vetëm nuk e ndalën e nuk e ulën, por e rritën dhe e pasuruan me gjithçka, edhe luftën e armatosur kundër Serbisë pushtuese e bënë edhe në Kroaci, ndërkohë që përgatitjet për të filluar lufta e armatosur çlirimtare në Kosovë i kishin të pandërprera.
I ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, z. Syl Ukshini, mori fjalën dhe e cilësoi autorin e librit, z.Bedri Islami si kronistin më të mirë të UÇK dhe në këtë vepër shkruhet e vërteta për UÇK, si organizimi politiko-ushtarak më i mirë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Shkrimtari Sulejman Mato, veçoi dicka nga jeta personale e të dy heronjve Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci, dashurinë e tyre të madhe për njëri tjetrin, luftuan së bashku dhe vdiqën së bashku. Kjo vepër është një roman i vërtetë dhe mund të shërbejë pa dyshim si zanafilllë e një filmi artistik.
Zoti Dilaver Goxhaj, Zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK në fjalën e tij mbi Monografinë ‘’Përjetësia e Dyfishtë’’, e cilësoi si veprën më të mirë të derisotme, pa hezitim me këtë gjini, z.Bedri Islami renditet ndër shkrimtarët më profesionistë europianë të monografive. Përmes monografive të tij, z.Bedri Islami me sa duket i ka vënë vetes qëllim të paraqesë rolin historik të disa figurave të shquara të asaj lufte dhe rolin udhëheqës të LPK-së në luftën për çlirimin e Kosovës.
Monografia për Fehmi Lladrovcin dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci, ’’Përjetësia e Dyfishtë”, nuk është thjeshtë një monografi, por një vepër letrare me temë jo vetëm politike por edhe historike.
Lidhjet personale të Fehmi Lladrovicit me Xheva Krasniqin, të dy bij familjesh të thjeshta por me traditë shumë të hershme patriotike i kanë shërbyer Bedri Islamit për të provuar se trashëgimia familjare vështirë se deformohet, ajo ngrihet e lartësohet më tej nga pasardhësit e tyre.
Takimin e përmbylli autori i veprës, z. Bedri Islami, i cili ka qenë edhe Kryetar i LPK. Ndër të tjera autori theksoi që dy heronjtë e Kosovës janë nderuar në Shqipëri me titullin “Nderi i Kombit”.
Luftës së Kosovës iu bashkuan 7000 të rinj dhe të reja që banonin në vendet e Europës për të dhënë kontributin e tyre për Pavarësinë e Kosovës.
Z.Islami iu referua edhe shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, të cilët me veprat e tyre frymëzuan luftëtarët e UÇK si Mirush Kabashi, Xhevahir Spahiu, Bujar Asqeriu, Reshat Arbana, etj.
Në Kosovë Lëvizja për çlirimin e Kosovës nuk erdhi nga lart si shiu por nga poshtë si burim i pastër. Një rol të rëndësishëm në këtë luftë kanë luajtur dhe luftëtarët nga Shqipëria.
Letërkëmbimi mes dy bashkëshortëve Lladrovci është monumental dhe unë kam pasur fatin më të madh-përfundoi z.Islami- që i kam njohur këta heronj-legjendë dhe më kanë bërë mik shtëpia.
Takimi u ndoq me shumë interes dhe me emocion. Në fund të aktivitetit Grupi “Çipini” këndoi një këngë shumë të ndjerë e me shumë poezi brenda, kushtuar dy heronjve legjendarë të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe Xheva Krasniqi-Lladrovci.