Njoftime

KLSH merr pjesë në Workshop-in me temë “Rregullat Fiskale dhe Institucionet e Pavarura Fiskale-Mundësitë për të siguruar qëndrueshmëri fiskale”

21.03.2019

Në datën  6 Mars 2019, u zhvillua në Vjenë të Austrisë një Workshop me temë “Rregullat  Fiskale dhe Institucionet e Pavarura Fiskale – Mundësitë për të siguruar qëndrueshmëri fiskale”.

Tryeza, mblodhi rreth 55 pjesëmarrës duke përfshirë dhe zyrtarë të lartë të politikave fiskale nga vendet e Ballkanit perëndimor si ministra, zëvendësministra, drejtorë të përgjithshëm të buxhetit, përfaqësues të SAI-ve dhe anëtarë të Institucioneve të pavarura fiskale (Këshillat fiskalë). Gjithashtu në këtë tryeze morën pjesë dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Këshillit Fiskal Evropian, EBRD dhe EUROSTAT. Në këtë workshop, mori pjesë dhe zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë z. Erjon Luçi dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit  morën pjesë z. Azmi Stringa, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit dhe znj. Valbona Gaxha, Kryeaudituese pranë të njëjtit departament.

Workshop-in e përshëndeti Linda Van Gelder, Drejtor Rajonal i Bankës Botërore për Ballkanin perëndimor. Objektivi i workshop-it ishte shkëmbimi i eksperiencave, njohurive për një qasje praktike në dizenjimin e rregullave fiskale dhe fuqizimi i rolit të tyre mbështetës në praktikat e menaxhimit financiar publik. Gjithashtu u diskutuan sfidat operacionale në themelimin e këtyre strukturave të pavarura dhe sfida për ruajtjen e pavarësisë së tyre.