KLSH merr pjesë në kremtimin e 20 vjetorit të krijimit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut
02.04.2019
Në datën 29 Mars 2019 në Shkup të Maqedonisë u kremtua 20 vjetori i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga SAI-t e rajonit e më gjerë, si : Kosova, Mali i Zi, Bullgaria, Serbia, Gjermania, Rumania, Polonia, Turqia, Kroacia, etj. Morën pjesë deputetë të parlamentit të Maqedonisë, si edhe Zv/Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z.Goran Misovski, përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, etj. KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga zj.Lindita Milo, Zv/Kryetare e KLSH-së dhe zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë.
Takimin e përshëndeti fillimisht Zv/Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, z.Goran Misovski, i cili uroi audituesit për këtë përvjetor të rëndësishëm. Zoti Misovski vlerësoi shumë bashkëpunimin e mirë që ka pasur mes Kuvendit dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit. Ndryshimet e fundit që u bënë në Ligjin për funksionimin e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut kishin për qëllim përafrimin e këtij legjislacioni me atë të vendeve të Bashkimit Europian. Zyra Shtetërore e Auditimit ka auditues profesionistë, të pavarur dhe punon që të jetë gardian i qytetarëve për ruajtjen e parasë publike.
Zv/Kryetari i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, z.Naser Ademi bëri bilancin e punës 20 vjeçare të këtij institucioni, duke theksuar se rezultatet e mira të punës janë arritur me gërshetimin e punës së të gjithë brezave të audituesve. Zyra Shtetërore e Auditimit ka sot rol parësor-nënvizoi z.Ademi- në sistemin e kontrollit financiar për shpenzimin me përgjegjësi të fondeve publike në Maqedoninë e Veriut. Zoti Ademi evidentoi gjithashtu sfidat e institucionit në të ardhmen, të cilat janë të vendosura në Strategjinë e Zhvillimit të kësaj Zyre për periudhën 2018-2022. Zyra Shtetërore e Auditimit duke u mbështetur në resurset njerëzore dhe strategjinë për IT, do të orientohet drejt forcimit të pavarësisë dhe integritetit të institucionit, ngritjes profesionale të audituesve dhe përmirësimit të cilësisë së punës audituese.
Më pas e mori fjalën Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive (TCA), z.Seit Ahmet Bas, i cili solli urimet më të mira për përvjetorin e 20-të të SAI-t të Maqedonisë së Veriut dhe përcolli gjithashtu mënyrën e funksionimit të TCA dhe marrëdhëniet e saj me Parlamentin.
Aktualisht Zyra Shtetërore e Auditimit të Maqedonisë së Veriut është duke implementuar me SAI-n Bullgar dhe Kroat një projekt Binjakëzimi, që i dedikohet marrëdhënieve të SAI-t me Parlamentin, auditimit të Prokurimeve Publike, auditimit të Performancës, etj. Pikërisht këtij projekti iu referua gjatë fjalës së tij Presidenti i SAI-t Bullgar, z.Tzvetan Tzvetkov, duke vlerësuar këtë bashkëpunimin dhe ekspertizën e audituesve maqedonas.
Aktivitetin e përshëndetën edhe z. Freek Janmaat, nga Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut, z. Besnik Osmani, Auditues i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, zj. Nedilkja Rogosic, Asistente e Auditorit të Përgjithshëm të Kroacisë, etj.
Diskutime dhe pyetje pati edhe pas fjalës së zj.Liljana Kuzmanovska, Kryetare e Komisionit të Financave dhe Buxhetit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.
Në fund aktivitetin e përshëndeti Presidenti i Gjykatës Europiane të Audituesve, z.Klaus-Heiner Lehne, i cili pasi uroi të pranishmit për 20 vjetorin, u përqendrua tek rëndësia e pavarësisë së SAI-ve, por njëkohësisht evidentoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha palët e interesit, në mënyrë që të kemi rezultate pozitive në punën tonë si auditues të jashtëm publikë.
Aktiviteti u mbyll me një vizitë në qytetin historik të Ohrit.