Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin XIII të Grupit të Punës të EUROSAI-t për Sistemet e Informacionit (ITWG).

08.04.2019

Takimi i XIII-të i Grupit të Punës për Sistemet e Informacionit (ITWG) të Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit të EUROSAI-t u mbajt nga data 3 deri më 5 Prill 2019 në Floriana të Maltës. Ky takim u organizua nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Maltës dhe në të morën pjesë: 69 pjesëmarrës nga 31 Institucione Kombëtare të Auditimit si dhe përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Auditimit (ECA) dhe Zyra e Auditimit e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (GAO).

it audit malta

Në fjalën e tij të hapjes, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Maltës, z. Charles Deguara, në rolin e organizatorit të takimit, paraqiti një pasqyrë të shkurtër të punës së ndërmarrë nga njësia e Auditimit të TI-së në institucionin e Maltës dhe rolin e standardeve ISSAI në përgjithësi e ISSAI 5300 në veçanti, në ofrimin e kornizës gjithë përfshirëse për kryerjen e auditimeve të TI-së, dhe bashkëpunim e këtij lloj auditimi me auditimet e Performancës, Financiare dhe te Përputhshmërisë.

Takimin e përshëndeti z. Krzysztof Kwiatkowski, Kryetar i Zyrës Supreme të Kontrollit të Polonisë i cili falënderoi organizatorët për pritjen e këtij takimi dhe shprehu vlerësimin për arritjet e ITWG nën drejtimin e SAI-t Polak në ndjekjen e sfidave të realitetit teknologjik, duke veçuar ndër të tjera progresin e punës në:
- Portalin e CUBE (Hapësira e Auditimit të E-Qeverisjes).
- Manualin Aktiv të Auditimit TI.

Në takim ishte i pranishëm Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Estonisë, z. Janar Holm, në rolin e vendit që do të marrë përsipër kryesimin e këtij grupi. Në fjalën e tij ai falënderoi Zyrën Kombëtare e Revizionit Maltez për organizimin e shkëlqyer dhe mikpritjen, si dhe përcolli vlerësimet për arritjet e grupit nën drejtimin e SAI-t Polak.

 

Pjesëmarrësit e shfrytëzuan këtë takim për shkëmbimin e përvojave në sigurinë kibernetike, metodat e reja të analizës së të dhënave, projektin mbi versionin web të manualit aktiv për Auditimin e TI, portalin ndërkombëtar për shkëmbimin e njohurive rreth raporteve, konceptin e një platforme për bashkëpunim në kuadër të auditimeve paralele ndërmjet SAI-ve të veçanta si dhe pikat kryesore të ISSAI 5800 mbi zhvillimin e auditimeve të përbashkëta. 

Në takim u vlerësua përdorimi i mjeteve moderne të TI-së, analizës së të dhënave dhe risqeve në shërbim të planifikimit më të mirë të Auditimeve dhe ekzekutimin më efikas të tyre, një rishikim metodologjisë të projektit të vetëvlerësimit të TI (ITSA) dhe auditimit TI (ITASA) të kryesuar nga SAI i Zvicrës si dhe u njohën me statusin e aktiviteteve të zhvilluara në SAI-et e Francës, ECA dhe Maqedonisë së Veriut. 

Takimi shërbeu gjithashtu për të shkëmbyer përvojat me qëllim të zhvillimit të drejtimeve të reja të aktiviteteve të grupit me objektiv gjetjen e përgjigjeve për sfidat ambicioze në fushën e IT-së, me të cilën aktualisht përballet Auditimi si metodat e reja të analizës së të dhënave  në kushtet e përballjes me dukurinë gjithnjë e më intensive të mbingarkesës së informacionit, sigurisë kibernetike etj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit z. Kozma Kondakçiu dhe Përgjegjësi i Sektorit në Drejtorinë e Logjistikës dhe Teknologjisë së Informacionit z. Aldo Kita.