Zv/Kryetarja e KLSH-së zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci
27.05.2019
Në datë 24 maj 2019 zv/Kryetarja e KLSH-së, Znj.Lindita Lati Milo zhvilloi një takim dypalësh në Kroaci me ftesë të Auditorit të Përgjithshëm të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, z.Ivan Klesic.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në parim i bashkëpunimit ndrinstitucional në auditimet paralele të performancës mbi ndotjen e detit. Kjo tematikë është me interes të përbashkët publik jo vetëm për Kroacinë dhe Shqipërinë por edhe për institucionet e auditimit të jashtëm publik të Malit të Zi dhe Sllovenisë, të cilat kanë shprehur interesin për t’u bashkuar në këtë auditim paralel, duke bashkërenduar punën audituese në një boshtë të njëjtë metodologjik auditues në përmbushje të standardeve ndërkombëtare për auditimet e performancës.
Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë e zhvillon veprimtarinë e saj bazuar në ligjin për funksionimin e kësaj zyre dhe ka mandat për të audituar, të ardhurat dhe shpenzimet; pasqyrat financiare dhe transaksionet financiare; entitetet publike, kompanitë dhe personat legalë, në të cilët shteti ka shumicën e aksioneve; përdorimin e fondeve të BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare lidhur me përdorimin e këtyre fondeve për nevoja publike.
Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë, z. Ivan Klesic bëri një prezantim lidhur me mënyrën e organizimit dhe të funksionit të SAI-t kroat. Kjo zyrë ka qendrën në Zagreb dhe ka 20 degë të shpërndara në rajonet kryesore të vendit. Departamentet e auditimit janë organizuar në funksion të subjekteve të audituara dhe llojeve të auditimit. Zyra drejtohet nga Auditori i Përgjithshëm, i cili zgjidhet nga Parlamenti i Kroacisë dhe propozohet nga komisioni për çështjet administrative, të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në dhjetor të vitit të kaluar zoti Klesic ka marrë dhe një mandat të dytë 8-vjeçar në drejtimin e kësaj zyre.
Zoti Klesic vijoi prezantimin e tij me mënyrën e raportimit të SAI-t në parlament, politikat e burimeve njerëzore, të komunikimit dhe transparencës. Gjatë fjalës së tij ai beri dhe një prezantim të risive që ka sjell miratimi i Ligjit të ri, për të cilat u tregua një interes i veçantë nga përfaqësuesit e KLSH, pasi përbënin instrumentat e forcimit të pavarësisë financiare dhe konsolidimin profesional të institucionit të auditimit.
Znj. Lati, në prezantimin e saj, solli në vëmendje zhvillimet e fundit në aktivitetin e KLSH-së në zbatim të Strategjisë së re të Zhvillimit, 2018-2022. Prezantimi u fokusua në zhvilimet metodologjike si dhe në instrumentat qëpërdoren për rritjen e transparencës dhe komunikimin me palët e interesit dhe me publikun. Kolegët ndanë këndvështrimet mbi problematikat që përbëjnë sfidat e vazhdueshme të institucioneve supreme të auditimit, duke konverguar në faktin se duhet të rritet cilësia duke ulur numrin e auditimeve dhe duke rritur numrin e entiteteve subjekt auditimi nëpërmjet rritjes së auditimeve të performancës.
Zv/ Kryetarja e KLSH shoqërohej në këtë vizitë nga zj.Amantja Patozi, specialiste në Drejtorinë e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë.