KLSH pjesë në konferencën Young EUROSAI në Londër
14.11.2019
Në bazë të suksesit të Konferencës së parë të Young EUROSAI të zhvilluar në Roterdam në nëntor të vitit 2013, audituesit e rinj në mbarë Europën iniciuan një praktikë të vazhdueshme të shkëmbimit të eksperiencave me njëri-tjetrin. Vizioni ishte që të organizohej një Konferencë që i jep përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit (rreth 35 vjeç e poshtë) mundësinë për të shkëmbyer ide dhe zgjidhje të reja për sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit, sot dhe në të ardhmen.
Për vitin 2019 Konferenca Young EUROSAI u zhvillua në Londër në datat 5-8 Nëntor. Tema e përzgjedhur për këtë vit ishte “Relevanca”. Arsyeja e zgjedhjes së kësaj teme nga organizatorët lidhet me kushtet në të cilat veprojnë Institucionet Supreme të Auditimit.
Sot karakterizohemi nga rrjedhja e shpejtë e informacionit, ndërkohë që kushtet teknologjike, sociale dhe politike janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe automatikisht edhe SAI-t duhet t’i përshtaten këtyre ndryshimeve.
KLSH u përfaqësua nga Z.Azmi Stringa, Drejtor Departamenti, Znj.Eriola Hoxha, Audituese dhe Znj.Erjola Meçaj, Audituese.
Gjatë Konferencës, audituesit pjesëmarrës së bashku me Organizatorët eksploruan sfidat që SAI-t përballen sot duke ndarë praktika, projekte dhe inovacione për zgjidhjet kryesore të secilit Institucion në mënyrë që të vazhdojnë të mbeten relevante.
Në ditën e parë të Konferencës, datë 5 Nëntor, të ftuarit në panel ishin:
-Lord Bichard KCB, i cili pas fjalës përshendetëse në Konferencë ndau disa njohuri duke e vënë theksin në rëndësinë që secili SAI duhet të ketë për të marr parasysh ndryshimet në shoqëri gjatë punës audituese.
-Meg Hillier, foli për rolin kritik të Parlamentit në Mbretërinë e Bashkuar që nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm se në këto kohë sfidash për ecurinë politike dhe ekonomike.
-David Hencke paraqiti një tablo interesante të ndryshimeve më të fundit, vecanërisht të NAO.
-Gareth Davies ndau perspektivën e tij unike si Kontrollues dhe Auditor i Përgjithshëm i sapoemëruar mbi sfidat e ardhshme në fushën e auditimit.
-Nik Kirby foli për rëndësinë e besimit të publikut, demokracisë dhe kuptimin e zyrtarit publik me integritet.
-Presidenti Seyit Ahmed Baş, Kryetar i Gjykatës së Llogarive të Turqisë i cili gjithashtu mban dhe pozicionin e drejtuesit të EUROSAI-t, ndau sfidat e përbashkëta për SAI-t dhe theksoi qëndrimin e duhur për çështjet në zhvillim në matjen e cilësisë së auditimit.
Në ditën e dytë të Konferencës, datë 6 Nëntor, audituesit pjesëmarrës u ndanë në grupe për të punuar në Workshop-e sipas temave të përzgjedhura që gjatë fazës së regjistrimit si pjesëmarrës në Konferencë.
Përfaqësuesit e KLSH ishin pjesëmarrës në Workshop-et e mëposhtme:
Workshop: Ndikimi i SAI-ve, si mund të bëhemi ndikues?
Lituania dhe Izraeli drejtuan këtë seancë ku hulumtuan mënyrat për të ndihmuar në rritjen dhe shpërndarjen e informacionit si dhe përcaktimin e identitetit dhe vlerave të SAI-ve, duke përshtatur mesazhe për grupe të ndryshme të interesit.
Ata gjithashtu sugjeruan përdorimin e grafikëve dhe zhvillimin e raporteve më të shkurtër.
Workshop: Si munden SAI-t të qëndrojnë relevante me ndryshimet e legjislacionit?
Përfaqësuesit e Kroacisë ndanë njohuri të tilla si ata auditojnë financiarisht partitë politike dhe ndajnë gjetjet sipas vlerave të tyre në raport me paratë dhe me Parlamentin.
Workshop: Inovacionet në auditimet e partive politike
Spanja solli si inovacion sistemin e auditimit të partive politike si një proces solid për mbledhjen e të dhënave.
Workshop - Liberalizimi i parimeve të auditimit
Ky workshop u prezantua nga Bjellorusia ku ata shpjeguan parimet e tyre të auditimit dhe se si përfshijnë organizatat publike dhe private. Një nga zgjidhjet e prezantuara ishte dhënia e mundësisë organeve të audituara për përmirësim përpara penalizimit.
KLSH u përfaqësua duke prezantuar dhe drejtuar Workshop-in me temë “Rëndësia e auditimit të BIG DATA (të dhënave të mëdha)” e cila u prezantua nga Drejtor i Departamentit Z.Stringa.
Prezantimi përmbante:
-Një prezantim i përgjithshëm i SAI-t të Shqipërisë
-Auditimi dhe raportimi për Ekzekutimin e Buxhetit të Shtetit
-Përmbledhje e Ekonomisë dhe Buxhetit të Shtetit Shqiptar
-Çështjet kryesore në Ekzekutimin e Buxhetit të Shtetit
-Roli i Big Data në auditimet e KLSH, ku u prezantuan 3 raste studimore:
-Përdorimi i Big Data në auditimin e Ekzekutimit të Buxhetit të Shtetit
-Përdorimi i Big Data në auditimin e Procedurave të Prokurimit
-Përdorimi i Big Data në auditimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Z.Stringa me rastet praktike tregoi për përfaqësuesit e SAI-ve pjesëmarrës në këtë workshop se si auditimi i mbështetur në analitikën e të dhënave, po ndryshon mentalitetin dhe metodologjinë tradicionale të auditimit duke identifikuar zonat me risk të lartë në mënyrë që të mbyllen boshllëqet për abuzim dhe si u përdorën me sukses Big Data-t për të audituar Buxhetin e Shtetit, pa të cilat do të ishte e pamundur arritja e auditimeve të suksesshme dhe analiza e veprimtarisë mashtruese si një mënyrë thelbësore për të siguruar që auditimi mbetet efektiv. U theksua nevoja e trajnimeve të vazhdueshme, trajnime të cilat KLSH u ka kushtuar një vëmendje të vecantë për të siguruar rritjen e kapaciteteve audituese dhe aftësisë së njerëzve për të përdorur këto të dhëna.
Përdorimi i të dhënave të mëdha në auditimin e Buxhetit të Shtetit ka provuar të ketë vlerë të shtuar nisur nga rezultatet e arrira dhe aktualisht KLSH është duke punuar në zgjerimin e përdorimit të dhënave të mëdha në fushat e tjera të auditimit.
Në ditën e tretë dhe të fundit të Konferencës pyetjet e ngritura gjatë zhvillimit të workshop-eve morën përgjigje dhe Audituesit e SAI-t u bënë më të qartë në lidhje me misionin e tyre për të përballuar sfidat e së ardhmes.
Nëpërmjet “brain storming” në këtë Konferencë u identifikuan sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen sot Institucionet Supreme të Auditimit si dhe zgjidhjet ndaj tyre:
1. Si mund Institucionet Supreme të Auditimit të qëndrojnë të rëndësishme për audiencën e tyre?
SAI-t duhet të marrin në konsideratë se kush është audienca e tyre dhe cilat janë karakteristikat unike të një Institucioni Suprem Auditimi që e bëjnë atë të rëndësishëm. Hipoteza jonë fillestare na ka shtyrë të përcaktojmë audiencën tonë: qeverinë, median dhe publikun. Karakteristikat unike të një Institucioni Suprem të Auditimit janë se ai është i pavarur, transparent dhe i besueshëm.
2. Si mund të sigurojnë Institucionet Supreme të Auditimit pavarësinë e tyre nga presionet e publikut, mediave dhe qeverisë?
Liria për të dhënë gjykime të balancuara dhe të pavarura të auditimit është ajo që e bën rolin e Institucionit Suprem të Auditimit kaq të veçantë. Në kohët tona moderne, nevoja për një vlerësues të drejtë, të ekuilibruar dhe të pavarur bëhet gjithnjë e më thelbësore. Që gjykimet e auditimit të jenë relevante, të besueshme dhe efektive, ato duhet të jenë të lira nga ndikimi i jashtëm.
3. Si mund të sigurojnë Institucionet Supreme të Auditimit që puna e tyre të besohet në vazhdimësi nga publiku, media dhe qeveria?
Debati rreth 'lajmeve të rreme' ka sjellë një rritje të mosbesimit ndaj burimeve të informacionit dikur shumë të besueshëm. Institucionet e larta të auditimit mund të mos jenë imune nga ky mosbesim në rritje dhe është e rëndësishme të eksplorohet ajo që duhet të bëjmë për të siguruar që të vazhdojmë të jemi Institucion i besuar nga publiku.
4. Si mund të vazhdojnë të vlerësohen Institucionet Supreme të Auditimit si të besueshme?
Rëndësia e Institucionit më të lartë të auditimit është fort e lidhur me besueshmërinë e tij si një Institucion. Pavarësia dhe transparenca e diskutuar më lart, padiskutim që sjellin të dyja besueshmërinë e një Institucioni.
Në përfundim të Konferencës, organizatorët theksuan se sa e rëndësishme është për Institucionet e Auditimit që ta rinovojnë vazhdimisht veten e tyre, në mënyrë që të kenë po atë forcë, pushtet dhe impakt tek palët e tyre të interesit.