Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e parë për rakordimin e auditimit paralel me fokus “Ndotja e menjëhershme e deteve”

18.11.2019

Në datat 12-13 nëntor u zhvillua në Rijeka, Kroaci, takimi i parë për rakordimin e auditimit paralel me fokus “Ndotja e menjëhershme e deteve”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të zyrave të auditimit suprem të Shqipërisë, Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Ideja e një auditimi të tillë lindi nga bashkëpunimi i mëparshëm, në kuadër të projektit IPA, i drejtuesve të auditimit të performancës në SAI-et e Kroacisë dhe Shqipërisë, konkretisht z. Božo Vuletić-Antić dhe z. Rinald Muça. Mbështetur në suksesin e dy auditimeve të performancës në bashkëpunim me SAI-n kroat, realizuar në periudhën 2017-2018, auditimit mbi “Zhvillimin Strategjik të Turizmit” dhe atij mbi “Cilësinë e ndërtesave shkollore” dhe në përmbushje të motos së INTOSAI-t “Eksperienca e përbashkët iu vlen të gjithëve”, u konkludua se një fushë me interes potencial për të shtrirë bashkëpunimin e mëtejshëm është ajo mjedisore dhe veçanërisht ajo e pasurive të përbashkëta natyrore, siç është deti Adriatik.

Me nismën e Presidentit të rizgjedhur të SAI-t kroat, z. Ivan Klešić, auditimi u vendos të zgjerohej në një auditim rajonal, duke ftuar të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e vendeve që lagen nga deti Adriatik. Takimi në Rijeka i shërbeu pikërisht njohjes së problematikave të përbashkëta në menaxhimin dhe mbrojtjen e këtij aseti natyror, fokusimin e auditimit në një temë të posaçme dhe dakordësimin e një kalendari pune për vitin 2020, vit në të cilin parashihet të realizohet ky auditim.

Ditën e parë të takimit, pas prezantimeve të z. Damir Zec, profesor në Universitetin e Studimeve Detare në Rijeka dhe z. Vedran Martinić, drejtor i qendrës për Kërkim dhe Trajnim mbi Gatishmërinë dhe Përgjigjen ndaj Ndotjes së Menjëhershme Detare, përfaqësuesit auditues dakordësuan që auditimi paralel duhet të fokusohet pikërisht mbi ndotjen e menjëhershme të detit Adriatik. Ndotje të tilla shkaktohen zakonisht nga katastrofat natyrore në det, mbytja e anijeve të tonazhit të rëndë, mungesa e masave parandaluese apo keqmenaxhimi i masave ekzistuese për të shmangur evente të tilla me impakt negativ në mjedis, etj. Ndonëse në detin Adriatik nuk kanë ndodhur ngjarje të përmasave të tilla që të klasifikohen si emergjenca mjedisore, rritja e aktivitetit tregtar, zhvillimi i vendeve që lagen nga ky det dhe faktorët mjedisorë që gjithnjë e më tepër po impaktojnë negativisht klimën globale e atë rajonale, mund të shpien në  katastrofa mjedisore, përmasat e të cilave mund të shumëfishohen nga karakteri i mbyllur i detit Adriatik dhe mosmarrja në kohë e masave parandaluese e të ndërhyrjes së shpejtë.

1paralel

Nëse dita e parë e aktivitetit u fokusua në njohjen e problematikave dhe ndërgjegjësimin e pjesëmarrësve për rëndësinë e çështjes potenciale për auditim, në dytën e dytë u diskutua mbi anën teknike të realizimit të auditimit. Konkretisht u diskutua që, për të ruajtuar karakterin autonom të trajtimit të çështjes, auditimi të marrë formën e një auditimi paralel dhe jo të një auditimi të përbashkët. Kjo nënkupton që çdo vend pjesëmarrës do të përgatisë një raport individual auditimi, në përputhje me mandatin dhe planin e vet të punës, duke e prezantuar tek ato palë interesi që SAI i gjykon të arsyeshme. Gjithashtu, metodologjia audituese do të jetë individuale. Më pas, do të përgatitet një raport sintetik, ku do të përmblidhen mesazhet, gjetjet e rekomandimet e çdo vendi të angazhuar, për të kuptuar e adresuar problematikën në nivel më të gjerë. SAI kroat propozoi gjithashtu edhe piramidën e pyetjeve për këtë auditim. Nga kjo piramidë pyetjesh, të gjitha vendet, me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës që ka një vijë të shkurtër bregdetare (rreth 10 km), ranë dakord që pyetja kryesore vlente për të gjithë. Me propozimin e z. Rinald Muça, pjesa vijuese e piramidës së pyetjeve duhej të fokusohej në auditimin e inputeve dhe outputeve të procesit menaxhues të ndërhyrjeve në rast katastrofash, propozim i cili u pranua nga pjesëmarrësit dhe u detajua më tej. Në takimin vijues, kolegët auditues të vendeve pjesëmarrëse do të prezantojë planin e auditimit për të mësuar dhe komentuar nga puna e gjithësecilit.

Si gjithnjë, mikpritja e SAI-t kroat, veçanërisht ndaj grupit shqiptar të përbërë nga z. Rinald Muça, znj. Elfrida Agolli, z. Alfred Zylfi dhe znj. Megi Kurushi, ishte mbresëlënëse dhe dëshmi e mbështetjes që Kroacia ka dhënë dhe jep vazhdimisht për vendin tonë. Një rëndësi të veçantë në këtë takim morën edhe bisedat midis palës shqiptare dhe asaj sllovene, kryesuar nga drejtori i auditimit të performancës në SAI-n slloven, z. Miroslav Kranjc, një novator i mirëfilltë në auditimin e performancës.