Njoftime

KLSH merr pjesë në takimin e X-të për Auditimin e Etikës, organizuar nga grupi Task Force (EUROSAI) për Auditimin e Etikës

18.12.2019

Në datat 10-11 dhjetor 2019, u zhvillua në Bon, takimi i X-të i grupit Task Force të EUROSAI-it për “Auditimin dhe Etikën” (TFA&E). Në cilësinë e anëtarit të këtij grupi, KLSH mori pjesë në këtë aktivitet të EUROSAI-t, i cili trajtoi çështje të rëndësishme që lidhen me Etikën dhe integritetin, si edhe diskutoi për të ardhmen e kësaj Task- Force dhe planin e saj të aktiviteteve.

Në këtë  takim morën pjesë përfaqësuesit e 22 SAI-ve: Gjermania si SAI mikpritës i takimit, Gjykata Austriake e Auditimit, Gjykata Franceze e Llogarive, Gjykata Evropiane e Audituesve, Portugalia, Kroacia, Holanda, Shqipëria, Izraeli, Italia, Malta, Çekia, Hungaria, Finlanda, Rumania, Qipro, Serbia, Spanja, Greqia, Turqia, Bullgaria dhe SAI i Ekuadorit si përfaqësues i OLACEFS. Në takim kishte përfaqësues të OECD (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) dhe të IDI-t.

Përfaqësuesi i Gjykatës Gjermane të Llogarive, z. Arndt Fischer, mbajti fjalën përshëndetëse dhe u uroi pjesëmarrësve mirëseardhjen, duke bërë një përmbledhje të çështjeve që do të trajtoheshin dhe diskutoheshin në takim:

• Si të mbështesim Implementimin e ISSAI 30;
• Rekomandimet e OECD për auditimin e Integritetit në Sektorin Publik;
• Promovimi i Etikës në Organizatat e Sektorit Publik;
• Iniciativat që lidhen me etikën në SAI/ sistemet e kontrollit të Etikës;
• Politikat mbi bilbil-fryrësit;
• Vetëvlerësimi lidhur me implementimin e ISSAI 30;
• Auditimi i Etikës/Integritetit : raste të ndeshura në auditim;
• Eksperienca e OLACEFS në drejtim të auditimit të Etikës/Integritetit;
• Cila është perspektiva e Task-Forcës.

Gjatë ditës së parë të takimit e mori fjalën e dhe zj.Luljeta Nano, e cila bëri një pasqyrë të funksionimit të Infrastrukturës së Etikës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, rolin e Auditimit të Brendshëm, trajnimet lidhur me etikën dhe Integritetin në institucion dhe veçanërisht përfshirja e Etikës në Paketën e trajnimit të Audituesve të rinj, botimi i 4 librave në gjuhën shqipe, pjesë e kolanës së botimeve të KLSH-së që lidhen me ISSAI 30, Kodin e Etikës, Auditimin e Etikës në organizatat e Sektorit Publik, Kodi i Etikës së ECAs, etj. Këto botime u qarkulluan tek pjesëmarrësit, u vlerësuan nga të gjithë dhe u propozua të vendosen në faqen WEB që i dedikohet TFA&Ethics.

bon2

Gjatë dy ditëve të takimit rezultoi që puna e Institucioneve Supreme të Auditimit synon promovimin e qeverisjes së mirë në sektorin publik, duke kontribuar kështu në forcimin e besimit të palëve të interesuara. Për t'i mbajtur përgjegjëse qeveritë dhe organet publike për një përdorim të mirë dhe efektiv të burimeve publike, një Institucion Suprem i Auditimit duhet të kryejë të gjitha aktivitetet e tij në përputhje me parimet themelore të pavarësisë, transparencës, etikës, cilësisë dhe përgjegjshmërisë. Një SAI i pavarur dhe profesional udhëheq nëpërmjet shembullit dhe në këtë kontekst, përmirësimi i kornizës etike të SAI-ve është thelbësor, në mënyrë që të realizojnë misionin e tyre në mënyrë efektive. Kjo theksohet në parimet dhe standardet kryesore të INTOSAI, siç është ISSAI 12. Aktualisht  është theksuar qartë edhe në ISSAI 30 të rishikuar së fundmi, të miratuar nga INCOSAI 2016 në Abu Dhabi. Zbatimi i këtij Kodi Etik të rishikuar të INTOSAI-t tani është një sfidë e rëndësishme për SAI-t. Në një mjedis gjithnjë e më të favorshëm, SAI-t pritet që të vlerësojnë sistemet dhe politikat e sektorit publik për të parandaluar praktikat korruptive dhe mashtruese.

Në fund të takimit u diskutua për funksionimin e mëtejshëm të TFA&Ethics, e cila është themeluar në vitin 2011. EUROSAI i besoi Task Force mbi Auditimin dhe Etikën të studiojë dhe punojë në shikimin e kornizave etike dhe zbatimin e politikave të integritetit, duke u  përfshirë në punën e tyre të auditimit, me qëllimin kryesor të promovimit të rëndësisë së sjelljes etike si në Institucionet Supreme të Auditimit ashtu edhe në organizatat e sektorit publik.

Nga drejtuesit e kësaj task-force, përfaqësues të Gjykatës Portugeze të Llogarive u evidentua puna e bërë nga ky grup pune përgjatë 9 viteve dhe kërkuan mendimin e pjesëmarrësve mbi ecurinë e mëtejshme dhe formatin e kësaj Task-Force.

Pjesëmarrësit u shprehën që TFA i ka trajtuar të gjitha çështjet teorike në këto vite dhe për këtë arsye formati i funksionimit duhet të ndryshojë dhe mund të jetë kryesisht në projekte konkrete. Të gjithë anëtarët e TFA duhet te kontribuojnë me ide në këtë drejtim dhe të propozojnë listë konkrete të projekteve. Një mënyrë tjetër mund të ishte ngritja e një platforme online ku të shkëmbehen ide dhe module kryesisht për trajnime të fushës.

Të pranishmit theksuan rëndësinë që kanë çështjet e Etikës, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë arsye duhet të përfshihen në Axhendën e Kongresit të EUROSAI-t në 2020.
KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga Sekretarja e Përgjithshme zj.Luljeta Nano, Drejtoresha e Drejtorisë së Komunikimit, Botimeve dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Irena Islami dhe znj. Armanda Begaj, specialiste.