Njoftime

Audituesit e KLSH-së shkembejnë eksperiencat e fituara në aktivitetet jashtë vendit për vitin 2019.

13.01.2020

Në datën 10 janar 2020 në ambientet e Akademisë së Shkencave u zhvillua takimi mbi shkëmbimin e eksperiencave dhe përvojave të fituara nga audituesit e KLSH-së në aktivitetet jashtë vendit përgjatë vitit 2019.

Në takim morën pjesë të gjithë drejtuesit dhe audituesit e KLSH-së dhe panelin drejtohej nga Drejtori i Përgjithshëm, zj.Lindita Milo; Sekretari i Përgjithshëm, zj.Luljeta Nano dhe Drejtori i Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, zj.Irena Islami.

foto akttivitete jashte vendit 2019

Zonja Islami në fillim të takimit theksoi që një nga veprimtaritë kryesore të Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë është organizimi i aktiviteteve në bashkëpunim me INTOSAI, EUROSAI-n, SAI-t dhe institucionet e tjera homologe, brenda dhe jashtë vendit. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është përgatitja e mëtejshme e audituesve të KLSH-së, në mënyrë që t’i shërbejnë sa më mirë qytetarit, mbështetur edhe në filozofinë e  INTOSAI-t, që është përmbledhur më së miri në moton e kësaj organizate: “Experientia mutua omnibus prodest”.

Gjatë vitit 2019, 82 auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit morën pjesë në 44 aktivitete të zhvilluara jashtë vendit dhe kanë ndjekur një total prej 258 ditë trajnime. Në këto trajnime kanë marrë pjesë si audituesit me eksperiencë, ashtu edhe ata të rekrutuar rishtazi në radhët e institucionit.

KLSH ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme si Kongrese, Konferenca shkencore dhe rajonale, seminare, trajnime, workshope, etj. Aktiviteti më i rëndësishëm i 2019 ka qenë pa dyshim Kongresi i XXIII-të i INTOSAI-t që u zhvillua në Moskë, në datat 23-27 shtator 2019. Një pasqyrë e plotë e këtij aktiviteti u bë nga Drejtoresha e Përgjithshme zj.Manjola Naço, e cila në fillim të fjalës së saj citoi një ngjarje shumë të rëndësishme atë të pranimit të  Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) si anëtare me të drejta të plota në Organizatën  Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Votimi i pranimit u bë gjatë miratimit të Raportit të Sekretariatit të INTOSAI-t në Seancë Plenare në datën 25 shtator 2019. Kongresi votoi pro këtij raporti, duke konfirmuar përfundimisht anëtarësinë e ZKA në INTOSAI, që nga 1 janari 2020. Më pas, zj.Naço u përqendrua në diskutimin e dy temave të rëndësishme që trajtoi Kongresi :
• Teknologjia e Informacionit dhe roli i saj në zhvillimin e administratës publike;
• Roli i SAI-ve në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm;

Në datën 27 shtator Kongresi miratoi Deklaratën e Moskës, objektivat e së cilës u evidentuan qartazi gjatë referimit.
Gjatë takimit fjalën e morën 37 auditues të cilët referuan rreth eksperiencave të tyre. Një pjesë e mirë e këtyre aktiviteteve janë zhvilluar në kuadër të Grupeve të Punës të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, në të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit është pjesë, mes të cilave mund të veçojmë : Grupi i Punës IT; Grupi i Punës për Katastrofat; Grupi i Punës për Auditimet e Mjedisit; Grupi i Punës mbi Auditimin dhe Etikën;Grupi i Punës për Auditimin e Bashkive, Task forca për auditimin dhe Etikën, etj.

Një vend të veçantë gjatë referimeve kishin fellowshipet e GAOs dhe internshipet e ECA sepse në  modernizimin e aktivitetit auditues dhe trajnimin e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit GAO dhe ECA kanë dhënë një kontribut të veçantë. Deri tani 20 auditues të KLSH-së kanë qenë pjesë e strukturave tё ECA-s për një periudhë 5 mujore dhe tre të tjerë po përgatiten ta fillojnë këtë internship në muajin Mars 2020. Internshipi i konceptuar si një proces i përvetësimit të dijeve nëpërmjet trajnimit dhe përfshirjes në grupet e auditimit të ECA i ka dhënë mundësinë audituesve të KLSH të njihen me të gjithë procesin  e auditimit dhe teknikat e ndryshme të përdorura për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave.

Bashkëpunimi i suksesshëm i iniciuar prej vitit 2012 me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA ka vazhduar edhe gjatë vitit 2019. Deri tani 6 auditues të KLSH-së kanë përfunduar fellowship 4 mujor pranë kësaj zyre dhe një tjetër auditues do të fillojë këtë fellowship në muajin mars 2020.

Aktivitete të tjera të rëndësishme mund të citojmë: Konferenca EUROSAI-ASOSAI zhvilluar në Izrael, Konferenca Shkencore e Stambollit me temë “Qasjet më të fundit në matjen e vlerës së shtuar të auditimit dhe sfidat”, takimi i nën-komitetit të BE për Çështjet Ekonomike, financiare dhe statistikat” në Bruksel, Konferenca e Bukureshtit organizuar nga SAI rumun, në kuadër të Presidencës rumune të BE-së, takimi i Komitettit të Kontaktit të SAI-ve të BE-së, zhvilluar në Varshavë, etj.

Gjatë vitit 2019, numri më i madh i aktiviteteve në të cilat ka marrë pjesë KLSH lidhet me auditimet IT dhe ato të mjedisit, që janë tendencat e reja të SAI-ve në të gjithë botën.
Kapitali njerëzor, audituesit, mbeten aseti më i rëndësishëm dhe më i vlefshëm për KLSH-në. Për këtë arsye edhe në dokumentin e Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2018-2022, i është vënë theks i veçantë trajnimit të stafit, duke konsideruar që suksesi në përmbushjen e misionit dhe arritjen e objektivave të institucionit varen në mënyrë të ndjeshme nga të krijuarit të një trupe auditimi kompetente, të mirë-trajnuar dhe profesionale.