Njoftime

KLSH organizon ceremoninë dedikuar 100 vjetorit të krijimit të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

22.01.2020

Në datën 20 janar 2020, në respekt të marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit mes Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë (NIK) dhe KLSH-së, u organizua në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në sallën “ Lech Kaczyński”, ceremonia dedikuar 100 vjetorit të krijimit të Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri SH.T.Z. Karol Bachura, z. Jacek Jezierski, ish-President i NIK-ut polak dhe këshilltar i Presidentit aktual të NIK, intelektualë të arsimuar në Poloni, si Prof.Osman Kraja, Presidenti i Shoqatës së Miqësisë Poloni-Shqipëri z.Leonard Zisi, Prof.Arqile Teta, etj.

 

  100 vjet nik

Aktiviteti u çel me ligjëratën e Kryetarit të KLSH-së për Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë me temë : “Një shekull shërbim i NIK-ut për shtetin polak”. Zoti Leskaj bëri një pasqyrë të historikut të NIK, duke filluar me themelimin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë nga Kryetari i Shtetit, Jozef Pitsudski, më 7 Shkurt, 1919. Për këtë arsye, 2019 ishte një përvjetor i veçantë për NIK-un polak.

Zoti Leskaj bazuar në eksperiencën personale dhe në informacionet e marra nga botime të ndryshme përmendi një dekalog risish të NIK-ut polak si : NIK është një nga institucionet e para të Republikës së Dytë Polake (1918-1929); NIK gjatë viteve të Luftes së Dyte Botërore ka funksionuar në mërgim, në France dhe Britaninë e Madhe; Evoluimi i NIK gjatë periudhes se Levizjes “Solidarnosht” (1980-1989); Shnderrimi i Zyrës së Auditimit Suprem (nën drejtimin fillimisht te personalitetit me të spikatur politik dhe shtetëror ne Polonine e viteve 1990-2010, ish-Presidentit Lech Kaçinski) në një SAI modern, katalizator i ndryshimeve pozitive ne ekonomine dhe shoqerine polake te viteve 1992-2004 dhe kontribues me vlere në anëtaresimin e Polonise ne BE, etj. Zoti Leskaj u ndal gjithashtu shkurtimisht në të gjithë ata që kanë drejtuar NIK në këto 100 vjet dhe veçanërisht në periudhën 2007-2013, gjatë së cilës z. Jacek Jezierski ishte President i NIK. Për here te parë në historinë e institucionit, një kandidat që erdhi direkt nga personeli i auditimit të Zyrës u bë drejtues i saj. Ai u përball me shumë sfida, nga të cilat më e rëndësishmja ishte lufta për të ruajtur pavarësinë e Zyrës Supreme të Auditimit, përballë ndryshimit të Ligjit integral të NIK të vitit 1994. Gjatë periudhës 2007-2013 te mandatit te Presidentit Jacek Jezierski, NIK zgjeroi në menyre të ndjeshme marrëdhëniet e bashkepunimit me SAI-t partnere si në Evrope dhe më gjerë. Ishte pikërisht ky angazhim personal i z.Jacek Jezierski që bëri të mundur rinovimin e marrëveshjes mes KLSH-së dhe NIK-ut. Trajnimet e para të vitit 2012 shënuan fillimin e një tradite dinamike të shkëmbimit të vizitave studimore dhe trajnimeve dhe gjatë periudhës 2012-2016, një numër i konsiderueshem audituesish shqiptarë u trajnuan ne mjediset e NIK për auditimet e performancës, financiare, të perputhshmerise dhe të teknologjise së informacionit.

Gjatë vizitave të para në cilësinë e Kryetarit të KLSH, në qershor 2012 në Poloni, së bashku me Presidentin Jezerski, z.Bujar Leskaj nënshkroi rinovimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes KLSH-së dhe NIK-ut Polak, e cila kishte mbetur në letër që kur ishte nënshkruar në vitin 2006.

Me ish-presidentin e NIK, Z. Krzysztof Kwiatkowski, i cili drejtoi NIK në periudhën 2013-2019 vijoi bashkëpunimi shumë i mirë mes të dy institucioneve. Në mars 2016 në Varshavë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit përmes së cilës të dy institucionet u angazhuan dhe u zotuan në arritjen e objektivave të Projektit të Binjakëzimit IPA 2013, së bashku me SAI-n Kroat, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira europiane. Ky projekt i realizuar përgjatë periudhës mars 2016-korrik 2018 ishte i një rëndësie madhore për KLSH-në, pasi institucionit dhe audituesve shqiptarë iu dha mundësia që të njiheshin me eksperiencën e audituesve të NIK-ut dhe praktikat më të mira. Përvoja e përfituara nga projekti IPA është mjaft e rëndësishme dhe ka ngritur një shtyllë të re për progresin e KLSH-së, përgjatë rrugëtimit të tij si një SAI modern europian. Projekti u drejtua me profesionalizëm dhe përkushtim të madh nga ish zv/presidenti i NIK, z.Vojçek Kutula.

Projekti i Binjakëzimit është formati origjinal i BE-së për zhvillim dhe bashkëpunim që bazohet në parimin se zgjidhjet duhet të vinë nga puna praktike e jo përmes teorive. Një SAI mëson nga një SAI, një bankë qendrore nga një bankë qendore etj. NIK-u polak së bashku me SAI-n e Kroacisë ishin shembujt europianë për KLSH-në europiane. Gjatë implementimit të projektit u organizuan rreth 100 misione, me rreth 70 ekspertë nga 5-shtete të BE-së: Polonisë, Kroacisë, Hollandës, Estonisë dhe Portugalisë.

Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri SH.T.Z. Karol Bachura, në fjalën e tij u shpreh se ndihet tejet i nderuar pasi nuk ka asnjë auditorium, përveç atij në Varshavë që nderon dhe vlerëson punën dhe përpjekjet e ish presidentit Kaczynski dhe kjo dëshmon lidhjen e ngushtë të bashkëpunimit midis dy institucioneve supreme të Polonisë dhe Shqipërisë. Këtë gjë e dëshmoi për gjatë dy viteve dhe implementimi i suksesshëm i projektit IPA, i cili shërbeu jo vetëm shkëmbimit të eksperiencave por shkoi më tej, në thellimin e marrëdhënieve profesionale dhe miqësore. Organizimi i këtij aktiviteti sot vërteton që institucionet e auditimit të Polonisë dhe Shqipërisë e kanë çuar edhe më tej bashkëpunimin e tyre duke e bërë këtë bashkëpunim edhe më efektiv e më të suksesshëm.

Ajo që mund të theksojmë është se nëse gjykojmë se reforma në drejtësi është baza e të gjithë reformave, atëherë mund ta themi me bindje se institucionet supreme të auditimit janë një hallkë e rëndësishme që i shërbejnë rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit veçanërisht në periudhat e tranzicionit është i pazëvendësueshëm. Gjej rastin të falënderoj z. Leskaj dhe audituesit e KLSH për angazhimin maksimal dhe punën e vazhdueshme e të palodhshme në shërbim të qytetarëve e shoqërisë shqiptare- përfundoi Ambasadori Bachura.

Më pas e mori fjalën z.Jacek Jezierski, ish-President i NIK-ut polak dhe këshilltar i Presidentit aktual të NIK, i cili ndër të tjera tha : “... NIK është pjesëmarrës aktiv në bashkëpunim me SAI-t e tjera dhe beson fuqimisht në moton e INTOSAI-t "Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë". Ne jemi një partner i vlerësuar që kontribuojmë në zhvillimin dhe përditësimin e standardeve të auditimit, shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, për të ndihmuar SAI-të e tjerë në zhvillimin e auditimit publik në vendet e tyre, në kuadër të projekteve të binjakëzimit. Jemi krenarë që brenda këtij bashkëpunimi KLSH është bërë partneri ynë “binjak” dhe ne mund të ndihmojmë shqiptarët jo vetëm si kolegë por edhe si miq për të zhvilluar një institucion modern dhe dinamik të auditimit publik”.

Zoti Leskaj e mbylli aktivitetin duke falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe duke cituar një shprehje të ish Presidenti Z. Kwiatkowski në fjalimin e tij në nder të përvjetorit të 100-të të NIK-ut: “ Prej 100 vjetësh, NIK ka qenë rojtar i financave publike dhe i menaxhimit të përgjegjshëm të pasurisë publike polake, duke promovuar efektivitetin, efiçiensën dhe ekonomicitetin e autoriteteve publike. NIK-u auditon të gjitha fushat e shpenzimit të fondeve publike, si të administratës në nivel qendror, ashtu edhe lokal, sikurse dhe ndërmarrjet dhe entet që përdorin fonde shtetërore dhe kanë detyrime financiare ndaj shtetit”.

 Për më shumë informacion lexoni fjalën e Kryetari të KLSH-së në aktivitetin e zhvilluar