KLSH merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA)
15.02.2020
Në datën 12 shkurt 2020, Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA) organizoi konferencën me temë “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: Ndikimi dhe Përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”. Konferenca u organizua me rastin e pranimit të ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit si Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Polonia, Turqia, Finlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Gjykata Evropiane e Audituesve, si dhe përfaqësues nga INTOSAI. Po ashtu, në konferencë morën pjesë edhe udhëheqës të lartë të institucioneve publike të Kosovës, përfaqësues nga shoqërisë civile, mediave dhe organizatave ndërkombëtare dhe donatorë.
Konferenca u hap nga z. Besnik Osmani Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të ZKA-së në INTOSAI. Z. Osmani theksoi se, anëtarësimi i ZKA-së në INTOSAI me të drejta të plota që nga 1 janari 2020 është moment shumë i rëndësishëm, sepse kjo organizatë është një platformë globale bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave, hartimin e standardeve të auditimit dhe promovimin e ngritjes së kapaciteteve.
Punimet e konferencës u fokusuan në trajtimin e tre çështjeve të rëndësishme për Institucionet Supreme të Auditimit si:
- Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI, ndikimi dhe përfitimet që kanë SAI-t;
- Si të zbatohen Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit – praktikat e mira;
- Roli i Thesarit në menaxhimin e parasë publike dhe ndikimi i auditimit të jashtëm.
Në panelin e parë u diskutua mbi “Domethënien dhe rëndësinë e anëtarësimit në INTOSAI, ndikimi dhe përfitimet që kanë SAI-t”. Diskutuesit kryesorë ishin - Z. Besnik Osmani, Auditor i përgjithshëm i Kosovës, Dr. Harib Saeed Al Amimi, President i Institucionit Shtetëror të Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe, dhe ish President i INTOSAI-t; Z. Gene L Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, – i cili përshëndeti me anë të një video mesazhi. Mesazhi i përcjellë në përfundim nga të gjithë folësit ishte rëndësia që ka anëtarësimi në INTOSAI. Nga ky anëtarësim SAI-t kanë përfitime, të drejta dhe detyrime. Përfitimet që vijnë lidhen me rritjen e mundësive për ngritjen e kapaciteteve profesionale, orientimin në çështje thelbësore të auditimit, angazhimin në grupet e përbashkëta të punës, rritjen e mundësive për shkëmbimin e njohurive, përfitime nëpërmjet auditimeve të përbashkëta, përmirësime nga kryerja e proceseve të rishikimit midis kolegëve etj. Por të qenit anëtar i INTOSAI-t sjell edhe detyrime të tilla si, SAI duhet të punojë për të ruajtur pavarësinë, të jetë një anëtar aktiv dhe të ndajë ekseriencën, të jetë një institucion model, të promovojë integritetin dhe transparencën.
Në panelin e dytë të diskutimeve u ndanë eksperiencat nga drejtues dhe përfaqësues të SAI-ve lidhur me zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI.
Në këtë panel diskutuan z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Geoffrey Simpson, Drejtor i Komisionit për Kontrollin e Cilësisë në Gjykatën Evropiane të Audituesve, Z. Jari Sanaskoski, Drejtor i Auditimit Financiar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Finlandës, Znj. Tanja Tasevska, Këshilltare e Auditorit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Z. Murat Ince, Krye-auditor në Gjykatën Turke të Llogarive etj.
Në fjalën e tij z. Leskaj ndau me të pranishmit punën e bërë nga KLSH për implementimin e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe si këto standarde janë bërë nxitës për rritjen e profesionalizmit të KLSH -së. Z. Leskaj theksoi se “Implementimi i standardeve ISSAI ka ardhur në mënyrë graduale duke filluar që nga viti 2012 me përkthimin në gjuhën shqipe dhe më pas publikimin e një serie botimesh mbi standardet ndërkombëtare, udhëzuesish dhe manualesh të INTOSAI-t dhe të Zyrës së Auditimit të Shteteve të Bashkuara, GAO”. Në vijim, Kryetari i KLSH prezantoi rrugëtimin e institucionit drejtë implementimit të ISSAI-ve, duke përfshirë aspekte të tilla si: përkthimi dhe botimi i standardeve; ngritja e departamenteve të auditimit të performancës dhe IT-së, hartimi dhe përmirësimi i manualeve te auditimit, marrëveshja me IDI për implementimin e ISSAI-ve, hartimi dhe zbatimi i strategjive zhvillimore, vlerësimet e institucioneve homologe në procesin peer review, zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve, etj.
Në diskutimet mbi implementimin e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit nga ana e SAI-ve theksi u vendos tek rëndësia që sjell zbatimi i tyre për të rritur besueshmërinë e institucionit dhe ofrimin e produkte të një cilësie më të lartë.
Në mbyllje të konferencës u diskutua në panelin e tretë “Roli i Thesarit në menaxhimin e parasë publike dhe ndikimi i auditimit të jashtëm”. Lidhur më këtë çështje diskutuan dhe ndanë eksperiencat Z. Ahmet Ismaili, Drejtor i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Z. Milan Dabovic, President i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Z. Wieslaw Kurzyca, Këshilltar i Presidentit të Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë etj.
Diskutimet kryesore u fokusuan në mënyrën se si është i organizuar sistemi i Thesarit në këto vende dhe vështirësitë që hasin SAI-t në auditimin e këtij sistemi.
Kjo konferencë u mbyll me organizimin e ceremonisë zyrtare për shënimin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në INTOSAI e cila u përshëndet edhe nga znj. Vjosa Osmani Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari z. Bujar Leskaj, me pjesëmarrjen e z.Qeram Cibaku, Drejtor i Metodologjisë dhe Zhvillimit dhe të audituesve Delor Prosi, Ermira Vojka, Erieta Këlliçi, Megi Kurushi, Jovan Plaku, Artan Mirashi dhe Eduart Stafasani.