KLSH indicie për ndjekje penale në prokurori për 7 punonjës ish regjistrues dhe specialistë të ish-ZVRPP Berat
18.02.2020
Janë regjistruar pasuri të paluajtshme në Zonën Muzeale Berat (Zona Tampon) të Qytetit te Beratit, është ndryshuar zëri kadastral nga kullotë në truall, pa miratim të ministrit përkatës, të cilat nuk janë objekt i akteve nënligjore për ndryshimin e kategorive të resurseve të tokës, regjistrime objektesh në afërsi të lumit “Osum”. Janë kryer regjistrime mbi bazën e AMTP-ve të cilat nuk plotësojne kërkesat e formës dhe përmbajtjes. Regjistrime në mënyrë të paligjshme në favor të personave privatë për pasuritë e paluajtshme të prekura nga TAP, me efekt financiar 10,194,337 lekë, etj.
Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr.1282/1, datë 16.11.2018, ka përfunduar auditimin në ish ZVRPP Berat, me objekt: “Auditimi përputhshmërie për periudhën 01.09.2016 deri në 01.10.2018.
Me Vendimin nr. 90, datë 30.09.2019 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresat nr.1282/5 dhe nr.1282/6, datë 30.09.2019, i janë rekomanduar masat Drejtorisë Vendore të ASHK Berat për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundraligjshme në regjistrimin e pasurive të paluajtshme, Nga auditimi u konstatuan shkeljet:
Në 11 raste, në Zonat Kadastrale 8501 dhe 8502 “Berat”, me indicie riskun për faktin e regjistrimit të lejeve të ndërtimit në Zonën Muzeale Berat (Zona Tampon), është shtrirë auditimi edhe në periudhat e mëparshme, u konstatua se janë regjistruar pasuritë e përfituara me leje legalizimi dhe leje ndërtimi, prej ku sipas HTR, verifikimit nga sistemi geoportal-albania, dhe hartës me vijën kufizuese të zonës muzeale Berat, të cilat janë të pozicionuara në zonën tampon (Muzeale) të Beratit.
-Në dosjet përkatëse nuk ndodhet dokumentacion (projekte) të konfirmuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR). Nuk ka asnjë dokument të miratuar nga organet përkatëse të ruajtjes së monumenteve të kulturës.
Në 11 raste nuk bëhet fjalë për veprimtari “Restauruese” apo “Konservuese”, por janë kryer ndërtime të reja e në mënyrë të kundraligjshme janë kryer regjistrimet në ZVRPP Berat.
Në 14 raste në zonat kadastrale “Pashalli”, “Vokopol”, “Cukalat”, “Velçan” janë kryer regjistrime të akteve të marrjes së tokës në pronësi (AMTP), në kushtet kur në dokumentet AMTP origjinal të disponuar në arkiv, mungonin vulat e institucioneve përkatëse, pra nuk plotësohen elementet e formës dhe të përmbajtjes e për rrjedhojë, nuk duhej pranuar regjistrimi i pasurive. Nga kjo për sipërfaqen prej 36583 m2 të vlerësuar me çmimin e tokës bujqësore për bashkinë Berat, rezulton një efekt financiar në shumën e përgjithshme prej 14,433,706 lekë.
Në 3 raste, në zonën kadastrale nr.3032 “Poshnjë”, për sipërfaqe 1300 m2, janë kryer regjistrime të pasurive të përfituara me leje legalizimi, në zona të përcaktuara me zërin kadastral “Kullotë”, duke ndryshuar zërin kadastral nga “Kullotë” në “Truall”, në një kohë që kompetenca për ndryshimin e zërit kadastral i takon Ministrit të Mjedisit.
Në 4 raste, në zonat kadastrale nr. 1682, 3357, 1004, për sipërfaqe ndërtimore 389 m2, janë kryer regjistrime me leje legalizimi, në zona të cilat sipas sistemit Geoportal-Albania dhe HTR, ndodhen të pozicionuara pranë brigjeve të lumit “Osum”, në distanca nga brigjet 81-170 m dhe në këtë rast procesi i legalizimit duhej të kishte ndaluar dhe nuk ka konfirmim nga Këshilli Kombëtar i Ujit.
-Regjistrime në mënyrë të paligjshme në favor të personave privatë të cilët kanë përfituar padrejtësisht shumën në vlerën totale prej 10,194,337 lekë, vlerë kjo që do të ishte përfituar nga shteti nëse pasuritë e paluajtshme të prekura nga TAP, por që u mungon dokumentacioni tekniko-ligjor do të regjistroheshin me pronar “Shtet” .
-Regjistrime leje legalizimi ku sipërfaqja e parcelës ndërtimore tejkalon 3-fishin e bazës së ndërtimit me efekt prej 6,602,177 lekë.
-Mos kryerje të pagesës së taksës së infrastrukturës për lejet e ndërtimit, diferenca preventiv-situacion, për sipërfaqet e përbashkëta, etj.
KLSH, duke i konsideruar të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e (ish-ZVRPP Berat (Drejtoria Vendore e ASHK-së Berat), të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të ligjit nr.33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementët e veprës penale.
KLSH ka nisur indicie për kallëzim penal, duke i përcjellë me shkresën nr.1282/8, datë 09.11.2019, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Berat, për 7 regjistrues, hartografë dhe jurist, për shkelje të ligjit regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe tjetërsimin e pronave, etj., neni 248 i ”Kodit Penal”, duke dërguar të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
V.O. Në Web-in e KLSH gjendet i plotë Njoftimi për shtyp dhe Vendimi nr. 90, datë 30.09.2019 në lidhje me këtë auditim.