Njoftime

Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon workshop- in mbi vetëvlerësimin e integritetit

27.02.2020

Në datat 17-21 Shkurt 202, në Kontrollin e Lartë të Shtetit u zhvillua workshop-i mbi vetëvlerësimin e integritetit IntoSAINT. Ky workshop u organizua në vijimësi të aktiviteteve të zhvilluara nga Task Forca e EUROSAI-t për Auditimin dhe Etikën.

Objektivi kryesor për krijimin e kësaj Task Force  ishte  promovimi  i rëndësisë së sjelljes etike si në Institucionet Supreme të Auditimit ashtu edhe në organizatat e sektorit publik.
Me qëllim përmbushjen e këtij objektivi, në periudhën 2017-2020 aktivitetet e kësaj Task Force u fokusuan në rishikimin e ISSAI 30, mbështetjen e implementimit të ISSAI 130 dhe inkurajimi i KLSH-ve për të promovuar integritetin në sektorin publik.

Kontrolli i Lartë i Shtetit është prej vitesh  aktiv i kësaj Task Force dhe  kam qenë tepër aktiv në mbledhjet workshop-et dhe trajnimet që kanë pasur në fokus çështjet e etikës, integritetit dhe luftës kundër korrupsionit e mashtrimit. KLSH iu përgjigj menjëherë ftesës se EUROSAI-t  për t'ju nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të integritetit të institucionit duke e vlerësuar këtë aktivitet si një mundësi për identifikimin e sfidave dhe hapave që duhen ndërmarrë për forcimin e strukturës etike. Aktiviteti u drejtua nga Znj. Natasa Mihailova, audituese, përfaqësuese e SAI-t të Maqedonisë së Veriut, Znj. Jasmin Grunbaum, audituese, përfaqësuese e SAI-t të Finlandës, Znj. Gry Annete Mitbo, audituese, përfaqësuese e SAI-t të Norvegjisë dhe Znj. Silvana Ramadani, audituese, koordinatore për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Në këtë workshop morën pjesë person 15 auditues të KLSH-së të përzgjedhur nga departamente auditimi dhe stafi administrativ.

vetvleresimi1

IntoSAINT- (Self Assessment INTegrity), është instrument i zhvilluar nga Gjykata Hollandeze e Auditimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Byronë e Integritetit të qytetit të Amsterdamit. Ky “mjet” vetëvlerësimi i organizuar në formën e një seminari u mundëson SAI-ve të vlerësojnë cënueshmërinë dhe elasticitetin e tyre ndaj shkeljeve të integritetit, duke hartuar më pas rekomandime për të përmirësuar në rang menaxherial performancën institucionale.

Në kuadrin e përpjekjeve të bëra gjatë dekadave të fundit, në nivel global për zhvillimin e institucioneve, sistemeve dhe mekanizmave për promovimin e integritetit dhe parandalimin e korrupsionit dhe mashtrimit në sektorin publik, në vitin 2014, KLSH i ka ofruar trupës audituese të sektorit publik një botim specifik në fushën e auditimit, si “Manuali i Vetëvlerësimit të integritetit për institucionet Supreme të Auditimit”,  që ka të bëjë me metodologjinë e vetëvlerësimit të integritetit në Institucionet Supreme të Auditimit (INTOSAINT), konsideruar si një nga metodat më inovative dhe të efektshme, me impakt rritjen e pritshmërive në zhvillimin e politikave të integritetit.
Bazuar në mandatin kushtetues të KLSH-së dhe produktin e punës audituese, reputacioni i institucionit është pasuria më e vlefshme e tij. Ky fakt, përcaktohet edhe në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, në bazë dhe për zbatim të të cilave KLSH duhet të ketë dhe ruajë vërtetësinë dhe besimin e publikut dhe palëve të interesit.

Institucioni duhet të sigurojë  pavarësinë e tij, cilësinë e pa diskutueshme  të punës dhe standarde të larta të sjelljes së stafit (ISSAI 30), duhet të promovojë dhe manifestojë  vlerat si aset i shtuar në kryerjen e funksioneve  institucionale (ISSAI 12) dhe të udhëheqë nëpërmjet shembullit të mirë (ISSAI 20).

ISSAI 30 promovon vlera si: Integriteti; Pavarësia dhe objektiviteti; Kompetenca Profesionale; Sjellja profesionale dhe Konfidencialiteti dhe transparenca. Risia që sjell ky Standard Ndërkombëtar Auditimi është në sanksionimin e parimit se: “Sjellja etike e stafit ndikohet gjithashtu edhe nga mjedisi i punës”. Në përputhje me rrethanat, Kodi adreson përgjegjësitë e SAI-ve në promovimin dhe ruajtjen e etikës dhe vlerave etike në çdo aspekt të organizatës dhe aktiviteteve të saj.
Metodologjia e përdorur për vetëvlerësimin e integritetit në këtë seminar, konsistoi në dy faza:
• Vlerësimin e Dobësive dhe risqeve të integritetit; si edhe
• Përcaktimin e nivelit të maturimit të sistemit të kontrollit të integritetit.

Objekt i këtij procesi ishte e gjithë veprimtaria Institucionale e KLSH-së. Grupi i 15 pjesëmarrësve të KLSH-së në këtë seminar evidentoi disa nga risqet që mund të ndikojnë në cënueshmërinë e integritetit. Bazuar në përgjigjet e dhëna nga audituesit e KLSH-së në fund të procesit të vetëvlerësimit të integritetit u propozuan disa rekomandime të cilat kanë si qëllim  përmirësimin e mëtejshëm e të vazhdueshëm, si dhe konsolidimin e  strukturave dhe politikave për integritetin në KLSH.

vetvleresimi2

Në përfundim të këtij seminari, grup i moderatorëve vlerësoj pozitivisht punën dhe rezultatet e arritura për mirëmenaxhimin dhe funksionimin institucional duke  çmuar dhe vlerësuar  në mënyrë të veçantë drejtimin menaxherial të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka iniciuar  ndryshime  thelbësore që lidhen me miratimin e Kodit të ri Etik të KLSH-së , dokument tërësisht në përputhje me ISSAI 30 dhe praktikat më të mira të fushës, përkthimin në gjuhën shqipe të ISSAI 30, botimin “ Forcimi i Infrastrukturës Etike në SAI-e dhe Auditimi i Etikës në Sektorin Publik” si dhe botimin  “INTOSaint- Manuali i Vetëvlerësimit të Integritetit për institucionet Supreme të Auditimit” .

Impakt pozitiv pati gjithashtu edhe konsolidimi  i kolanës së botimeve të KLSH-së me 111 tituj, duke evidentuar edhe njëherë rëndësinë e veçantë që KLSH i ka dhënë librit dhe botimeve profesionale të fushës, si edhe pjesëmarrja në shtypin e shkruar dhe media e audituesve, me qëllim promovimin e aktivitetit auditues dhe informimin e qytetarëve duke rritur kështu impaktin e auditimeve të kryera nga KLSH. Njëzëri moderatoret pohuan gjithashtu profesionalizmin e treguar gjatë këtij aktiviteti nga përfaqësuesit e KLSH-së çka dukshëm nxjerr në pah pasionin dhe përkushtimin e tyre për punën.

Për herë të parë, KLSH u bë pjesë e implementimit të këtij instrumenti në vetëvlerësimin e aktivitetit institucional të vitit 2014. E gjithë veprimtaria audituese dhe menaxhuese institucionale u vendos të analizohej nën këndvështrimin e vlerës themelore për një SAI që është “Integriteti”.

Ky vetëvlerësim shërbeu si bazë për hartimin dhe zhvillimin e politikave, akteve rregullatore dhe praktikave etike që prej vitesh janë bërë pjesë jetësore e misionit, vizionit dhe vlerave të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH është e angazhuar që integriteti dhe politika e integritetit të jenë të gdhendura në sjelljen dhe  qëndrimin e çdo hallke institucionale,si  dhe të jenë një pjesë e paluajtshme si në sistemin e menaxhimit institucional ashtu dhe të cilësisë së punës audituese.
 Hartimi i politikave gjithëpërfshirëse dhe efektive të integritetit, të cilat fokusohen tek  parimi i udhëheqjes nëpërmjet shembullit, e kanë vendosur   institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në rolin e institucionit që promovon integritetin dhe etikën profesionale në administratën publike. 

Strategjia e Zhvillimit të KLSH 2018-2022 konsolidoi integritetin si një komponent standard në drejtimin dhe në ciklin e politikave të KLSH-së edhe për vitet e ardhshme.
Seminari u përmbyll me prezantimin e raportit nga moderatorët për stafin menaxherial. Në këtë prezantim të pranishëm ishin: Sekretar i Përgjithshëm,  Znj. Luljeta Nano, Drejtor i Përgjithshëm,  Znj. Lindita Milo, Drejtor i Përgjithshëm, Znj. Manjola Naço, Drejtor Drejtorie, Znj. Irena Islami.

Grupi i audituesve që mori pjesë dhe punoi ngushtë me moderatoret për vetëvlerësimin e integritetit në KLSH përbëhej nga: Marjola Llanaj, Aulona Jonuzi, dhe Aulent Guri, Kryeaudituesë, Alfonc Gabili, Xhuljeta Çelaj, Ermira Vojka, Arminda Bushi dhe  Rigels Guzi Auditues të Lartë, Erjola Meçaj, Irma Idrizaj,  Krisi Anastas, Redi Ametllari, Dorel Balliu dhe Safete Pojani  Audituesë të I-rë, Rodian Alimerkaj, Auditues i II-të