KLSH zhvillon analizën vjetore për vitin 2019
02.03.2020
Në datat 28-29 shkurt 2020, në mjediset e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilloi analizën vjetore të performancës së institucionit për vitin 2019. Në ditën e parë të analizës morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z.Olsian Çela; Audituesi i Përgjithshëm i ZKA të Kosovës, z. Besnik Osmani; Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Prof.Dr.Roland Zisi si dhe shumë përfaqësues nga profesorati, ekspertë të shoqërisë civile, analistë, studentë të fakulteteve të Universitetit të Vlorës dhe auditues të KLSH-së.
Në fjalën e tij të hapjes, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj pasi falenderoi të ftuarit për pjesëmarrjen theksoi se KLSH organizon këtë analizë vjetore të punës, si një traditë e mirë, në frymën e përparësive të nënvizuara nga Kongresi XXIII-të i INTOSAI, me angazhimin për progresin e vazhdueshëm të auditimit të qeverisjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve moderne të auditimit.
KLSH vjen në këtë analizë vjetore të përgjithshme, vijoi më tej z.Leskaj pas kryerjes së analizave në secilin prej departamenteve të auditimit, nga diskursi i të cilave kemi përmbledhur gjetjet, sugjerimet dhe vërejtjet ndaj punës dhe qasjes sonë, qasje e asistuar dhe nga ana e ekspertëve të shoqërisë civile të pranishëm në analizat e departamenteve. Viti 2019 shënon vitin e tetë në rrugëtimin e nisur së bashku në fund-vitin 2011, pavarësisht mungesës së finalizimit të vendimmarrjes nga politika e lartë shtetërore për zgjedhjen e Kryetarit të ri të KLSH, veprimtaria e institucionit është kryer duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin organik të KLSH-së, e cila falë punës dhe përkushtimit Tuaj, ka siguruar vijimësinë e konsolidimit si institucion modern i auditimit të jashtëm në Shqipëri.
Në planin e zhvillimeve të brendshme të KLSH, vokacioni i vijueshmërisë, normalitetit dhe aktiviteti intensiv i punës për arritjen e targeteve të vendosura si synim, është mbështetur nga partneret tanë ndërkombëtare, Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), Zyra e Auditimit Qeveritar të SHBA-së (GAO), SIGMA, EUROSAI dhe INTOSAI. Në këtë aspekt, KLSH ka mundur të ruajë dhe sigurojë integritetin e proceseve dhe procedurave, nëpërmjet:
1.Mbulimit me auditim të të gjithë aspekteve të domosdoshme, duke përmbushur shtrirjen e auditimeve, ku përgjatë vitit 2019 rezultojnë të evaduara dhe në proces 160 auditime në numër dhe sipas llojeve e departamenteve, duke realizuar projeksionet për numrin e angazhimeve audituese në institucionet e qeverisjes së përgjithshme, në njësitë e pushtetit vendor, në administratën tatimore dhe doganore, në shoqëritë me kapital shtetëror, etj.
2.Indikatori i dobishmërisë së auditimeve të realizuara, e reflektuar kjo si në vlerën e gjetjeve, numrin e rekomandimeve të lëshuara dhe masave të zbatuara nga entitetet publike të audituara, por edhe në efektin e zbulimit dhe parandalimit të shkeljeve të ligjshmërisë. Për vitin 2019 rezulton se për çdo një lek të shpenzuar për KLSH-në janë zbuluar dhe kërkuar për t’u zhdëmtuar 72.4 lekë. I analizuar për periudhën 8 vjeçare 2012-2019 rezulton se, për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së është kërkuar për t’u zhdëmtuar në arkën shtetërore 82,2 lekë, ose 4 herë më shumë, nga 21.1 lekë që është kërkuar në periudhën 10 vjeçare (2002-2011).
3.Nga auditimet e kryera në vitin 2019, kemi identifikuar disa çështje thelbësore mbi qëndrueshmërinë e financave publike, të cilat, duke qenë se vijojnë ndër vite, në mendimin tonë kërkojnë një vëmendje të shtuar të Kuvendit dhe Qeverisë. Më konkretisht, rezultatet e auditimeve të vitit 2019 sintetizohen në disa indikatorë themelorë për veprimtarinë audituese të KLSH-së, si vijon:
Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me DËM EKONOMIK në shumën totale prej 27,3 miliardë lekë, ose 223,8 milionë euro.
Puna audituese është përqendruar kryesisht në fushat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka vlerësuar një nivel të lartë risku. Edhe këtë vit, shkeljet më të mëdha me efekte të konsiderueshme në buxhetin e shtetit dhe jo vetëm, lidhen me keq administrimin e të ardhurave: menaxhimin jo të kujdesshëm në procesin e përdorimit të fondeve publike; keq administrimit të pronës shtetërore e ndjekur nga paligjshmëritë procedurale dhe ineficencat në realizimin e procedurave të prokurimit publik, etj.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 130,5 miliardë lekë, ose afërsisht 1,044.1 milionë euro.
Për periudhën janar – dhjetor 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar dhe evaduar 160 auditime, nga të cilat janë evaduar 140 (20 auditime janë në proces), sipas kësaj tipologjie:
- 41 auditime përputhshmërie dhe rregullshmërie;
- 42 auditime përputhshmërie;
- 23 auditime financiare;
- 16 auditime performance;
- 11 auditime tematike; dhe
- 7 auditime të IT.
Konstatohet se është rritur përqindja e auditimeve financiare, e numrit të auditimeve të performancës, kemi rritje të numrit të auditimeve IT, gjë e cila shpreh jo vetëm ecurinë e veprimtarisë audituese të KLSH në përputhje me kërkesat e BE-së, të përcaktuar në Raport-progresin e vitit 2019 për Shqipërinë, por dhe me dinamikat e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tonë.
Auditimet e KLSH janë kryer në një numër të konsiderueshëm prej 192 subjektesh, qofshin këto institucione qendrore dhe njësive në varësi (Ministri dhe agjenci të ndryshme, drejtori qendrore dhe rajonale etj.); njësi të vetëqeverisjes vendore (bashki e qarqe), shoqëri publike në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve dhe duke e mbyllur me auditimin e projekteve me financim të huaj, etj., duke mbuluar të gjithë ciklin e veprimtarisë së tyre (të ardhurat dhe shpenzimet etj.), nga të cilat një peshë jo të vogël zënë auditimet e performancës.
Zoti Leskaj në përfundim të fjalës së tij u fokusua në gjetjet kryesore të auditimeve, rekomandimet dhe masat e propozuara, kallëzimet penale, analizën SWAT, etj (për më shumë detaje në faqen zyrtare të KLSH-së gjendet fjala e plotë e Kryetarit).
Më pas e mori fjalën Prokurori i Përgjithshëm, z.Olsian Çela, i cili e vleresoi shumë të rëndësishme prezencën e tij si Prokuror i Përgjithshëm në analizën vjetore të KLSH, duke theksuar se bashkëpunimi midis dy institucioneve është thelbësor në lidhje me veprat penale që lidhen me keq-menaxhimin e pronës publike. Bashkëpunimi ynë, vijoi më tej zoti Çela, është institucionalizuar që në vitin 2012 nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshje te përbashkët bashkëpunimi dhe kjo analize do ti shërbejë përmirësimit te punës tone për te rritur luftën ndaj krimit ekonomik. Zoti Çela ngriti shqetësimin se kallëzimet penale te KLSH janë shume komplekse dhe kërkojnë një pune voluminoze nga prokuroret për te vërtetuar nëse ka shkelje penale nga zyrtaret publik. Për këtë arsye do te preferohej qe kallëzimet penale të KLSH-së të përqendroheshin vetëm tek faktet qe lidhen me shkeljen penale, mundësisht të shoqëruara me dokumente. Në përfundim, zoti Çela propozoi se nëse shikohet e arsyeshme nga Kryetari i KLSH, rishikimi i marrëveshjes midis dy institucioneve me qellim qe kjo marrëveshje ti përshtatet ndryshimeve te kohës. Zoti Leskaj shprehu dakordesinë për nënshkrimin e marrëveshjes me qellim sinergjizimin e politikave të të dy institucioneve.
Audituesi i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, z. Besnik Osmani falenderoi fillimisht për ftesën dhe për angazhimin personal te Kryetarit te KLSH ne promovimin e Zyrës Kombëtare te Auditimit te Kosovës ( ZKAK) ne institucionet e nivelit evropian dhe global. Kontributi i zotit Leskaj ne pranimin e ZKAK si anëtare me te drejta te plota ne INTOSAI ka qene i jashtëzakonshëm. Zoti Osmani vijoi diskutimin e tij duke theksuar se bashkëpunimi midis ZKAK dhe KLSH është me i miri midis institucioneve te Tiranës dhe Prishtinës. Bashkëpunimi profesional do te rritet midis ZKAK dhe KLSH dhe veçanërisht midis grupeve te përbashkëta te auditimit duke i dhënë një shtysë te re këtij bashkëpunimi. Zoti Osmani e mbylli bashkëpunimin e tij “ne nuk kemi dhe nuk do te kemi protokoll për bashkëpunimin midis KLSH dhe ZKAK por do te presim çdo auditues te KLSH si te jete auditues i ZKAK”.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Prof.Dr.Roland Zisi mikpritësi i këtij aktiviteti vlerësoi zhvillimin e analizës vjetore te KLSH-së për te treten here ne këtë institucion te rëndësishëm arsimor. Programi i analizës vjetore është i gjere, i larmishëm dhe na jep mundësinë te përfitojmë nga eksperienca e audituesve te KLSH.
Zonja Lindita Lati, Drejtore e Përgjithshme diskutoi mbi performancën institucionale, duke iu referuar Kornizës së Matjes së Performancës (PMF) për vitin 2019 në gjashtë fusha sipas skemës së mëposhtme :
Sipas PMF rezulton që për tre nga gjashtë fusha, KLSH ka performancë mbi nivelin mesatar 4 (nga 4) dhe për tre fushat e tjera varion 3-3,5.
Mbështetur në sa më sipër sfidat e KLSH-së për periudhën në vijim :
•përfshirja në planin vjetor të treguesve të matshëm në nivel produkti dhe rezultati;
•konsultimi me palët e interesit të planit vjetor të parashikuar;
•ndjekja e shikueshmërisë publike dhe matja e ndikimit përmes reagimeve të jashtme në përputhje me ISSAI 20;
•mbulimi dhe përzgjedhja e objektivave të auditimit të performances;
•përcaktimi i qartë i materialitetit dhe riskut në tërësi për çdo auditim si dhe për elemente të veçanta të tij;
•përzgjedhja e kampionit;
•hartimi i raportit në një formë më shkurtër dhe lehtësisht i kuptueshëm, etj.
Më pas zj.Milo u fokusua tek komunikimi dhe transparenca e aktivitetit të KLSH-së dhe rëndësia e tyre për qytetarin dhe palët e interesit, duke iu referuar rezultateve të monitorimit të implementimit të “Strategjisë së komunikimit të KLSH-së 2017-2019” për të gjashtë objektivat e kësaj strategjie, e cila ka përfunduar në gusht të vitit 2019. Zonja Milo evidentoi pikat e forta dhe pikat e dobëta, në mënyrë që ndonjë element i parealizuar të reflektohet në Strategjinë e re të komunikimit që po përgatitet (sipas monitorimit të planit të veprimit të strategjisë së komunikimit rezulton që është implementuar në masën 90%).
Gjatë vitit 2019, shtypi i shkruar ka pasqyruar raportet dhe deklaratat për shtyp të KLSH-së në një numër prej 336 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike. Komunikimi dhe bashkëpunimi me median vijon me të njëjtën frymë dhe intensitet dhe të gjitha mediat janë ftuar të marrin pjesë edhe në analizat vjetore të Departamenteve të auditimit, duke rritur në këtë mënyrë transparencën e veprimtarisë së KLSH-së.
Për periudhën shtatë-vjeçare 2013-2019 të gjithë audituesit e KLSH-së kanë botuar në total 764 artikuj në pothuajse në të gjitha gazetat e vendit. Për të kuptuar dinamikën, mund të përmendim se për vitin 2019, 90 auditues, nga ku rreth 30% e tyre auditues të rinj, kanë qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 122 shkrime. Shkrimet e audituesve përfaqësojnë fytyrën e punës sonë audituese për gjetje dhe problematika të dala gjatë auditimit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti qytetarit.
Gjatë tetë viteve të fundit KLSH ka nënshkruar 60 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 33 me OJF dhe Universitete Publike e Private, 17 me institucione homologe dhe të tjerat me institucione shtetërore.
Zonja Milo renditi edhe aktivitete të tjera që i shërbejnë rritjes së transparencës si Organizimi për të tretin vit radhazi i Muajit të Hapur, Konferencën Young ALSAI, pjesëmarrjen në Panairin e librit, pasurimin e kolanës së botimeve të KLSH-së me 11 botime gjatë vitit 2019, etj.
Zonja Milo së fundmi u ndal në politikat e Burimeve Njerëzore, në rekrutimet cilësore, në rëndësinë që i jepet trajnimit të stafit, veçanërisht stafit të ri, ndërtimin e kujdesshëm të karrierave profesionale të stafit, etj.
Zonja Manjola Naço, Drejtore e Përgjithshme diskutoi mbi performancën e aktivitetit auditues përgjatë vitit 2019, duke e fokusuar diskutimin e saj në indikatorët e Matjes së performancës sipas fushës C të Kornizës PMF, duke ndaluar për çdo Departament në :
•Mbulimin me Auditim;
•Zbatimin e standardeve dhe proceset audituese;
•Impaktin e aktivitetit auditues sipas llojit të Auditimit.
Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit ka realizuar 14 auditime gjatë vitit 2019 dhe është mbuluar me auditim 100% e shpenzimeve (476,147 milion lekë, 28.9% PBB), Drejtoritë e thesarit dhe të buxhetit. Të ardhurat në buxhetin e shtetit në masën 449,909 milion lekë (27.3% e PBB) janë mbuluar me auditim në masën 67.9% dhe deficiti buxhetor 26,238 milionë lekë është mbuluar me auditim në masën 100% (drejtori borxhi dhe thesari). Ky nivel mbulimi i përshtatshëm për të konkluduar në një opinion të bazuar mbi ISSAI-t. Më pas zj. Naço ndaloi në impaktin që auditimet e këtij Departamenti dhe puna e KLSH-së në përgjithësi kanë dhënë në lidhje me mirë-menaxhimin e Financave Publike. Ndër të tjera cilësoi : KLSH vijon të theksojë nevojën për një proces buxhetimi kredibël se buxhetimi optimist i të ardhurave sjell programim jo real të shpenzimeve që shoqërohet më pas me shkurtime buxhetore dhe krijim detyrimesh të palikujduara. KLSH ka kërkuar një kuptim të drejtë dhe zbatimin e kërkesave të ligjit dhe akteve nënligjore për menaxhimin financiar dhe kontrollin nga institucionet publike, kjo duke synuar ngritjen e sistemeve efektive të kontrolleve të brendshme me ndikim në performancës e administratës. Raportimi financiar në sektorin publik, vijon të jetë jashtë vëmendjes së duhur të strukturave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pavarësisht se nevoja për një informacion të drejtë dhe të plotë financiar lidhet me cilësinë e vendim-marrjes qeverisëse. KLSH, thekson se risku që i vjen financave publike dhe qëndrueshmërisë fiskale të vendit, nga kontratat koncesionare/PPP është i lartë.
Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore ka realizuar 31 auditime (auditime përputhshmërie, auditime financiare dhe auditime të kombinuara), nga 28 të planifikuara. Ky departament ka mbuluar me auditim në bashki fushat : Prokurimet publike 35.5%, taksat vendore 56.8%, shitja dhe dhënia me qera e pasurisë shtetërore 2.2% dhe të tjera 6.5%. Janë audituar 659 (30.5%) procedura prokurimi nga 2,196 që janë gjithsej. Këtu u ndalua ne risqet kryesore te identifikuara lidhur me menaxhimin e financave vendore.
Lidhur me Departamentin e Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja u ndalua kryesisht ne gjetjet e auditimeve mbi projektet e huaja dhe ato IPA (6 auditime të tilla).
Departamenti i Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit ka realizuar 23 auditime nga 19 të planifikuar. Problematikat e konstatuara reflektojnë nevojën për përmirësim te punës ne strukturat e ZVRPP-ve dhe ALUIZNI e audituar.
Departamenti i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit ka realizuar 7 auditime nga 6 të planifikuara dhe janë mbuluar me auditim 17 subjekte nga 6 të mbuluara në 2018. Gjetjet nga auditimet rezultojnë në: Siguria e Informacionit 32%, Qeverisja IT 22%, Zhvillimi dhe prokurimi Outsourcing 21%, Kontrollet e Aplikacioneve 14%, Operacionet IT 6% dhe Backup plan dhe Disaster Recovery 5%.
Në fund të diskutimit, zj.Naço u përqendrua në sfidat e aktivitetit auditues për 2020 të lidhura kryesisht me parimet e profesionalizmit, integritetit dhe objektivitetit në punën e çdo audituesi.
Zoti Rinald Muça, Drejtor i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës e përqendroi diskutimin e tij lidhur me analizën e veprimtarisë audituese të Departamentit të Auditimit të Performancës në katër pika kryesore :
1.Puna audituese
Auditimi i performancës njohu rritje në cilësi, por jo dhe aq në sasi përgjatë vitit 2019.
Nga pikëpamja sasiore, në total u evaduan 15 auditime, në mbi 70 subjekte, me një numër gjetjesh, konkluzionesh e rekomandimesh, respektivisht mbi 500, 400 dhe 350. Mesatarisht për çdo auditim u realizuan 35 gjetje, 25 konkluzione dhe 25 rekomandime, shifra këto pak a shume te njëjta me një vit me pare.
Nga pikëpamja e 3E-ve, gjetje, konkluzione e rekomandime që adresonin ekonomicitetin ishin 150, eficiencën 450 dhe efektivitetin 650.
Nga pikëpamja e lëvrimit kohor, 7 nga 15 auditime u evaduan gjatë 6-mujorit të parë të vitit, ndërsa pjesa tjetër në gjysmën e dytë të tij.
Të gjitha auditimet e performancës të vitit të kaluar tjerrin problematika të mprehta, ku spikat auditimi mbi Cilësinë dhe sigurinë e barnave, Akuakultura, Mbikëqyrja e tregut te telefonisë celulare, Monitorimi i projekteve te huaja, etj.
2.Ngritja e kapaciteteve departamentale
Në 2019-n departamenti përjetoi ndryshime të pakta në staf.
Nga pikëpamja e trajnimeve, përgjithësisht është respektuar numri minimal i ditëve të trajnimit (25 në vit), por mungon publikimi i kalendarit të trajnimeve që në fillim të vitit, gjë që i jep mundësi drejtuesve të grupeve të planifikojnë kohën për auditim, nuk ka kurrikula koherente trajnuese. Lidhur me rekrutimet, formimi i anëtarëve të departamentit vazhdon të mbetet i larmishëm, sikurse e kërkon edhe auditimi i performancës. Mbizotërojnë ekonomistët dhe juristët, por kemi gjithashtu edhe inxhinierë mjedisi, marrëdhënie ndërkombëtare, etj. Mosha mesatare e dept. aktualisht është 43 vjeç.
3.Komunikimi
Në aspektin e komunikimit, departamenti ka publikuar në faqen zyrtare të KLSH-së të gjitha auditimet e vitit 2019, në formën e ekstraktit të vendimit të Kryetarit. Në faqen tonë zyrtare publikohet raporti i plotë, gjë që departamenti e bën edhe në faqen tonë të FB, LinkedIn dhe Instagram, por të shtrirë në një hark kohor më të gjatë.
Lidhur me prezencën në FB, viti 2019 shënoi rritje të audiencës. Aktualisht kemi 3500 ndjekës, por në rastin e publikimeve të auditimeve të mira, arrijmë një audiencë prej 20.000-21.000 personash përmes sponsorizimit të postimit.
Në median e shkruar kemi qenë të pranishëm vitin e shkuar me mbi 20 artikuj si departament ndërsa në revistën tonë të KLSH-së me rreth 1-2 të tilla.
4.E ardhmja departamentale
Për 2020-n kemi në plan të evadojmë 18 auditime të reja. Në terma institucionale, puna në departament do të zerë 14% të numrit të auditimeve në KLSH. Sfida më e madhe vazhdojnë të mbeten raportet me impakt në Kuvend dhe publik, që në fakt është një sfidë shumë-dimensionale.
Zonja Silvana Ramadani, audituese në Departamentin e Auditimit të Performancës, informoi mbi zhvillimin në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në datat 17-21 shkurt 2020, të Workshop-it mbi vetëvlerësimin e integritetit IntoSAINT. Ky Workshop u organizua në vijimësi të aktiviteteve të zhvilluara nga Task Forca e EUROSAI-t për Auditimin dhe Etikën. Objektivi kryesor për krijimin e kësaj Task Force ishte promovimi i rëndësisë së sjelljes etike si në Institucionet Supreme të Auditimit ashtu edhe në organizatat e sektorit publik.
Me qëllim përmbushjen e këtij objektivi, në periudhën 2017-2020 aktivitetet e kësaj Task Force u fokusuan në rishikimin e ISSAI 30, mbështetjen e implementimit të ISSAI 130 dhe inkurajimi i KLSH-ve për të promovuar integritetin në sektorin publik.
Zonja Ramadani vijoi me metodologjinë e përdorur për vetëvlerësimin e integritetit në këtë Workshop dhe objektin e këtij procesi që ishte e gjithë veprimtaria Institucionale e KLSH-së. Grupi i 15 pjesëmarrësve të KLSH-së në këtë seminar evidentoi disa nga risqet që mund të ndikojnë në cënueshmërinë e integritetit. Bazuar në përgjigjet e dhëna nga audituesit e KLSH-së në fund të procesit të vetëvlerësimit të integritetit u propozuan disa rekomandime të cilat kanë si qëllim përmirësimin e mëtejshëm e të vazhdueshëm, si dhe konsolidimin e strukturave dhe politikave për integritetin në KLSH.
Në përfundim të këtij Workshop-i, grup i moderatorëve vlerësoj pozitivisht punën dhe rezultatet e arritura për mirëmenaxhimin dhe funksionimin institucional duke çmuar dhe vlerësuar në mënyrë të veçantë drejtimin menaxherial të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka iniciuar ndryshime thelbësore që lidhen me miratimin e Kodit të ri Etik të KLSH-së, dokument tërësisht në përputhje me ISSAI 30 dhe praktikat më të mira të fushës, përkthimin në gjuhën shqipe të ISSAI 30, botimin “ Forcimi i Infrastrukturës Etike në SAI-e dhe Auditimi i Etikës në Sektorin Publik” si dhe botimin “INTOSaint- Manuali i Vetëvlerësimit të Integritetit për institucionet Supreme të Auditimit” .
Seminari u përmbyll me prezantimin e raportit final nga moderatorët për stafin menaxherial.
Gjatë muajit janar të këtij viti të gjitha departamentet e auditimit te KLSH-së zhvilluan analizat e tyre vjetore te punës lidhur me veprimtarinë audituese te vitit 2019, gjate te cilave është diskutuar gjerësisht lidhur me auditimet e kryera përgjatë 2019 duke evidentuar pikat e forta dhe pikat e dobëta me qellim përmirësimin e punës ne te ardhmen. Drejtoret e departamenteve të auditimit bene një analize te punës se departamenteve që drejtojnë, duke analizuar çdo auditim, duke evidentuar punën e çdo grupi auditimi dhe përcaktuan sfidat për vitin 2020 ( njoftime te zgjeruara te analizave te punes audituese për çdo departament auditimi gjenden te publikuara ne faqen zyrtare te KLSH-së). Diskutimet u mbajtën nga :
•Z.Bashkim Arizaj, Drejtor, Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qëndrore;
•Znj.Valbona Gaxha, Kryeaudituese, Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit,;
•Znj.Yllka Pulashi, Drejtore, Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja;
•Z. Artan Mirashi, Kryeauditues, Departamenti i Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit
(Materiali është përgatitur nga z.Bajram Lamaj, Drejtor Departamenti);
•Z. Kozma Kondakçiu, Drejtor, Departamenti Auditimit IT;
•Z. Vullnet Karafilaj, Drejtor, Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore;
•Z.Gjovalin Preçi, Drejtor, Departamenti i Metodologjisë, Standarteve dhe Sigurimit të Cilësisë së Auditimit;
•Z.Artur Hasanbelliu, Drejtor, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm ;
•Z.Koço Sokoli, Drejtor, Departamenti Juridik.
Paraditen e datës 28 shkurt, një grup drejtuesish të KLSH-së, z.Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit,z.Qeram Cibaku, Drejtor i Drejtorisë së Metodologjisë dhe Zhvillimit, znj. Aulona Jani, Kryeaudituese në Departamentin e Auditimit të Institucioneve Qëndrore, znj. Valbona Gaxha, Kryeaudituese në Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit, zhvilluan leksione të hapura me studentët e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë. Leksionet u ndoqën me interes nga studentet dhe ne funksion te tematikave te caktuara edhe nga pedagogë të këtij universiteti.
Në përfundim të aktiviteteve të ditës së parë me shume interes nga të pranishmit u ndoqët prezantimet e auditimeve më të mira të vitit 2019 për çdo Departament auditimi:
•Zoti Rigels Guzi, Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit, “Auditim përputhshmërie, Drejtoria e Koncesioneve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë”;
•Zonja Mariola Llanaj, Departamenti i Auditimit të Institucione Qendrore, “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Tiranë”;
•Zonja Lolita Baholli, Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore,“ Auditim Financiar dhe përputhshmërie në Bashkinë Sarandë “;
•Zonja Ermira Vojka, Departamenti i Auditimit të Performancës, “Performanca e MBZH-së në kuadër të zbatimit të politikave të peshkimit dhe akuakulturës”;
•Zoti Benard Haka, Departamenti i Auditimit të IT, “ Auditimi i sistemeve të TI në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë”;
•Zoti Artan Topjana, Departamenti i Auditimit të Shoqerive Publike dhe Investimeve te Huaja, “ Auditim përputhshmërie në Shoqërinë ALBPETRO sh.a. Patos “;
•Zoti Dorino Meçe, Departamenti i Auditimit te Aseteve dhe Mjedisit, “Auditimi i Zyrës Vendore të ASHK(ish ZVRPP), Bulqizë “.
Në përfundim të Analizës vjetore të KLSH-së për vitin 2019, Kryetari i KLSH-së përcaktoi sfidat dhe prioritetet e institucionit për vitin 2020 :
1.KLSH do të vijojë qasjen e auditimit të jashtëm të bazuar në risk, e iniciuar për herë të parë në qershor 2018. Në zbatim te rekomandimeve të Progres Raportit të Këshillit të Evropës , do të synohet rritja e numrit të auditimeve të performancës dhe atyre të IT në totalin e auditimeve të KLSH me prioritet të theksuar ndaj tyre.
2.Auditimet financiare do të rezultojnë me opinione të auditimit profesional, duke përfshirë dhe dhënien e opinionit mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, proces i filluar që në vitin 2017. Përmirësimi i cilësisë së auditimit, në qëllimin që aktivitetet e auditimit të zbatohen në përputhje me kërkesat e Rregullores së Procedurave te Auditimit..
3.Intensifikimi i proceseve të Zbatimit të Rekomandimeve, në frymën e Parimit nr. 7 të Deklaratës së Meksikos . dhe Udhëzimit të KLSH-së nr.1, datë 04.11.2016 “Mbi procedurat për ndjekjen dhe dokumentimin e punës, në auditimin e verifikimit të zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke reflektuar përmirësimet e kuadrit rregullator dhe funksional të KLSH-së.
4.Zbatimi i dokumentit të politikave mbi Burimeve Njerëzore, ku janë përfshirë nëntë elementët e tij përbërës, dhe mund të nënvizojmë si rekrutimet e audituesve me përvojë, forcimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimit, domosdoshmërinë e kulturës së edukimit të vazhduar, promovimin e vlerave etike të stafit, etj .
5.Në fushën e Kontrollit të Cilësisë për KLSH , roli ynë në përputhje me ISSAI 40, do të jetë duke i dhënë rëndësinë e duhur monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së angazhimeve si dhe realizimit të përvitshëm të procesit të kontrollit të cilësisë në të ftohtë, dhe angazhimit të KLSH ndaj parimeve etike.
6.Në aspektin e metodologjisë dhe zhvillimit, fokusi ynë do të jetë rishikimi dhe përmirësimi i manualeve dhe metodologjive, duke finalizuar në bashkëpunim me SIGMA-n, Udhëzuesin për auditimin e buxhetit të shtetit.
7.Vijimësia e masave për të përmirësuar zhvillimin profesional të stafit të auditues. KLSH në zbatimin e planit te zhvillimit strategjik 2018-2022 dhe strategjisë se komunikimit 2017-2019 synon forcimin e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional te audituesve, duke ruajtjur akordin e 25 ditëve trajnim profesional mesatarisht në vit, sipas programit të integruar të zhvillimit profesional të miratuar me Vendimin e Kryetarit te KLSH-së nr. 187, datë 31.12.2019.
8.Organizimi dhe mbajtja e Konferencës së VII-të Ndërkombëtare te KLSH-së me objekt “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2030 dhe Shqipëria”.
9.Avancimi ne aplikimin e softwar-eve ne funksion te auditimit (rasti ynë me SIMMPA), si dhe përmirësimi e rishikimi i rregullores se procedurave te auditimit të KLSH, në drejtime të veçanta si mbi formulimin e opinioneve të auditimit dhe standardizimin e letrave te punës, etj.
10.KLSH do të vazhdojë impenjimin në shkëmbimin e përvojave nderkombëtarisht, përmes pjesëmarrjes në tryezat e grupeve të punës së EUROSAI dhe INTOSAI-t; kryerjes se auditimeve pilote, paralele dhe të përbashkëta me SAI partnere, sipas motos së INTOSAI-t, se “nga përvojat e përbashkëta përfitojnë të gjithë”. Nën këtë okeljo, KLSH konsideron primare shkëmbin ndërkombëtar të eksperiencave, sipas definimeve të nenit 15 të ISSAI 1, duke qenë një pjesëtar aktiv, nëpërmjet kontributeve dhe angazhimit në grupet e punës së EUROSAI-t dhe në takimet rajonale me dobi të përbashkët.
11.KLSH do të vijojë me hartimin e Raportit të Monitorimit të përvitshëm të Strategjisë së Zhvillimit, në se objektivat janë SMART (specifike, të matshëm, të arritshëm dhe në se realizohen në kohë), duke evidentuar ecurinë e zbatimit të saj dhe që do të shërbejë për rishikimin e kësaj Strategjie.
12. Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse.
13. Do të analizohet dhe do të thellohet Strategjia e Komunikimit 2017-2019, nëpërmjet rritjes së komunikimit të brendshëm në institucion dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet departamenteve.
14. Rritja e impaktit të punës audituese me fokus 6 E-të: eficiencë, efektivitet, ekonomicitet, etikë, mjedis (environment) dhe energji.
15. Do të synojmë në realizimin e sfidës për hartimin e “Hartës së Riskut në nivel kombëtar”, si një dokument gjithëpërfshirës që përcakton dhe vlerëson riskun politik, ekonomik, social, teknik dhe mjedisor në të gjithë sektorin publik në Shqipëri.
Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucioni më i lartë ekonomiko-financiar do të udhëhiqet nga parimi i përmbushjes së detyrimeve kushtetuese duke vepruar si agjent i Kuvendit për të siguruar rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në përdorimin e parasë publike nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe lokale.
***
Në datën 29 shkurt, analiza e institucionit vijoi me disa aktivitete sociale, fillimisht me një vizitë në Bibliotekën e qytetit të Vlorës “Shefqet Musaraj”, me qëllim dhurimin e kolanës së botimeve të KLSH-së për vitin 2019, 11 tituj:
•Performanca e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2018 ( në shqip dhe në anglisht);
•Revista Kërkimore-Shkencore, “Auditimi Publik” (Nr.21, Nr.22 dhe Nr.23);
•Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik;
•3 Vjet Auditim i Jashtëm Publik ;
•Rregullorja e procedurave të Auditimit të KLSH-së dhe Rregullorja e Sistemit të Menaxhimit të Proceseve;
•Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm (vëllimi XXII);
•Konferenca Young ALSAI 2019;
•GAO dhe NIK –Leksionet e Dodaros
Nuk është hera e parë që KLSH dhuron botimet e saj në Bibliotekat e qyteteve të ndryshme të vendit dhe në bibliotekat e Universiteteve. Në këtë bibliotekë KLSH ka dhuruar plot 113 tituj librash (kolanën e plotë të botimeve), mes të cilëve mund të veçojmë 23 numra të Revistës kërkimore Shkencore “Auditimi Publik”.
Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj bëri një pasqyrë të botimeve të KLSH-së në 8 vite, duke theksuar rëndësinë e madhe që kanë për transparencën e veprimtarisë së institucionit (113 botime në 8 vitet e fundit dhe vetëm 12 botime në 20 vjet (1991-2011).
Zonja Eda Rama, Drejtoresha e Bibliotekës falenderoi përzemërsisht z.Leskaj për kujdesin që tregon për qytetin e Vlorës dhe veçanërisht për bibliotekën e qytetit, mik i së cilës është që në fëmijërinë e tij.
Pas kësaj vizite të gjithë audituesit e KLSH-së u mblodhën përsëri në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali” për të diskutuar për librin më të ri të autorit Preç Zogaj “Anjeza nuk u zgjua”. Në këtë përurim morën pjesë Rektori i Universitetit, z. Roland Zisi, Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, Zv/Kryetari i Shoqatës “Petro Marko”, poeti Eqerem Canaj dhe znj.Edlira Cerkezi, titullare e Grupit mësimor të letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali”.
Të gjithë vlerësuan veprën e z.Zogaj si një titull në prozë që vjen natyrshëm në veprat e tij. Zogaj rikthehet me këtë roman që na çon pas në kohë, në Lezhën e vitit 1985. I shkruar me stilin realist me gjithë tragjizmin që mbart historia, Zogaj tregon me këtë vepër se tema e dashurisë është krye-tema e letërsisë dhe çdo vepër që shkruhet është thjesht një përsosje e kësaj teme. Në këtë roman shkrimtari Zogaj shkëlqen me rrëfimin e tij.
Poeti, analisti dhe publicisti Zogaj përshëndeti audituesit e KLSH-se dhe foli me modesti për veprën e tij të fundit, duke vlerësuar interesin e këtij stafi për librin. Një falenderim të veçante z. Zogaj adresoi për z.Bujar Leskaj, duke e cilësuar si mik të shkrimtarëve dhe dashamirës të letërsisë.
Pas librit “Anjeza nuk u zgjua”, aktiviteti u fokusua në veprën e shkrimtarit “Petro Marko”.
Kryetari i KLSH-së duke iu referuar jetës dhe veprës së Petro Markos nënvizoi : “...Sa herë flitet për njerëz të dimensionit dhe talentit të Petro Markos, unë mendoj se krijohet një mundësi për të folur dhe bashkëbiseduar për gjera të rëndësishme të vendit, kombit, kulturës dhe të letërsisë. Petro Marko ishte i tillë dhe si i tillë ai të “imponon” pasi në personin e tij janë shpalosur dy dimensione të mëdha: njeriu dhe shkrimtari. Ashtu siç ndodh, çdo njeri i madh mund të mos jetë një shkrimtar i madh , dhe anasjelltas tek Petro Marko ishin bere bashkë, dhe njeriu dhe shkrimtari i madh. Historitë e njerëzve të dëgjuar në botë na ka afruar njohje te rralla për mbijetesën e njerëzve te veçantë. Petro Marko ka një histori mbijetese si njeri dhe si shkrimtar. Rrugët e dijes dhe të veprimtarisë së tij që në rininë e hershme, kryqëzohen me personalitetet e dijes më të mirë shqiptare që nga Kole Kamsi, Ernest Koliqi, Hil Mosi, Asim Vokshi, Omer Nishani e poetet e mjerimit Migjeni, Llazar Fundo, etj.Petro Marko u përplas sa ne njërën ane ne anën tjetër te kohës, për shkakun e ekuilibrave te prishur te zhvillimeve ne vend dhe ne Evrope por edhe për shkak te karakterit te tij, me shqisën dhe nevojën e lirisë individuale dhe shoqërore. Ai u përplas me te gjithë regjimet politike ne te cilat jetoi, qofte atë monarkist, fashist, nazist dhe atë te totalitarizmit shqiptar duke qene njeri me personalitet letrar dhe publicistike me te persekutuar te Shqipërisë. Pena e tij nuk qe kurrë lajkatare dhe pse ku e zinte një vit nuk e zinte tjetri. Petro Marko mbeti një njeri ku koncepti i lirisë shfaqej ne te gjithë format e veta, pavarësisht ndryshimeve dhe zhvillimeve vepra e tij artistike nuk ka pasur dhe as do te ketë nevoje te revizionohet”.
Më pas e mori fjalën Prof.Dr.Bardhosh Gaçe, i cili me thjeshtësi, me dashuri dhe me natyrshmëri shpalosi veprën dhe karakterin e një prej miqve të tij më të ngushtë, shkrimtarit Petro Marko. Profesor Gace foli për vështirësitë e diktaturës dhe për veprën letrare të këtij gjigandi të letrave shqipe. Audituesit e ndoqën me shume interes këtë rrëfim të pazakontë dhe unik të një miku për mikun e tij, duke kujtuar me nostalgji këtë njeri të jashtëzakonshëm që ka lënë emër në letërsinë shqipe.
Me këto aktivitete u mbyll analiza vjetore e KLSH-së për vitin 2019.