Njoftime

Kryetari i KLSH-së zhvillon një takim me Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Shqipërisë

04.03.2020

Në datën 2 mars 2020 në ambientet e KLSH-së u zhvillua një takim mes Kryetarit të KLSH-së, z.Bujar Leskaj dhe Ambasadorit të Zvicrës në Republikën e Shqipërisë SHTZ. Adrian Maître. Qëllimi i takimit ishte diskutimi mbi nënshkrimin javën e ardhme të marrëveshjes së bashkëpunimit mbi projektin “Forcimi i auditimit të jashtëm lidhur me mbikëqyrjen e Koncensioneve  dhe PPP”.
Ky projekt ka si qëllim kryesor rritjen e kontributit të KLSH-së për të forcuar llogaridhënien qeveritare në përdorimin e fondeve publike përmes auditimeve më profesionale dhe gjithëpërfshirëse të prokurimeve publike, koncesioneve dhe partneriteteve publike-private dhe do të financohet nga Swiss State Secretariat for Economic Affairs (SECO).

switz

Zoti Leskaj falënderoi fillimisht Ambasadorin Maître për mbështetjen që SECO po i jep KLSH-së dhe për kontributin që Zvicra po jep për zhvillimin e Shqipërisë në përgjithësi. Ne si KLSH- vijoi z.Leskaj- do të jemi një partner shumë serioz dhe do të punojmë fort që objektivat e këtij projekti të përmbushen plotësisht, duke qenë të sigurtë se përfitimi i audituesve të KLSH-së do të jetë shumë dimensional, duke vlerësuar njëkohësisht faktin që ky projekt do të realizohet me kontributin e taksapaguesve zviceranë. Projekti vjen në kohën e duhur për KLSH-në dhe është në përputhje me një prej objektivave më të rëndësishëm të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH-së, atë të forcimit të kapaciteteve audituese. Ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm sepse do të jetë një mbështetje për KLSH-në për të thelluar më tej bashkëpunimin me Institucionin Suprem të Konfederatës zvicerane, veçanërisht në drejtim të auditimit të Teknologjisë së Informacionit, fushë në të cilën SAI i Zvicrës ka rezultate shumë të mira.

Ambasadori Maître falënderoi z. Leskaj për pritjen dhe shprehu kënaqësinë që ky projekt po mirëpritet nga KLSH. Projekti i shërben forcimit të kapaciteteve profesionale të institucioneve shqiptare dhe veçanërisht Institucionit Suprem të Auditimit, misioni i të cilit është i vështirë dhe nuk mirëkuptohet nga të gjithë,  prandaj puna e audituesve është gjithnjë një sfidë. Zoti Leskaj-vijoi Ambasadori- u shpreh që KLSH do të bëjë përpjekjet maksimale, ndër të tjera, edhe për faktin që projekti financohet nga taksapaguesit zviceranë. Unë do të shtoja që jam dyfish i kënaqur sepse projekti do të ndihmojë në mirë-menaxhimin e taksave të qytetarëve shqiptarë”.
Ambasadori vlerësoi punën e KLSH-së dhe faktin që ky projekt dy vjeçar do të ndihmojë në auditimin më profesional te fondeve publike në fushën e prokurimeve, koncesioneve dhe PPP-ve.

Në fund të takimit Kryetari i KLSH-së i dhuroi Ambasadorit të Zvicrës dy botime të kolanës së KLSH-së në gjuhën angleze, “Raportin e veprimtarisë së KLSH-së për vitin 2018” dhe “Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së për periudhën 2018-2022; Plani strategjik i EUROSAI-t për periudhën 2017-2023; Plani strategjik i INTOSAI-t për periudhën 2017-2022”.

Bashkëpunimi mes KLSH-së dhe SECO-s do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së, por do të jetë njëkohësisht edhe promotori i mbështetjes së Konfederatës zvicerane për Republikën e Shqipërisë.