KLSH merr pjesë në Hackathon –in e parë ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit
19.03.2020
Në datat 3-5 mars 2020 në Pragë të Çekisë, u zhvillua “Hackathon-i” i parë ndërkombëtar i institucioneve Supreme te Auditimit, i organizuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke, me rreth 70 pjesëmarrës nga 26 SAI dhe vëzhgues të INTOSAI-t.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të qëllimit strategjik të EUROSAI “Bashkëpunimi profesional” dhe rezultatet e tij do të paraqiten si pjesë e një workshop-i në Kongresin e XI-të të EUROSAI-t, i cili do të zhvillohet këtë vit në Pragë. Hackathon mblodhi ekspertë të TI-së, analistë të të dhënave, hartues grafikësh dhe auditues nga Institucionet Supreme të Auditimit me qëllim krijimin e mjeteve që ndihmojnë dhe rregullojnë proceset e punës audituese të SAI-ve.
Hackathon kishte në fokus krijimin e modeleve inovative dhe gjetjen e zgjidhjeve nëpërmjet përdorimit të Teknologjisë së Informacionit kryesisht për krijimin dhe aplikimin e programeve informatike, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përformancës së SAI-ve, duke reduktuar kostot e punës audituese. Të gjitha këto produkte u ideuan dhe u krijuan nga pjesëmarrësit përmes përdorimit të të dhënave të siguruara nga institucionet individuale të auditimit, të cilat morën pjesë në Hackathon. Të dhënat përfshijnë open data të vendeve të EUROSAI-t, të dhënat nga zyrat e statistikave kombëtare, si dhe nga institucione të tjera, p.sh., EUROSTAT. Për qëllime të takimit, pjesëmarrësit u pajisën gjithashtu me të dhëna të simuluara rreth auditimeve, të cilat nuk pasqyronin auditimet e kryera në të vërtetë, por ishin të lidhura tematikisht me fushat e audituara.
Përpunimi dhe vizualizimi i të dhënave është e ardhmja për Institucionet Supreme të Auditimit. Metodat dhe mjetet e zhvilluara mund të përmirësojnë efektivitetin e SAI-ve, të thjeshtojnë punën e audituesve dhe mbi të gjitha mbetet shumë e rëndësishme për krahasimin ndërkombëtar të të dhënave.
Dita e parë e aktivitetit u çel me përshëndetjen e Presidentit të Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Ceke z. Miroslav Kala, në kuadrin e organizatorëve të këtij aktiviteti, i cili ndër të tjera vuri theksin tek domosdoshmëria dhe cilësia e të dhënave, besueshmëria e tyre për përdorimin me efektivitet gjatë vlerësimit të zonave të riskut për veprimtarinë audituese. Përgjatë ditës së parë pjesëmarrësit prezantuan idetë dhe formuan grupet e punës, përcaktuan të dhënat dhe idetë për përpunimin e tyre si edhe përdorimin e softuerëve për analizimin dhe vizualizimin e të dhënave, dhe mundësinë e krijimit të aplikacioneve të reja. Përfaqësues në këtë aktivitet nga KLSH ishin audituesit Benard Haka, Elisa Metaj, Elsona Papadhima dhe Alfred Leskaj.
Burimi: EUROSAI News
Audituesit e KLSH-së u angazhuan në përpunimin, analizimin dhe vizualizimin e të dhënave të marra nga evidencat e auditimeve të realizuara nga KLSH. Në grupin e të dhënave të përpunuara nga audituesit u përfshinë edhe të dhëna të marra nga EUROSTAT në lidhje me transaksionet financiare të një viti të plotë buxhetor.
Në ditën e dytë puna vijoi e strukturuar në dy kategori duke u bazuar në objektivat e ditës së parë, ku disa grupe e fokusuan punën e tyre në programimin e një aplikacioni dhe grupet e tjera vazhduan punën intensive mbi analizimin dhe vizualizimin e të dhënave. Përgjatë aktivitetit të ditës së dytë u përcaktua edhe mënyra e prezantimit të rezultateve të punës dhe vlerësimi i tyre.
Dita e tretë e aktivitetit konsistoi në prezantimin e rezultateve të punës dhe përzgjedhjen nga juria të zgjidhjeve më interesante të propozuara për të lehtësuar punën audituese. Në total u krijuan 11 aplikacione dhe vizualizime. Juria e ndërtuar me ekspertë të fushës përzgjodhi tre projektet fituese.
Vendi i parë iu akordua “Vizualizimit që lehtëson punën me të dhënat e mbledhura në bazën e të dhënave të auditimeve të EUROSAI. Ai mundëson të shihen këto të dhëna në një mënyrë më analitike dhe të sigurohet një përmbledhje efektive e këtyre të dhënave”. (Skuadra me përfaqësues nga Franca, Estoni dhe Kroacia)
Vendi i dytë iu akordua “Aplikacionit i quajtur "ROD4SAI". Kjo aplikacion u krijua në bazë të të dhënave të hapura të Parlamentit Suedez. Një bazë e të dhënave e zgjeruar bëhet një pjesë e një faqeje e cila përmban një përmbledhje të raporteve dhe referencave, si dhe informacione të tjera mbi SAI-n e Suedisë të përmendura në fjalimet e Parlamentit. (Skuadra me përfaqësues nga Suedia dhe Gjermania).
Vendi i tretë iu akordua Vizualizimit çek të quajtur "AuditsToGAEther", i cili u mundëson SAI-ve që të krahasojnë reciprokisht auditimet e tyre të planifikuara dhe auditimet në përgatitje. Ekipi punoi me të dhëna nga planet e auditimit të SAI-ve, si dhe me të dhëna statistikore nga institucionet ndërkombëtare si EUROSTAT, OECD, Komisioni Evropian dhe të tjerët. (Skuadra me përfaqësues nga Çekia).
Në përfundim të aktivitetit z. Miroslav Kala, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Ceke falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe punën intensive përgjatë aktivitetit dhe theksoi se bashkëpunimi dhe ndarja e eksperiencave në këto kohë është thelbësore dhe që duke punuar bashkërisht për një kooperim në të mirë. Ndër të tjera ai shtoi se rezultatet e Hackathon-it të parë do të prezantohen edhe në Kongresin e EUROSAI-t që do të mbahet në qershor 2020.