Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotin Arben Shehu
14.07.2020
Presidenti i Republikës në këtë takim të parë zyrtar, i uroi suksese z. Shehu për zgjedhjen e tij nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kryetarit të KLSH-së, të një prej institucioneve të pavarura kushtetuese më të rëndësishme të vendit.
Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë kushtetues i kontrollit ekonomik dhe financiar dhe veprimtaria e këtij institucioni duhet të shërbejë veç të tjerave edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së çdo institucioni publik në menaxhimin e pasurisë publike, pa asnjë dallim, duke nisur nga Institucioni i Presidentit të Republikës”.
Presidenti Meta theksoi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar politikisht duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i shprehu mirënjohjen Presidentit Meta për pritjen që i rezervoi dhe besimin ndaj tij, duke e garantuar në të njëjtën kohë për ushtrimin me transparencë, profesionalizëm, përgjegjësi të lartë dhe të depolitizuar të detyrave të tij si Kryetar i KLSH-së.