KLSH rekomandon pezullimin e procesit të prishjes së objekteve arsimore Bashkia Durrës
04.09.2020
Pas shqetësimit të komunitetit të prindërve dhe medias në lidhje me procesin e shembjes së objekteve arsimore në Bashkinë Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSh) ka nisur auditim tematik në institucionet Ministria e Shtetit për Rindërtim dhe Bashkia Durrës.
Auditimi ka për objekt zbatimin e procedurave ligjore në lidhje me Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, në lidhje me objektet arsimore të Bashkisë Durrës, të cilat janë përfshirë në listën e objekteve që do të rindërtohen dhe rikonstruktohen.
Ky auditim ka filluar në datën 31.08.2020 dhe përfundon në datën 01.10.2020.
Duke patur parasysh se objekti i këtij auditimi është ligjshmëria e vendimmarrjes së klasifikimit të objekteve arsimore, si objekte që do të rikonstruktohen/rindërtohen, rrjedhimisht objekt i këtij auditimi është edhe verifikimi në terren këtyre objekteve.
Në kushtet kur grupit të auditimit të KLSH-së, i cili po kryen verifikimin në terren të objekteve, i është bërë me dije se, për disa nga objektet arsimore të parashikuara në Vendimin nr. 32, datë 02.07.2020 të Komisionit Shtetëror të Rindërtimit, si objekte që do të rindërtohen, është njoftuar lirimi i ambienteve brenda 10 ditëve dhe spostimi i aktivitetit mësimor në ambiente të tjera, kemi rekomanduar pezullimin e procesit të prishjes së objekteve arsimore të Bashkisë Durrës, të cilat janë klasifikuar si objekte që do të rindërtohen/rikonstruktohen, deri në datën 01.10.2020. Ky afat i cili përkon me përfundimin e auditimit të KLSH-së.