Njoftime

Rezultatet e Konferencës YOUNG EUROSAI dhe rruga drejt inovacionit

   Për herë të parë këtë vit, EUROSAI organizoi në Hollandë konferencën YOUNG EUROSAI ku morën pjesë auditues të rinj nga të gjithë vendet anëtare të INTOSAI-t. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga znj.Evis Çela, Audituese e Lartë në Departamentin e Auditimit të Performancës.

Përgatitjet për këtë konferencë kanë filluar disa muaj më parë dhe nga Institucionet Supreme të Auditimit u kërkua pjesëmarrja e audituesve të rinj, me kriter të përcaktuar moshën e tyre nën 35 vjeç. Të gjithë personat e caktuar për të marrë pjesë, duhet të jepnin kontributin e tyre me ide apo opinione për mënyrën se si duhej organizuar më së miri kjo konferencë. Gjithashtu, duke qenë se konferenca do të përbëhej nga disa workshop-e të një natyre inovative, kërkohej nga secili vend anëtar i INTOSAI-t opinioni për fushën që duhet të përfshihej në diskutime. Gjatë fazës së parë përgatitore të konferencës, secilit prej nesh ju kërkua të paraqiste disa nga inovacionet apo risitë që institucioni përkatës ka pasur vitet e fundit. Ne si KLSH, menduam të paraqesim si risi tonën bashkëpunimin e institucionit me organizatat e shoqërisë civile, përfshirjen e tyre si përcjellës të mendimeve të qytetarëve apo kontributin që mund të sjellin me propozimin e temave të auditimit dhe ofrimin e njohurive apo ekspertizës së tyre në fusha specifike. Kjo temë u përzgjodh nga organizatorët si pjesë e diskutimeve në njërin nga workshop-et e organizuara.

   Fokusi i kësaj konference ishte procesi i inovacionit, domosdoshmëria dhe rëndësia e tij për Institucionet Supreme të Auditimit. Rezultatet e saj do të përdoren si inpute për kongresin e ardhshëm EUROSAI që do të zhvillohet në qershor 2014, i cili gjithashtu do të ketë si temë qëndrore inovacionin.

Young EUROSAI ishte një konferencë ndryshe nga të tjerat, e mbushur me elementë inovativë, në përputhje me misionin dhe fokusin që kishte përcaktuar që në fillim të krijimit të saj. Konferenca u zhvillua në sallën e madhe të Universitetit të Transportit dhe Logjistikës në Roterdam.

Sipërmarrës të suksesshëm dhe njerëz të botës së biznesit në prezantimet e tyre gjatë konferencës, theksuan mbi të gjitha nevojën dhe domosdoshmërinë për të ndryshuar e për të sjellë vazhdimisht ide të reja apo produkte inovative, si të vetmen masë parandaluese që mund të shmangë “daljen nga tregu”.

Ndërsa një nga ekspertët më të mirë dhe më të paguar të Hollandës për çështjet e dizenjimit grafik theksoi se përdorimi i “grafic design” po rritet me ritme shumë të shpejta dhe sot gjithnjë e më tepër kërkohet nga organizatat publike thjeshtësimi i mesazheve të përcjella dhe vizualizimi i informacionit më tepër se sa analizimi i tij. Ai solli gjithashtu shembullin e një institucioni publik në Hollandë, i cili ka publikuar një raport të veprimtarisë së tij vetëm me figura dhe ilustrime grafike, pa asnjë paragraf me fjalë të shkruara.

   Në këtë konferencë, ndër të tjera, u trajtuan temat e mëposhtme nëpërmet workshop-eve:

1. Metodat e auditimit të performancës, ku një audituese nga Gjykata Europiane të Llogarive bëri një prezantim të shkurtër rreth metodave që përdoren në këtë institucion kryesisht për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave. Një nga idetë kryesore të këtij workshop-i, ishte se shumë shpesh audituesit e performancës, ndryshe nga audituesit financiarë, ndeshen me vështirësinë e mungesës së të dhënave për këtë lloj auditimi. Për këtë arsye, Institucionet Supreme të Auditimit duhet të nxisin qeverinë dhe institucionet publike për të ruajtur të dhëna të vlefshme dhe për ti strukturuar ato në mënyrën më të mirë të mundshme. Si shembull u paraqitën vështirësitë që disa vende europiane kanë hasur në auditimin e performancës që vlerësonte cilësinë e shërbimit të ambulancave, ku mungonin të dhënat për shpejtësinë me të cilën ambulancat shtetërore u përgjigjeshin qytetarëve. Pra, nuk kishte një sistem i cili regjistronte orën e telefonatës së ardhur për ndihmë dhe orën kur pacienti ishte dërguar në spital nga ambulanca, për të kuptuar shpejtësinë e reagimit të tyre. Duke parë këtë mungesë të dhënash, është rekomanduar që të ngrihet një sistem i regjistrimit të telefonatave dhe që mund të masë shpejtësinë e reagimit të ambulancave.

2. Përmirësime në auditimin e performancës, ku një audituese nga Zyra e Auditimit të Islandës paraqiti risitë e auditimit të performancës në këtë institucion. Raportet e tyre të performancës vitet e fundit ishin reduktuar ndjeshëm si volum faqesh duke arritur në maksimumi 25-30 faqe. Ky institucion në disa raste publikonte raporte auditimi të përbërë nga një faqe e vetme, në të cilën paraqiten vetëm konkuzionet kryesore të auditimit. Kjo qasje nxiste fokusimin e punës audituese në një segment të caktuar të temave të përzgjedhura. Psh, në një auditim të kryer prej tyre në lidhje me cilësinë e shërbimit shëndetësor, nga të gjithë elementët ku mund të fokusoheshin për ta matur atë, ata kishin përzgjedhur kohën që një pacienti i duhet të presë kur shkon për të marrë ndihmën mjekësore.

3. Të ndjekësh paranë, ku një nga audituesit e Gjykatës së Llogarive të Hollandës bëri një prezantim të shkurtër rreth “open spending”, pra publikimit të transaksioneve financiare për publikun. Gjykata e Llogarive e Hollandës, pas një periudhe përgatitore prej dy vjetësh, kishte filluar procesin e hapjes së të dhënave financiare dhe në vitin 2014 planifikonte të publikonte online të gjitha transaksionet financiare të kryera gjatë vitit të mëparshëm, duke promovuar kështu transparencën dhe duke nxitur nëpërmjet shembullit të tyre edhe institucionet e tjera publike të bëjnë të njëjtën gjë. Në këtë drejtim, ata kishin vendosur një nivel të caktuar privatësie, si p.sh në rastet e udhëtimeve për punë jashtë vendit, vendosnin “udhëtim pune auditues“ pa përcaktuar emrin konkret të personit në fjalë.

4. Të ndërtosh marrëdhënie të suksesshme partneriteti, është pikërisht tema e propozuar nga KLSH në fazën përgatitore të konferencës dhe që u përzgjodh si fokus i një workshop-i. Një nga audituesit e Gjykatës së Llogarive të Hollandës solli shembullin e tij të bashkëpunimit me kolegë në vendet e tjera Europiane në kuadër të auditimit të NATO-s si dhe me organizata të shoqërisë civile në punën e përditshme të institucionit që përfaqësonte. Në këtë kuadër, gjatë diskutimeve u prezantua edhe puna e madhe që institucioni ynë ka bërë për tu afruar me qytetarët si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit që janë nënshkruar. KLSH u vlerësua si shembull i mirë për tu ndjekur në drejtim të bashkëpunimit me universitetet, organizatat e shoqërisë civile, SAI-t e tjerë në rajon dhe më gjerë. U konsiderua me interes dhe një veprim i zgjuar edhe shkëmbimi i audituesve midis Shqipërisë dhe Kosovës për të përfituar nga trajnimet e përbashkëta të njëri tjetrit, duke shfrytëzuar gjuhën tonë të përbashkët.

   Nëpërmjet “brain storming” në këtë konferencë u identifikuan sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen sot Institucionet Supreme të Auditimit dhe zgjidhjet ndaj tyre:

 

Sfidat Zgjidhjet
Përdorimi i formave të ndryshme të mediave dhe rrjeteve sociale

-publikimi i konkluzioneve të shkurtra me maksimumi 140 shkronja

-përdorimi i forumeve të diskutimit në internet për të shpërndarë

-mesazhet “dëgjimi“ i twitter-it dhe facebook-ut për sa i takon risqeve të auditimit

-mbledhja e propozimeve të qytetarëve nëpërmjet këtyre rrjeteve

Kultura “zero gabime” është një barrierë për inovacionin

-institucionet duhet të jenë të hapur ndaj iniciativave që ndërmarrin punonjësit

-SAI-t duhet të mësojnë prej gabimeve e jo ti ndëshkojnë ato

-SAI-t duhet të nxisin bashkëpunimin dhe peer review ndërmjet njëri tjetrit.

Të bëhemi më tepër inovativë

-institucionet duhet të kuptojnë që ka ardhur koha për të ndryshuar e për të qenë inovativë

-ata duhet të bashkëpunojnë me partnerët dhe palët e tyre të interesit

Bashkëpunimi në kuadër të globalizimit

-shkëmbimi i eksperiencave ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit

-përdorimi i ideve dhe praktikave më të mira

-ofrimi i mundësisë për audituesit e një SAI që të ndjekin një internship në një SAI homolog, me synim ngritjen e kapaciteteve

Menaxhimi i të dhënave “si të dallojmë sinjalin nga zhurma”?

-përdorimi i mjeteve të avancuara të IT

-publikimi i të dhënave financiare nëpërmjet “open data”

-filtrimi i të dhënave të nevojshme nga ato të panevojshme

Të maksimizojmë outputin me burimet e kufizuara në dispozicion

-SAI në publikimet e tij duhet të mbajë parasysh impaktin në publik

-duhet të zgjedhë temat e auditimit bazuar në risk

-mund të kombinojë auditimet financiare me ato të performancës për të maksimizuar përdorimin e burimeve.

Si të transmetojmë mesazhin tonë?

-organizimi i një “dite të hapur” për qytetarët

-shkrimi i editorialeve në gazeta

Ruajtja e pavarësisë

SAI mund ta ruajë më mirë pavarësinë e tij nëse:

-buxheti në dispozicion të një SAI është më i lartë

-audituesit ndjehen të mbrojtur dhe të mbështetur gjatë punës së tyre

-rriten publikimet e auditimeve në media

Përdorimi më i mirë i raporteve të auditimit

-raportet e auditimit duhet të jenë të shkurtra e koncize

-publikimi i tyre në media apo në rrjete sociale,

-përkthimi i raporteve në anglisht për ti ndarë ato me kolegët në komunitetin EUROSAI

-publikimi online i tyre në mënyrë që të jenë të disponueshëm në çdo kohë për publikun

Sfidat e mësipërme dhe zgjidhjet ndaj tyre, ilustrohen në këtë “mind map”

 

 

 

Në përfundim të konferencës, Presidentja e Gjykatës së Llogarive të Hollandës, znj. Saskia Stuiveling, theksoi se sa e rëndësishme është për institucionet e auditimit që ta rinovojnë vazhdimisht veten e tyre, në mënyrë që të kenë po atë forcë, pushtet dhe impakt tek palët e tyre të interesit. Si konkluzion, ajo përcolli këtë mesazh: “You have to change, to stay the same“.