Kontrolli i Lartë i
Shtetit kremton në datën 25 maj 2022, 97-vjetorin e themelimit të tij si institucioni
më i lartë i auditimit publik. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) u krijua si
strukturë e plotë 13 vite pas themelimit të shtetit të parë shqiptar, në vitin
1925.
Me rastin e këtij
përvjetori, KLSH do të organizojë aktivitetin “Java e hapur për publikun”. Duke nisur nga data 23 deri më 27 maj
2022, ora 10:00-14:00, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jetë i hapur për të
pritur qytetarë, studentë, profesionistë të fushave të ndryshme apo
institucione, për t’i njohur me historikun e institucionit, arritjet e bëra ndër
vite, prezantimin e rezultateve të punës audituese, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin
e publikut për rolin e KLSH-së.
Aktiviteti i “Javës së hapur për publikun” do të
zhvillohet në mjediset e KLSH-së. Specialistë të institucionit si dhe auditues
do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të “Javës së hapur për publikun” për të
komunikuar me çdo pjesëmarrës në këtë aktivitet.
Studentë të
universiteteve të ndryshme ftohen të marrin pjesë në aktivitetin e “Javës së hapur për publikun”, për t’u
njohur edhe me botimet e institucionit ndër vite.
“Hapja” e institucionit
për publikun është një traditë e nisur që në vitin 2016 në KLSH, me qëllim
rritjen e transparencës dhe komunikimit me të gjitha grupet e interesit.