Njoftim për shtyp, auditim për pasqyrat financiare Bashkia Kurbin
Departamenti i Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit tematik nr. 678, datë14.6.2021 dhe autorizimit nr. 678/2, datë 14.06.2021, auditoi veprimtarinë e subjektit Bashkia Kurbin, për pasqyrat financiare të vitit 2020.
Në përfundim të auditimit, grupi i auditimit konkludon në një opinion tëkualifikuar për pasqyrat financiare viti 2020, pasi anomalitë apo rastet e mospërputhshmërisë, individualisht ose së bashku, janë materiale por jo të përhapura, ku rezultoi, se:
Në llogarinë 210 “Toka, Troje, Terrene”,nuk janë pasqyruar, vlerat e truallit nën objekt dhe të truallit funksional, të ndërtesave sipas inventarit të aktiveve afatgjata materiale dhe vlerat e trojeve të cilat me VKM kanë kaluar në pronësi të Bashkisë Kurbin.
Në llogarinë 211 “Pyje, kullota, plantacione”, nuk është pasqyruar, vlera e pyjeve dhe kullotave në pronësi të Bashkisë Kurbin, të transferuara me VKM nr.433, datë 8.6.2016 “Për transferimin në pronësi të Bashkive të Pyjeve dhe të Kullotave Publike, sipas listave të inventarit dhe aktualisht në administrim të Ministrisë së Mjedisit e të ish Komunave/Bashkive”.
Në llogarinë 212 “Ndërtime e konstruksione”, nuk është pasqyruar vlera e saktë për çdo aktiv afat gjatë që ka pësuar ndryshime gjatë periudhës së mëpasshme nëpërmjet kryerjes së investimeve shtesë si, vlera e rikonstruksioneve të objekteve, vlera mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objekteve. Investimet shtesë që nuk i janë bashkuar vlerës së çdo aktivi deri më 31.12.2020 janë në vlerën historike 381,201,523 lekë.
Në llogarinë 213 “Rrugë, rrjete vepra ujore”, nuk është evidentuar vlera e saktë për çdo aktiv afat gjatë që ka pësuar ndryshime gjatë periudhës së mëpasshme nëpërmjet kryerjes së investimeve shtesë si, vlera e rikonstruksioneve të objekteve, vlera mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objekteve. Investimet shtesë që nuk i janë bashkuar vlerës së çdo aktivi deri më 31.12.2020 janë në vlerën historike 575,066,140 lekë.
Në llogarinë 215“Mjete transporti”, është kryer kontabilizimi i gabuar për vlerën 9,230,673 lekë që i përkasin katër mjeteve të transportit, të cilat duhej kontabilizuar përkatësisht në debi të llogarisë 28”Caktime të aktiveve afatgjata” për vlerën 5,918,000 lekë të dy mjeteve në përdorim të Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe të një mjeti në përdorim të klubit të futbollit si dhe në debi të llogarisë 24 “Aktive afatgjata të dëmtuara”, për vlerën 3,312,673 lekë mjetin e zjarrfikëses që është i dëmtuar, jo në gjendje pune.
Në llogarinë 466 “Kreditorë për mjete në ruajtje”, nuk është sistemuar vlera 9,688,340 lekë, pasi është garanci punimesh për 28 objekte të përfunduara dhe të marra në dorëzim nga Bashkia nuk janë marrë masa për zhbllokimin e këtyre fondeve, nuk janë njoftuar subjektet për paraqitjen e dokumentacionit të duhur për likuidimin e vlerës së mësipërme, ose përdorimin për interes publik të këtyre fondeve.
Në llogarinë 468 “Debitorë të ndryshëm”, nuk justifikohet me dokumente analitike vlera 3,678,921 lekë, gjendje më 31.12.2020, e trashëguar nga vitet e mëparshme, me pretendimin se është e trashëguar nga ish Komunat qysh nga vitit 2015, kohë në të cilën u krye zbatimi i reformës administrative e territoriale, ku ish Komunat u përthithën nga Bashkia Kurbin, me të drejtat dhe detyrimet e tyre.
Në pasqyrat e pozicionit financiar të vitit 2020, nuk është kryer inventarizimi i aktiveve afat gjata materiale i llogarive 210, 211, 212, 213, 214, për vërtetësinë e gjendjeve fizike dhe për justifikimin me dokumentacionin e nevojshëm.
Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me dispozitat e akteve ligjore të ligjit nr. 25/2018, datë 10.05.2018 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të Udhëzimit nr. 08, datë 09.03.2018 të Ministrisë së Financave “Për procedurën e përgatitjes, paraqitjes dhe raportimit e të pasqyrave financiare vjetore të njësive të Qeverisjes së Përgjithshme” dhe Udhëzimin nr. 30, datë 27.12.2011 të Ministrisë së Financave “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”.
Me Vendimin nr.93, datë 05.08.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar, ku janë rekomanduar 9 masa organizative.