Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, me ftesë të Presidentit të Gjykatës Turke të Llogarive, z. Metin Yener, ka zhvilluar në datën 6 dhjetor 2023, një vizitë zyrtare pranë këtij institucioni.
Z.Shehu dhe Presidenti Yener në bashkëbisedimin e tyre, e vunë theksin në historikun e shkëlqyer të marrëdhënies dhe bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, të cilat do të jenë gjithnjë në zhvillim e konsolidim të mëtejshëm.
Kryetari i KLSH-së e falënderoi Presidentin Yener për pritjen e veçantë dhe organizimin e vizitës, si dhe i prezantoi homologut një kuadër të përgjithshëm të organizimit dhe funksionimit të institucionit të KLSH-së. Z. Shehu e vuri theksin në fjalën e tij tek rëndësia dhe vlera e shtuar që ka për KLSH-në bashkëpunimi me institucionin e Gjykatës Turke të Llogarive, në veçanti ngritja dhe thellimi i bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, si në fushën e auditimit IT, burimeve natyrore, mjedisit, shëndetësisë, ndryshimeve klimaterike, etj
Në kuadër të kësaj vizite, u shkëmbyen gjithashtu informacione dhe përvojë në fusha të tjera si Sistemi i Menaxhimit të Auditimit në Gjykatën Turke të Llogarive (SayCAP) dhe Analiza e të Dhënave dhe Eksperienca e Inteligjencës Artificiale. Gjithashtu, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në vitet e kaluara, u ra dakord që të zhvillohet puna dhe bashkëpunimi i përbashkët.
Z.Shehu dhe Presidenti Yener shprehën përtej vlerësimit, edhe angazhimin dhe vullnetin e plotë, në thellimin e këtij partneriteti të suksesshëm, i cili do të vijojë me përcaktimin dhe identifikimin e fushave dhe hapave konkretë për bashkëpunim, shkëmbimin e informacioneve materialeve, por edhe të vizitave ndërmjet grupeve të punës tekniko – profesionale, për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe fillimin e një programi konkret me objektiva të mirë përcaktuara.
Gjatë vizitës në Turqi, z. Shehu zhvilloi një vizitë në Parlamentin e Parë të Madh Kombëtar të Turqisë, në Parlamentin e Dytë të Madh Kombëtar të Turqisë, në Pallatin e Ankarasë, si dhe në disa qendra kulturore dhe historike si në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, Bibliotekën Kombëtare të Presidencës së Republikës së Turqisë, Xhaminë Aslanhane, Samanpazari, Qendrën Kulturore Shqiptare, etj. Kryetari i KLSH-së në këtë vizitë shoqërohej nga znj. Marjola Llanaj, Drejtor i Përgjithshëm, z. Bexhet Zeqiri, Drejtor i Drejtorisë së Standardeve dhe Sigurimit të Cilësisë në Auditim, si dhe z. Andi Hysa ekspert pranë KLSH-së
