Në datën 20 qershor 2025, në Budapest, Hungari, u zhvillua workshop-i me temë “Prokurimi publik dhe monitorimi qytetar”, organizuar si takim iniciues në kuadër të projektit “iMonitor 2.0”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarët dhe anëtarët e asociuar të konsorciumit që zbaton projektin, përfshirë përfaqësues nga institucione publike, si Autoriteti Kombëtar kundër Korrupsionit (ANAC) i Italisë, Agjencia Kombëtare e Prokurimit Publik (ANAP) e Rumanisë, si dhe organizata të shoqërisë civile me fokus transparencën dhe llogaridhënien në fushën e prokurimit publik. Në këtë workshop, KLSH-ja mori pjesë në cilësinë e të ftuarit, si institucion publik i angazhuar në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies, nëpërmjet auditimit të procedurave të prokurimit publik që realizohen nga institucionet publike dhe ndërmarrjet shtetërore në Republikën e Shqipërisë.
Në diskutimet e zhvilluara u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publikë dhe shoqërisë civile, kryesisht mbi (i) rëndësinë e grumbullimit dhe analizimit të të dhënave në fushën e prokurimit publik nga ana e organizatave të shoqërisë civile dhe (ii) forcimin e urave të komunikimit me institucionet publike përgjegjëse për kontrollin e përdorimit të financave publike në shtetet respektive, nëpërmjet dërgimit të raporteve periodike të të dhënave të analizuara, me qëllim identifikimin dhe vlerësimin e risqeve në fushën e prokurimit publik.
Pjesëmarrësit nga organizatat e shoqërisë civile ndanë praktika të mira, duke paraqitur mundësitë e navigimit në portalin Open Tender , databazë e cila që grumbullon dhe analizon të dhëna mbi prokurimet publike në Bashkimin Evropian. Si praktikë e mirë u evidentua edhe portali Open Procurement , i administruar nga Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS). Pikë kyçe e analizimit të të dhënave të grumbulluara konsiderohej metodologjia e përcaktimit të “flamujve të kuq”, si indikatorë risku, në procedurat e prokurimit publik, ku ndër të tjera përfshiheshin faktorë si mungesa e konkurrencës, mospublikimi i njoftimeve, përdorimi i procedurave të mbyllura/ të kufizuara të prokurimit, regjistrimi i operatorëve ekonomikë në shtete që konsiderohen parajsa fiskale, etj.
Ky workshop shënon një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin e KLSH-së për bashkëpunim me aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, në kuadër të rritjes së transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në fushën e prokurimit publik, si dhe për forcimin e rolit të auditimit të jashtëm publik në garantimin e përdorimit të fondeve publike me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet.
Në këtë workshop, KLSH-ja u përfaqësua nga audituesi Delor Prosi.