Banner

Zhvillohet workshopi përmbyllës në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional KLSH – OAGN Norvegji për auditimet e performancës

Kryefaqja » Uncategorized » Zhvillohet workshopi përmbyllës në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional KLSH – OAGN Norvegji për auditimet e performancës
Kryetari

Bergen, 3-5 qershor 2025

Në datat 3-5 qershor 2025, Departamenti i Auditimit të Performancës zhvilloi në Norvegji workshopin përmbyllës në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional KLSH – OAGN. Nga KLSH morën pjesë audituesit z. Aulent Guri, znj. Arminda Bushi, znj. Eva Kushta, znj. Vjola Kojani, znj. Annavanessa Hoxhaj, z. Klarenc Xhaferaj, znj. Xhuljeta Çelaj, znj. Brisilda Hyka, znj. Arjeta Çoku dhe znj. Jorida Zhegu. Kjo vizitë kishte për qëllim diskutimin dhe analizimin e ecurisë së dy auditimeve që janë zhvilluar me asistencën e homologëve norvegjezë: auditimi mbi “Cilësinë e ujërave në plazhe” dhe ai mbi “Shërbimin psiko-social në sistemin arsimor para-universitar”. Të dy këto auditime kanë nisur në maj të vitit 2024 dhe aktualisht ndodhen në fazën e përgatitjes së projekt-raporteve përkatëse. Gjatë këtyre tre ditëve u diskutuan gjetjet, struktura dhe mënyra e përmirësimit të raportit, u shkëmbyen ide për forcimin e bashkëpunimit dhe u analizuan metoda të reja për rritjen e cilësisë së auditimeve.

Aktivitetet nisën me një përmbledhje të detajuar nga kolegët norvegjezë mbi ecurinë e deritanishme të të dy auditimeve dhe më pas, grupet u ndanë për të vijuar punën në mënyrë të veçantë me kolegët respektivë. Grupi i auditimit mbi cilësinë e ujërave në plazhe diskutoi konkretisht mbi përmbajtjen e çështjeve të trajtuara, strukturën dhe përshkrimin e tyre në raport, përdorimin e elementëve vizualë si grafikë, harta dhe tabela, si dhe mbi formulimin e gjetjeve dhe rekomandimeve. Grupi i auditimit pati gjithashtu mundësinë të ndjekë një prezantim nga një përfaqësuese e Bashkisë së Bergenit lidhur me përvojën e kësaj bashkie në monitorimin e cilësisë së ujërave larës dhe në menaxhimin e ujërave të ndotura urbane. Ky prezantim preku dhe çështje që janë duke u trajtuar aktualisht nga auditimi i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH me temë “Cilësia e ujërave në plazhe”.

Grupi i auditimit, i fokusuar në shërbimin psiko-social në sistemin arsimor para-universitar, punoi ngushtësisht me tre auditues të SAI-t të Norvegjisë për ndërtimin dhe zhvillimin e programit të auditimit, i cili u finalizua në janar 2025 dhe u mbështet mbi tre shtylla kryesore: cilësia e shërbimit të ofruar, kapacitetet ekzistuese dhe politikat institucionale në këtë fushë. Gjatë gjithë periudhës së auditimit janë zhvilluar takime të rregullta online dhe fizike për të diskutuar metodologjinë, strukturimin e përmbajtjes, përdorimin e gjuhës së përshtatshme, përfshirjen e grafikëve dhe hartave, si dhe formulimin efektiv të rekomandimeve. Gjatë këtij workshop-i u paraqit edhe një prezantim nga Universiteti i Bergenit mbi shërbimin psiko-social në shkolla, për t’u njohur me mënyrën se si është i organizuar shërbimi në këtë vend dhe studimet e zhvilluara në këtë fushë. Homologët norvegjezë kanë ndihmuar në orientimin e grupit auditues të KLSH-së drejt një qasjeje më të thjeshtë dhe të kuptueshme për një audiencë të gjerë, përfshirë publikun, median dhe Kuvendin. U theksua rëndësia që raporti të jetë i rrjedhshëm, të mos mbingarkohet me të dhëna të tepërta dhe të kufizohen rekomandimet vetëm në çështjet më të rëndësishme dhe me impakt të drejtpërdrejtë. Gjithashtu, u dhanë udhëzime për strukturimin e qartë të çështjeve në raport përmes paragrafëve të ndarë qartë dhe u sugjerua shmangia e përdorimit të njëkohshëm të grafikëve dhe tabelave për të njëjtat të dhëna.

Në përmbyllje u diskutua mbi përvojat respektive institucionale, përfshirë mënyrën e përzgjedhjes së temave të auditimit, kriteret e përdorura për auditimet që zhvillohen, përbërjen dhe kohëzgjatjen e grupeve të auditimit. Përfaqësuesit norvegjezë ndanë përvojën e tyre mbi trajnimin dhe qëndrimin afatgjatë të audituesve në sektorë të caktuar, duke siguruar ruajtjen dhe përdorimin efektiv të ekspertizës së fituar ndër vite. Ky model është konsideruar një praktikë e suksesshme, e cila mund të adaptohet edhe nga KLSH për të rritur qëndrueshmërinë dhe cilësinë e auditimeve.

Nga të dyja palët, u vlerësua bashkëpunimi shumë i frytshëm mes dy institucioneve dhe u theksuan disa elemente që kanë ndikuar pozitivisht në realizimin e këtyre auditimeve, si përvoja e mëparshme e bashkëpunimit në vitet 2022 dhe 2024, kohëzgjatja më e gjatë e auditimeve aktuale që ka mundësuar analiza më të thelluara, si dhe komunikimi i rregullt ndërmjet grupeve.

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit për të ardhmen, u propozuan disa mundësi konkrete, përfshirë realizimin e auditimeve paralele me SAI-n e Norvegjisë për tema të përbashkëta, si dhe përfshirjen e audituesve shqiptarë në auditime që zhvillohen nga homologët norvegjezë. Kjo do të sillte një përvojë të drejtpërdrejtë, shkëmbim njohurish dhe do të kontribuonte në rritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së.

         

 


E-mail zyrtar