Më 13 maj 2025, studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë morën pjesë në një leksion të hapur të organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të institucionit.
Leksioni u mbajt nga znj. Miranda Misini, audituese e lartë pranë KLSH-së, e cila ndau me studentët misionin, historikun dhe rolin e institucionit si organi suprem i auditimit në vend. Gjatë fjalës së saj, znj. Misini theksoi rëndësinë e auditimit të jashtëm publik si një mekanizëm thelbësor për ndërtimin e një shteti me integritet, transparencë dhe përgjegjshmëri në shërbim të qytetarëve. Përfaqësuesit e Universitetit të Vlorës, mikpritës të këtij aktiviteti, shprehën vlerësime të larta për angazhimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit profesional të brezit të ri.
Studentët patën mundësi të informohen më shumë rreth mënyrës se si funksionon KLSH dhe mbi rëndësinë e auditimit dhe kontrollit në administratën publike.
Përmes këtyre takimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit synon të ndërtojë ura bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe të nxisë përfshirjen aktive të të rinjve në çështjet e qeverisjes së mirë dhe transparencës publike.
