Banner

Kryetari i KLSH-së, z.Arben Shehu zhvillon një vizitë zyrtare pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës

Kryefaqja » Njoftime » Kryetari i KLSH-së, z.Arben Shehu zhvillon një vizitë zyrtare pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës
Kryetari

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu ka zhvilluar në datat 16-17 shkurt 2022 një vizitë zyrtare pranë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës (ZKA) me ftesë të Auditores së Përgjithshme, znj.Vlora Spanca. Në takimin e zhvilluar të dy titullarët e institucioneve theksuan edhe një herë, përkushtimin personal dhe atë institucional për të vijuar më tej bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm, si dhe shprehën vullnetin për thellimin e marrëdhënieve tashmë të konsoliduara me qëllim përsosjen, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Delegacioni i KLSH-së gjatë kësaj vizite ka marrë pjesë në një sesion informues të përgatitur nga stafi i ZKA-së mbi tema të ndryshme lidhur me auditimet si zbatimi i metodologjisë së auditimit financiar dhe të përputhshmërisë, procesi i auditimit të buxhetit të Kosovës, si edhe funksionimi i sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit-SITA.

Kryetari i KLSH-së, gjatë qëndrimit dy ditor në Prishtinë, i ka shprehur znj. Spanca urimet e përzemërta me rastin e 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Gjatë ditës së dytë të vizitës, z. Shehu së bashku me homologen kosovare ka marrë pjesë në ceremonialet shtetërore të organizuara me këtë rast si dhe ka zhvilluar homazhe në kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Kryetari i KLSH-së në këtë vizitë zyrtare shoqërohej nga Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së znj. Mariola Llanaj, Sekretarja e Përgjithshme e KLSH-së znj. Valbona Gaxha, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit z. Gjovalin Preçi, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit z. Vullnet Karafilaj, si dhe Audituesi i Lartë, z. Rezario Kuçaj.

       

       


E-mail zyrtar