Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Parandalimi i Korrupsionit, sfidat aktuale dhe nevoja për bashkëpunim” e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare Italiane Anti Korrupsion (ANAC) dhe Ambasada e Italisë në Tiranë. Në këtë konferencë ishin të ftuar drejtues të institucioneve shtetërore si Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Agjencia e Prokurimit Publik, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile, OJF-ve të ndryshme në vend që kanë në fokus të punës së tyre luftën ndaj korrupsionit, etj.
Në fjalën e tij të rastit, z. Shehu përmblodhi një ekspoze të punës së KLSH-së duke e vënë theksin në angazhimet konkrete që institucioni ka ndërmarrë në drejtim të luftës ndaj këtij fenomeni. KLSH ka mbështetur dhe është angazhuar në çdo iniciativë ndërinstitucionale brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka përmbushur detyrat funksionale me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë në drejtim të konstatimit dhe parandalimit të rasteve që përbëjnë korrupsion.
Kryetari i KLSH-së, gjatë fjalës së tij, shprehu gjithashtu falenderimet e rastit ndaj z. Giuseppe Busia, President i ANAC, një agjenci profesionale e cila vijon të japë mbështetjen dhe asistencën e saj në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të KLSHsë.
Në komentin e tij përfundimtar, z. Shehu theksoi edhe një herë se, puna për luftën kundër korrupsionit, duhet të ketë në fillesë përgjegjshmërinë dhe ndërgjegjen për ta gjurmuar këtë fenomen në nivelet më të larta, si dhe kurajon për ta pranuar dhe goditur atë.
KLSH do të vijojë të bashkëpunojë dhe bashkërendojë veprimtarinë e saj me të gjitha institucionet e tjera të përfshira për të parandaluar këtë fenomen, si dhe për të rritur besueshmërinë dhe transparencën tek qytetarët.
