Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu zhvilloi në datat 29-30 nëntor, 2022 një vizitë zyrtare pranë Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, me qëllim nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Kjo Marrëveshje ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit dypalësh në shkëmbimin e eksperiencave dhe organizimin e aktiviteteve mbi çështje me interes të përbashkët, ndërveprimin në sferën e trajnimeve profesionale dhe përmirësimin e standardeve profesionale dhe metodologjisë së auditimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve të audituesve, si dhe kryerjen e auditimeve paralele, të koordinuara dhe të përbashkëta.
Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu dhe homologu maqedonas z. Maksim Acevski, shprehën gjithashtu vullnetin dhe angazhimin e tyre për bashkëpunimin e ndërsjellë edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, si buxhetimi gjinor në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, auditimet në fushën minerare, etj.
Gjithashtu gjatë zhvillimit të kësaj vizite, ishte organizuar edhe një takim me përfaqësues nga SAI i Norvegjisë, institucion me të cilin si KLSH ashtu dhe SAO e Maqedonisë së Veriut kanë tashmë marrëdhënie bilaterale të konsoliduara, për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit edhe në planin trilateral.
Në ditën e fundit të vizitës së tij në Shkup, Kryetari i KLSH-së, u prit në një takim zyrtar edhe nga zv. Presidenti i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Goran Misovski.


