Banner

KLSH prezanton gjetjet e auditimit të performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, i kryer në bashkëpunim me UN Women

Kryefaqja » Njoftime » KLSH prezanton gjetjet e auditimit të performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, i kryer në bashkëpunim me UN Women
Kryetari

Në datë 8 maj 2023, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka prezantuar në një takim të zhvilluar në mjediset e hotel “Rogner”, gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të performancës me temë “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, 2016-2021.

Auditimi është kryer në kuadër të projektit “Financimi transformues për barazinë gjinore drejt një qeverisje më tranparente, gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga qeveria e Suedisë (SIDA) me mbështetjen teknike të UN Women në Shqipëri.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, z. Michele Ribotta, përgjegjësja e Zyrës së Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim në Shqipëri, znj. Petra Burcher, përfaqësues nga subjektet e audituara, auditues të KLSH-së etj.

Në fjalën e tij, kreu i KLSH-së, z. Arben Shehu, theksoi se përfshirja e çështjeve gjinore në politika të nivelit qendror e vendor, përveç hartimit të programeve të duhura, nuk mund të realizohen pa alokimin e buxheteve përkatëse.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i qëndron parimit se politikat e pashoqëruara me buxhete efikase, mbeten të parealizueshme dhe nuk ndikojnë në zbutjen e pabarazive gjinore në shoqëri”, u shpreh Z.Shehu.

Kreu i KLSH-së, siguroi angazhimin e mëtejshëm të institucionit për të kontribuar në vlerësimin e eficiencës dhe efikasitetit të programeve të barazisë gjinore, duke ndihmuar në evidentimin e mangësive në implementimin e këtyre programeve, por edhe duke dhënë rekomandimet përkatëse për përmirësimin e situatës me impakt konkret për barazinë gjinore.

KLSH çmon veçanërisht se sigurimi i integritetit të grave dhe vajzave, nxitja e të drejtave të tyre social-ekonomike, mbështetja e grupeve të pa favorizuara, duhet të jenë në qendër të politikave, që ndikojnë në përmirësimin e barazisë gjinore, zhdukjen e varfërisë, dhënien e mundësive të barabarta dhe progresin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë”, theksoi z. Shehu.

Z. Michele Ribotta, vlerësoi bashkëpunimin me Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit luan një rol të rëndësishëm në forcimin e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies ndaj angazhimeve për barazinë gjinore në menaxhimin e fondeve publike”, u shpreh zoti Ribotta.

Në fjalën e saj zonja Burcher, falënderoi Kontrollin e Lartë të Shtetit për punën e kryer në auditimin “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri”, duke theksuar se roli i KLSH-së është strategjik për të kontrolluar efikasitetin e politikave të barazisë gjinore.

Auditimi i performancës “Fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri” ka pasur si objektiv vlerësimin e efektivitetit të veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për konkretizimin e fuqizimit ekonomik të gruas në vendin tonë nisur nga Ligji për Barazinë Gjinore, zbatimi i strategjive të barazisë gjinore dhe buxhetimi i përgjithshëm gjinor, kryesisht në fushën e punësimit dhe zhvillimit bujqësor rural, për periudhën 2016-2021.

       


E-mail zyrtar