Në datat 29 shtator – 1 tetor 2026, u zhvillua në Hagë workshop-i me temë “Digjitalizimi i Shoqërisë dhe roli i SAI-ve“, organizuar nga Gjykata e Llogarive e Holandës në kuadër të programit “Constituency Programme”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë workshop-it u trajtua procesi i digjitalizimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, bazuar në studime ekonomike dhe në krahasim me treguesit kryesorë të përdorur nga Bashkimi Evropian. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit në mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë përmes digjitalizimit, si dhe mundësive për të kontribuar në përmirësimin e politikave dhe shërbimeve publike digjitale.
Programi përfshiu prezantime nga ekspertë të fushës, diskutime tematike, raste studimore dhe shkëmbim përvojash ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe transformimit digjital, siguria kibernetike, varësia teknologjike nga prodhues apo shtete të caktuara, zhvillimi i sistemeve të mëdha teknologjike dhe sfidat që lidhen me përdorimin e teknologjive të reja. Gjithashtu, u diskutua mbi rolin që institucionet supreme të auditimit mund të luajnë në adresimin e këtyre sfidave, duke kontribuar në një proces digjitalizimi të sigurt, efektiv dhe të qëndrueshëm.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet krijoi mundësi për zgjerimin e njohurive profesionale dhe njohjen me praktika e qasje të ndryshme në auditimin e proceseve të digjitalizimit. Në këtë kuadër, u evidentua rëndësia e orientimit të veprimtarisë audituese drejt vlerësimit jo vetëm të përputhshmërisë së përdorimit të fondeve publike, por edhe të efektivitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë së investimeve në teknologji dhe shërbime digjitale.
Në përfundim të aktivitetit, u theksua nevoja që institucionet supreme të auditimit të luajnë një rol aktiv në mbikëqyrjen e transformimit digjital, përmes identifikimit të risqeve, vlerësimit të rezultateve dhe ofrimit të rekomandimeve që mbështesin inovacionin dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përvojat dhe njohuritë e përfituara përbëjnë një referencë të dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të qasjeve audituese në fushën e digjitalizimit, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe vlerës së shtuar për Kuvendin dhe qytetarët.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë workshop nga znj. Joniada Goçaj, z. Rigels Guzi dhe znj. Alketa Çobo.