Në vijim të takimeve të zhvilluara ndërmjet Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, me qëllim rritjen e zbatueshmërisë së gjetjeve të auditimit dhe forcimin e llogaridhënies në menaxhimin e financave publike, më 2 tetor 2026, stafi i KLSH-së mori pjesë në trajnimin e organizuar nga NDI Albania me temë “Angazhimi Efektiv Parlamentar”.
Sesioni u fokusua në mekanizmat dhe praktikat që mund të rrisin ndikimin e gjetjeve të auditimit në Kuvend, përmes një shqyrtimi më efektiv parlamentar. Trajnimi u drejtua nga eksperti i NDI-së, z. Anthony Staddon, në bashkëpunim me përfaqësuesin e SIGMA/OECD, z. Alastair Swarbrick.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit diskutuan mbi përzgjedhjen e auditimeve me ndikim të lartë në financat publike, mënyrat e përkthimit të raporteve teknike në përmbledhje të qarta dhe praktike për deputetët, si dhe zhvillimin e seancave dëgjimore në komisionet parlamentare.
Forcimi i këtyre aftësive synon të kontribuojë në kthimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit në veprime konkrete, duke rritur llogaridhënien dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike.
Bashkëpunimi institucional për ndjekjen dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit mbetet një element i rëndësishëm për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare dhe mirëadministrimin e financave publike.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Nga Auditimi në Veprim”, të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në bashkëpunim me SIGMA (OECD/EU).