Në datat 30 shtator dhe 1 tetor 2026, në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit u zhvilluan takime pune me përfaqësues të SIGMA-s, z. Alastair Swarbrick dhe znj. Lelde Dimante, në kuadër të procesit të rishikimit të Manualit të Auditimit të Përputhshmërisë.
Në këto takime morën pjesë anëtarët e grupit të punës të ngritur për rishikimin e Manualit dhe drejtues të departamenteve të auditimit.
Grupi i punës për rishikimin e Manualit, i përbërë nga auditues me eksperiencë në auditimin e përputhshmërisë, u njoh dhe diskutoi në mënyrë të detajuar sugjerimet e ekspertëve të SIGMA-s mbi aspektet e Manualit që kërkojnë rishikim.
Diskutimet u fokusuan në forcimin e karakterit praktik dhe udhëzues të Manualit, si dhe në përditësimin e kërkesave të standardeve ndërkombëtare, gjatë planifikimit, kryerjes, dokumentimit dhe raportimit të auditimeve të përputhshmërisë.
Në përfundim, u dakordësua vijimi i komunikimit dhe bashkërendimit me përfaqësuesit e SIGMA-s gjatë procesit, me qëllim reflektimin e çështjeve të evidentuara në versionin e rishikuar të Manualit.
Ky bashkëpunim me SIGMA-n mbështet angazhimin e KLSH-së për përmirësimin e vazhdueshëm të metodologjisë së auditimit, rritjen e cilësisë së punës audituese dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në praktikë.