Rabat, 15-16 shtator 2026
Në datat 15–16 shtator 2026 u zhvillua në Rabat takimi vjetor i Grupit të Punës të INTOSAI-t, për Vlerësimin e Politikave dhe Programeve Publike (WGEPPP), me temë “Vlerësimi i përshtatshmërisë së politikave publike”.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit, anëtarë dhe vëzhgues të WGEPPP-së, të cilët diskutuan mbi një çështje me interes të veçantë për veprimtarinë audituese: nëse objektivat e politikave, programeve dhe strategjive publike vijojnë t’u përgjigjen nevojave dhe prioriteteve të shoqërisë, në një mjedis ekonomik dhe social në transformim të vazhdueshëm.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga znj. Valbona Gaxha, znj. Joniada Gocaj dhe znj. Arminda Bushi.
WGEPPP, si strukturë e INTOSAI-t, nxit zhvillimin dhe përmirësimin e praktikave për vlerësimin e politikave dhe programeve publike, përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve anëtare dhe shkëmbimit të metodologjive e praktikave të mira. Në këtë drejtim, një nga dokumentet referuese është INTOSAI GUID 9020 – “Evaluation of Public Policies”, i cili trajton parimet dhe qasjet metodologjike të këtij procesi.
Në qendër të punimeve ishte dallimi ndërmjet arritjes së rezultateve të një politike dhe përshtatshmërisë së objektivave të saj, me nevojat aktuale të shoqërisë. Diskutimet theksuan rëndësinë që auditimi të shqyrtojë jo vetëm nëse objektivat janë realizuar në mënyrë efektive dhe eficiente, por edhe nëse ato vijojnë të adresojnë problemet dhe prioritetet për të cilat politika është hartuar.
U trajtuan gjithashtu aspektet konceptuale, institucionale dhe metodologjike të kësaj qasjeje, këto nëpërmjet prezantimeve nga SAI i Indisë dhe Marokut ndërsa Zyra e Llogaridhënies së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara (GAO) u ndal në komunikimin me qeverinë, parlamentin dhe palët e interesuara.
Punimet e takimit vijuan me workshop-e ku u prezantuan raste konkrete nga auditime të realizuara nga SAI-t e Marokut, Madagaskarit, Tajlandës, Algjerisë, Maldive dhe Algjerisë. Këto raste ofruan një bazë konkrete për diskutime mbi përzgjedhjen e kritereve të auditimit, përdorimin e evidencave, përfshirjen e palëve të interesuara dhe përdoruesve përfundimtarë, si dhe formulimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të mbështetura në analiza të qëndrueshme me qëllim ruajtjen e pavarësisë, objektivitetit dhe paanshmërisë institucionale.
Në përfundim, u theksua se një vlerësim i dobishëm dhe profesional duhet të mbështetet në evidenca të mjaftueshme dhe të përshtatshme, metodologji të qarta dhe kritere të mirëpërcaktuara. Njëkohësisht, rezultatet duhet të paraqiten në mënyrë objektive, të qartë dhe të balancuar, duke respektuar mandatin dhe kompetencat institucionale, veçanërisht kur auditimi trajton çështje që lidhen me objektivat dhe zgjedhjet e politikave publike.