Banner

Sesion pune për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare përmes shqyrtimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të KLSH-së

Kryefaqja » Uncategorized » Sesion pune për forcimin e mbikëqyrjes parlamentare përmes shqyrtimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të KLSH-së
Kryetari

Më 22 korrik 2026 u zhvillua në ambientet e Hotel Rogner, Tiranë, sesioni i punës i Nënkomisionit Parlamentar për Auditimin e Sektorit Publik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Aktiviteti u organizua me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (National Democratic Institute – NDI) dhe kishte në fokus forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit përmes shqyrtimit efektiv të raporteve të auditimit të KLSH-së dhe ndjekjes së zbatimit të rekomandimeve të tyre, me synim rritjen e llogaridhënies së institucioneve publike.

Në takim morën pjesë anëtarë të Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, deputetë të Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, përfaqësues nga KLSH, SECO, SIGMA, NDI etj.

Gjatë punimeve u shqyrtuan gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditimit të përzgjedhura nga Nënkomisioni, të cilat trajtojnë çështje me interes të lartë publik:

Respektimi i standardeve në menaxhimin e mbetjeve urbane, sfidë e qëndrueshme në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullsisë” dhe “Procesi i birësimit të fëmijëve dhe garantimi i të drejtave të tyre për mirërritje dhe edukim”.

Diskutimet u përqendruan në identifikimin e çështjeve prioritare për mbikëqyrjen parlamentare, organizimin e seancave dëgjimore parlamentare dhe krijimin e mekanizmave të monitorimit për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së.

Aktiviteti përbën një hap konkret drejt krijimit të një praktike më të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet KLSH-së dhe Kuvendit, me synim përdorimin më efektiv të gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit në funksion të forcimit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj institucioneve publike.


E-mail zyrtar