Banner

KLSH merr pjesë në workshopin tematik mbi praktikat e zhvillimit të “Peer Review”

Kryefaqja » Uncategorized » KLSH merr pjesë në workshopin tematik mbi praktikat e zhvillimit të “Peer Review”
Kryetari

Nga datat 29.06.2026 deri në datën 30.06.2026 u zhvillua në Varshavë, Poloni, workshopi tematik mbi praktikat e zhvillimit të “Peer Review”, me pjesëmarrjen me përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI) nga Shqipëria, Kosova, Polonia, Sllovakia, Izraeli, Bullgaria, Franca, Suedia, Austria, Hungaria, Portugalia, Anglia, Malta dhe Letoni.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte prezantimi dhe zhvillimi i konceptit të “Peer Review”, i cili përfaqëson një proces rishikimi të jashtëm, të pavarur dhe profesional të një ose më shumë elementeve të organizimit dhe funksionimit të një Institucioni Suprem të Auditimit (SAI). Ky rishikim kryhet nga një ekip kolegësh profesionistë të një ose më shumë SAI-ve, në përputhje me standardet e INTOSAI-t. Pjesëmarrja në një proces Peer Review, si në cilësinë e institucionit që i nënshtrohet rishikimit ashtu edhe në atë të institucionit që kryen rishikimin, bazohet në parimin e vullnetarizmit.

Në takim u diskutuan çështjet kryesore për të cilat një Institucion Suprem i Auditimit (SAI) mund të kërkojë zhvillimin e një procesi “Peer Review” nga institucionet homologe. Diskutimet u përqendruan në vlerësimin e shkallës së zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe kombëtare të auditimit, funksionimin e sistemeve të brendshme, identifikimin e mundësive për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të veprimtarisë institucionale, përmirësimin e qasjeve, metodologjive dhe mjeteve të auditimit, si dhe rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së auditimit.
Në vijim u diskutuan fazat kryesore të procesit të “Peer Review”, duke filluar nga mbledhja dhe analizimi i dokumentacionit dhe të dhënave të institucionit që i nënshtrohet rishikimit, analiza e rasteve konkrete, kryerja e vlerësimeve nga ekipi i rishikimit, deri te komunikimi i vazhdueshëm ndërmjet palëve gjatë gjithë procesit.

Gjatë workshop-it, nëpërmjet prezantimeve tematike, diskutimeve interaktive dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet pjesëmarrësve, ekspertë me njohje dhe eksperiencë të gjerë ndërkombëtare prezantuan praktikat më të mira në zbatimin e procesit “Peer Review”, duke ndarë njëkohësisht sfidat më të zakonshme që hasen gjatë planifikimit, organizimit dhe realizimit të tij. Gjithashtu, u prezantuan shembuj praktikë nga Institucione Supreme të Auditimit (SAI), të cilat ilustruan mënyrën e organizimit të procesit, metodologjitë e përdorura, faktorët që kontribuojnë në suksesin e tij, si dhe ndikimin e rekomandimeve të “Peer Review” në përmirësimin e cilësisë së auditimit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e performancës së institucioneve pjesëmarrëse.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua fazës së zbatimit të rekomandimeve të dala nga procesi “Peer Review”, duke theksuar se vlera e këtij procesi qëndron jo vetëm në identifikimin e problematikave dhe formulimin e rekomandimeve, por edhe në zbatimin e tyre nëpërmjet një plani veprimi të mirëstrukturuar. Në këtë kuadër, u evidentua rëndësia e përcaktimit të masave konkrete, afateve të zbatimit, përgjegjësive institucionale dhe mekanizmave të monitorimit, me qëllim sigurimin e një procesi efektiv të ndjekjes së rekomandimeve dhe arritjen e përmirësimeve të qëndrueshme në performancën dhe funksionimin e institucionit.
Në këtë aktivitet, KLSH u përfaqësua nga znj. Joniada Goçaj, Drejtor Departamenti, si dhe znj. Eriklida Shpori, Audituese e Lartë.


E-mail zyrtar