Në datë 15.06.2026, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, paraqiti në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat “Raportin Vjetor të Performancës 2025”.
Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së prezantoi rezultatet kryesore të veprimtarisë audituese për vitin 2025, e cila është orientuar drejt forcimit të kontrollit mbi përdorimin e fondeve publike dhe administrimin e pasurisë shtetërore, në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit.
Z. Shehu bëri të ditur se, gjatë vitit 2025, KLSH ka zhvilluar 190 auditime në 271 subjekte. Kryetari i KLSH-së theksoi se auditimet e kryera kanë konkluduar me dhënien e 222 opinioneve, mesazheve dhe konkluzioneve, si dhe 4994 rekomandimeve, të cilat përfshijnë 29 propozime për përmirësime të kuadrit ligjor, 3268 masa organizative, 281 masa për shpërblim dëmi, 441 masa për adresimin e parregullsive me efekt negativ financiar dhe 975 masa disiplinore dhe administrative.
“Këto masa kanë synuar adresimin e problematikave të konstatuara, forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e përgjegjshmërisë institucionale, me qëllim përmirësimin e administrimit të fondeve publike, në funksion të shmangies së përsëritjes së tyre në të ardhmen”, u shpreh z. Shehu.
Z. Shehu vuri në dukje më tej në fjalën e tij se një tregues i rëndësishëm për rritjen e ndikimit të auditimit dhe përmirësimin e performancës së institucioneve publike mbetet niveli i zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së. Gjatë vitit 2025 është verifikuar zbatimi i rekomandimeve në 125 auditime të mëparshme, ku rezultoi se rreth 99% e tyre janë pranuar nga institucionet e audituara, ndërsa 70% janë zbatuar plotësisht, pjesërisht ose janë në proces zbatimi.
Duke u ndalur në problematikat e konstatura në auditime, Kryetari i KLSH-së evidentoi se, nga veprimtaria audituese e zhvilluar gjatë vitit 2025, është konstatuar një dëm ekonomik dhe efekt financiar negativ në buxhetin e shtetit me vlerë totale 26.2 miliardë lekë.
Më tej, z. Shehu informoi mbi zhvillimin profesional të stafit, bashkëpunimin ndërkombëtar, zbatimin e rekomandimeve të lëna në rezolutën e Kuvendit etj.
Gjatë seancës dëgjimore u diskutua mbi gjetjet dhe rekomandimet në lidhje me pasqyrat financiare, sigurinë ushqimore, sektorin e shëndetësisë dhe menaxhimin e pronave shtetërore.
Në përfundim, z. Shehu theksoi angazhimin e KLSH-së për forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe administrimit më të mirë të fondeve dhe pasurive publike, në funksion të interesit të qytetarëve.