Banner

KLSH organizon në Tiranë Konferencën VII Young EUROSAI Audituesit e rinj, nxitës të ndryshimit në një botë të qëndrueshme dhe digjitale

Kryefaqja » Njoftime » KLSH organizon në Tiranë Konferencën VII Young EUROSAI Audituesit e rinj, nxitës të ndryshimit në një botë të qëndrueshme dhe digjitale
Kryetari

Në datat 9-10 qershor 2026 Kontrolli i Lartë i Shtetit, organizoi dhe priti në Tiranë, Konferencën VII Young EUROSAI (YES Conference) me temë “Auditues të përgatitur për të ardhmen: Nxitës të ndryshimit në një botë të qëndrueshme dhe digjitale”. Duke shërbyer si kontribuese në ndërtimin e një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet brezit të ri të audituesve të EUROSAI-t nëpërmjet promovimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale, konferenca mblodhi në Tiranë mbi 65 auditues të rinj nga 32 Institucione Supreme të Auditimit (SAI), si dhe të ftuar special si përfaqësuesen e INTOSAI Journal (GAO) e SHBA-së dhe për herë të parë, përfaqësueset e sekretariatit të ASOSAI-t, (SAI i Kinës).

Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të KLSH-së, z. Arben Shehu, i cili theksoi se: “…të rinjtë përfaqësojnë forcën më të madhe transformuese në institucionet e tyre dhe se konferenca Young EUROSAI ka dëshmuar ndër vite se është një hapësirë ku lindin ide të reja, krijohen lidhje të qëndrueshme profesionale dhe ndërtohet një rrjet bashkëpunimi që forcon komunitetin e auditimit publik…”

Konferencën e përshëndetën gjithashtu edhe znj. Kristie Conserve, përfaqësuese e INTOSAI Journal, si dhe përfaqësuesja e SAI-t të Kinës në cilësinë e sekretariatit të ASOSAI-t, znj. Zhang Xian.

Përgjatë dy ditëve të konferencës, audituesit e rinj nga KLSH dhe SAI-t homologë si UK NAO, Malta, Republika Çeke, Kina, Norvegjia, Hollanda, Letonia, Kosova, Portugalia, etj., prezantuan punimet e tyre dhe ndanë eksperienca lidhur me çështje si transformimi digjital dhe efektiviteti nëpërmjet përdorimit të teknologjive të reja; aftësitë, metodologjitë dhe teknologjia në mjediset respektive kombëtare; roli i audituesve të rinj dhe sfidat e përdorimit të teknologjive të reja; qëndrueshmëria, digjitalizimi dhe inovacioni në auditim; rezilienca institucionale; roli i transformimit digjital në zhvillimin e aftësive, risqet e mashtrimit digjital dhe inteligjenca artificiale, etj.

Diskutimet dhe prezantimet e paraqitura gjatë kësaj konference, shërbyen për të theksuar rëndësinë, kontributin dhe përfitimin e përdorimit digjital dhe inovacionit institucional në forcimin e kapaciteteve të SAI-ve pjesëmarrëse dhe në përshtatjen e tyre me kërkesat e së ardhmes, por duke pasur gjithnjë në fokus audituesin si faktorin parësor.

Audituesit e rinj gjatë këtyre dy ditëve patën veç të tjerash edhe mundësinë që të merrnin pjesë në programin social të organizuar nga KLSH në qytetin e Krujës, përgjatë të cilit zhvilluan një vizitë në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe atraksionet përreth.


E-mail zyrtar